Luan Peqini kishte përgatitur 100 doza kanabis për Kurban Bajramin
I harruar në burg që në vitin 2009, kur ai u ekstradua nga Franca, emri i Eduard Peqinit, i vetëquajtur Mandela dhe i njohur si një ndër personat më të rrezikshëm në Elbasan gjatë vitit 1997, është rikthyer në vëmendjen e drejtësisë dje, kur vëllai i tij kishte shkuar për t’i bërë një vizitë në qelinë e tij në Peqin. Vëllai kishte marrë me vete rreth 100 doza drogë, me qëllim që të furnizonte Mandelën, i cili mendohet se do t’i përdorte për konsum personal, por edhe për t’i tregtuar brenda burgut. Mandela njihet si kreu i një prej bandave më të rrezikshme, me aktivitet 15 vjet më parë, i cili drejtonte mbi 40 persona, duke bashkëpunuar edhe me vëllezërit e tij, ndërkohë që konfliktet më të ashpra i ka pasur me Bandën e Cërrikut.
Zbulimi i drogës
Rasti i tentativës së futjes së drogës është shënuar dje paradite në qelitë e Institutit të Ekzekutimeve të Dënimeve Penale në Peqin. Gjatë ditës së faljes së Kurban Bajramit, ndërsa ishte dita e takimeve me të dënuarit, njëri prej vizitorëve ka tentuar të fusë drogë tek i vëllai që vuan heqjen e lirisë për vrasje. Burime zyrtare nga Instituti i Ekzekutimeve të Dënimeve Penale në Peqin dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit, bënë të ditur se është arrestuar në flagrancë Luan Peqini, 34 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e kontrollit të burgut të sigurisë së lartë, duke tentuar të fuste në qelinë e të vëllait, 100 doza kanabis. “Ky person kishte shkuar për takimin e radhës me vëllain e tij, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin ‘Mandela’ i Elbasanit, si pjesëmarrës aktiv dhe me aktivitet kriminal në bandat e armatosura në Rajonin e Shqipërisë së Mesme në periudhën e trazirave të mars-qershorit 1997. Aktualisht Mandela vuan dënimin me burgim të përjetshëm”, deklaroi Policia e Elbasanit. Ndërkaq, nga burimet brenda burgut mësohet se droga me destinacion qelinë e tij, ishte paketuar dhe fshehur mes rrobave që vëllai i tij, Luan Peqini, i kishte sjellë për ndërresa. Por, policia e Institutit të Ekzekutimeve të Dënimeve Penale në Peqin, gjatë kontrollit të tyre ka zbuluar lëndën narkotike të fshehur mes tyre dhe ka bërë arrestimin në flagrancë të 34-vjeçarit. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, në Burgun e Peqinit u arrestuan tri femra, pasi tentuan të fusnin drogë në qeli te një i afërm i tyre.
Kush është Mandela
Banda e Mandelës ishte një grup kriminal që veproi në qytetin e Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1997. Aktiviteti kriminal i kësaj bande u zhvillua në periudhën prill-shtator 1997 dhe konsiston në një sërë aktesh, si krijim i grupeve të armatosura, armëmbajtje pa leje, vrasje, vjedhje me armë dhe me dhunë, plagosje, prostitucion, rrëmbime personash dhe shkatërrim pronash. Eduart Peqini u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bandë gjatë trazirave të vitit 1997, fillimisht prej tetë vetash dhe më pas prej 40 vetash. Shumë shpejt ai u bë romi më i “famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi ta. Pas arrestimit të realizuar në vitin 2001 në Francë, Mandelës i janë sekuestruar rreth 2 milionë dollarë në një bankë franceze, të cilat “rridhnin” nga trafiku i klandestinëve dhe i prostitucionit. Ai i kishte depozituar këto para me emrin e tij të rremë, për të cilin kishte edhe pasaportën shqiptare. Banda e Mandelës kishte bërthamë familjare të qëndrueshme, së cilës i bashkëngjiteshin edhe persona të tjerë brenda fisit dhe më gjerë. Në organizimin e tyre dallohej hierarkia absolute dhe zbatimi i porosive pa asnjë hezitim nga kryetari i saj, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin Mandela. Opinioni në qytet, kryesisht në lagjen ku banonte, Mandelën e cilësonte gangster të rrezikshëm, që nuk fliste dy herë për të njëjtën gjë dhe nuk hezitonte të zhdukte këdo që për të bëhej kërcënues.
Arratisja dhe arrestimi
Duke u ndier i rrezikuar, pasi “luftën” më të madhe e kishte me Bandën e Cërrikut, Mandela së bashku me katër vëllezërit e tij do të linin Elbasanin dhe do të arratiseshin në Greqi, më pas në Itali dhe në fillim të vitit 1999 do të kapërcenin kufijtë italianë për t’u vendosur në Francë. Largimi i tyre erdhi si pasojë e informacioneve të siguruara nga elementë të korruptuar në radhët e policisë, të cilët arritën t’i njoftonin kriminelët për operacionin që përgatitej për arrestimin e tyre. Edhe në Greqi, Mandela do të ndiqej nga kundërshtari i tij, që kishte mësuar vendndodhjen e bërthamës së grupit. Në vitin 2001, policia franceze realizoi arrestimin e tij, ndërkohë në nëntor të vitit 2009, Eduard Peqini ekstradohet nga Franca në Shqipëri. Mandela ishte dënuar edhe në Francë për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të prostitucionit. Gjykata franceze e ka dënuar vetëm me 6 vjet heqje lirie Mandelën, ndërkohë që në Shqipëri ai është dënuar fillimisht me pushkatim dhe më pas me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda, nga vrasja e deri te djegia e kufomës. Që pas arrestimit të tij, pikërisht më 17 maj të vitit 2001, Interpol Tirana priste vendimin e Gjykatës franceze për të realizuar kështu një ndër ekstradimet më të bujshme, duke sjellë në Shqipëri kreun e trafiqeve ndërkombëtare të drogës dhe qenieve njerëzore, si edhe autorin e disa vrasjeve, të ndodhura në qytetin e Elbasanit më 1997-n. Përveç vendimit të Gjykatës franceze, ekstradimi i Mandelës pengohej edhe nga mungesa e shenjave të gishtave, si edhe elementeve të tjera në dosjen e tij, që u dërgua fillimisht në Francë nëpërmjet Ministrisë sonë të Drejtësisë. Më vonë, dosja u ripunua dhe u dërgua sërish, ku u aprovua ekstradimi i tij. Red. Akt.