Sekretari për sipërmarrjen në Partinë Socialiste, Arben Ahmetaj, jo pa ironi i ka kërkuar kreut të PD-së të bëjë një kopjim më të plotë të Programit për një Rilindje Shqiptare. Sipas deputetit socialist qeveria e Sali Berishës kishte 7 vjet kohë për të unifikuar administratën tatimore, dhe thotë se do e bëjë këtë vetëm pasi PS-ja, e bëri publik si hap të programit të saj qeverisës.


“Ne shprehim kënaqësi për kopjimin e radhës së Programit tonë Për një Rilindje Shqiptare nga ana e Sali Berishës. Kishte 7 vjet kohë për ta unifikuar administratën tatimore. Mesa duket po e bën tani që e lexoi programin tonë. Program, që heq nga qafa e biznesit një pjesë të xhandarëve tatimorë. Mirë bën që kopjon! Por ne i rekomandojmë të kopjojë pjesën kryesore që lidhet me krizën e sotme ekonomike të familjeve të vetëpunësuara në biznesin e vogël”, ka deklaruar Ahmetaj gjatë një daljeje publike nga selia rozë.


Ahmetaj ka kërkuar edhe njëherë në emër të Partisë Socialiste të hiqet menjëherë taksa e biznesit të vogël, sepse po thellon krizën ekonomike të shqiptarëve. “Të heqë urgjent taksën e biznesit të vogël! Sepse 166 mijë shqiptarëve po u merret fryma nga kjo taksë mbytëse. Me këtë masë jetike u kthen këtyre njerëzve punëtorë të mbërthyer nga kriza 30 milionë dollarë”, ka thënë Ahmetaj.


27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)