I japin edhe një mundësi, mbledhja shtyhet për të hënën
Altin Manallari
Supersfida Skënderbeu-Tirana këtë fundjavë do të vendosë fatin e Artur Lekbellos, pankina e të cilit është lëkundur fuqishëm pas humbjes turpëruese 4-0 ndaj Kukësit në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Tirana e ka pasur në traditën e saj të jetë në çdo fillim sezoni pretendentja kryesore për titullin kampion. Por ky nuk është i vetmi ves i skuadrës rekordmene të titujve në Shqipëri. Edhe në momentet kur në fushë dhe në klasifikim gjithçka shkon mirë, klubi bardheblu gëlon nga zhvillimet, pozitive apo negative qofshin ato. Por me largimin e donatorëve problematikë dhe me marrjen e frenave në dorë nga Bashkia e Tiranës, shumëkush mendoi se problemet dhe mosmarrëveshjet morën fund. Por ka gabuar. Tirana e ka në traditë të prodhojë tituj, por po aq edhe lajme. Vetëm kështu mund të kuptohet situata aktuale që po kalojnë 24-herë kampionët e Shqipërisë. Deri rreth një javë më parë, skuadra ishte e pozicionuar mirë në renditje (e dyta) dhe pa probleme. Pikërisht të mërkurën u prish qetësia me polemikën mes trajnerit dhe Klodian Duros, tashmë i pezulluar për tri ndeshje (i kanë mbetur edhe dy). Më pas, erdhi barazimi në shtëpi me Kastriotin, i cili i detyroi të humbisnin edhe vendin e dytë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, skuadra bën një paraqitje zhgënjyese në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ku pëson një humbje të thellë 4-0. Trajneri ka marrë përsipër edhe përgjegjësitë e tij për disfatën e së mërkurës. Por kjo duket se nuk mjafton. Administratori Tagani duket se e ka humbur durimin dhe deklaron se pankina e Lekbellos nuk është më e garantuar dhe rrezikon shkarkimin. Tashmë është e sigurt, që do të merren masa edhe për futbollistët për atë paraqitje zhgënjyese. Klubi ka parashikuar një mbledhje të bordit, i cili do të vendosë. “Përgjegjësia është e të gjithëve, duke filluar nga drejtuesit, pra nga unë, për të përfunduar te lojtari i fundit. Megjithatë do ta analizojmë në detaje këtë ndeshje të zhvilluar në Kukës, pasi është e papranueshme. Ndoshta mund të mbyllnim një sy për një humbje 1-0, apo 2-0, por 4-0 është me të vërtetë shumë. Nuk kapërdihet lehtë. Do të diskutohet me detaje në mbledhjen e klubit. Sigurisht që posti i trajnerit lëkundet, pasi është një humbje që nuk mund të tolerohet. Tirana është thuajse jashtë këtij trofeu me këtë rezultat, çka për ne është e paimagjinueshme”, tha kreu i klubit mbi pozicionin e trajnerit pas kësaj goditjeje. Megjithatë mbledhja e parashikuar për t’u mbajtur dje pasdite është shtyrë, pasi është preferuar që të mos prishnin festën e Kurban Bajramit. Për momentin nuk është përcaktuar ende se kur do të zhvillohet mbledhja e bordit. Burime brenda klubit bënë të ditur se gjithçka është shtyrë për të hënën. Kjo do të thotë se Lekbello e ka edhe një shans për të ndryshuar situatën. Përpara e pret një detyrë e vështirë, pasi i kërkohet fitorja përballë kampionit në fuqi dhe këtë duhet ta realizojë me një ekip të demoralizuar nga humbja në Kukës.
Zhvillimet
Kriza – Sikur të mos mjaftonin polemikat Duro-Lekbello dhe barazimi 0-0 me Kastriotin, humbja zhgënjyese me Kukësin ka futur 24-herë kampionët e vendit në krizë
Paralajmërimi – Tagani: “4-0? Humbje e turpshme, nuk mund të përtypet. Jemi thuajse të eliminuar. Të gjithë jemi përgjegjës, nga unë te lojtarët e deri te trajneri”
Skënderbeu – Skënderbeu është mundësia e fundit e Lekbellos për të ndryshuar situatën. Në rast të një fitoreje, skuadra do të rigjente besimin dhe trajneri nuk do të prekej
Portieri
Lika nuk e beson: Na mungoi agresiviteti dhe shpirti i garës
Portierit Ilion Lika i është dashur ta heqë katër herë radhazi topin nga rrjeta në 90 minutat e fundit në Kupë ndaj Kukësit, që e mundi 4-0 Tiranën. Edhe ai vetë nuk arrin ta besojë se si ndodhi kjo katastrofë. Tashmë Tirana e sheh veten thuajse të eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, por gardiani nuk dëshiron të dorëzohet. “Shpresa vdes gjithmonë e fundit, deklaron portieri. Unë shpresoj të japim maksimumin që ndeshjen e kthimit ta përmbysim atë rezultat”. Tashmë të gjithë pyesin se cilat janë arsyet e kësaj humbjeje të turpshme dhe menjëherë e bëjnë lidhjen me problemet e fundit në skuadër. Por Lika mohon: Nuk kemi probleme në ekip. Problemi është se kemi një ekip që nuk ka shumë kualitete. Kemi marrë rezultate të mira në ato momente kur kemi treguar agresivitet dhe shpirt gare. Por tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Skënderbeun, e cila do të jetë si një trampolinë në rast se do të fitojmë. Atëherë do të mund të themi se e kemi hedhur pas gjithçka të shëmtuar të ditëve të fundit”, përfundoi portieri bardheblu.