Përplasja 


Qindra përfaqësues të Aleancës do të pengojnë festimet e neonazistëve në manastirin ku ndodhen varret e ushtarëve grekë


Pasha – Sekretari i përgjithshëm i AK-së, Myslym Pasha, deklaroi se festa e çlirimit të Greqisë nuk mund të kremtohet në territorin shqiptar


Fatjona Mejdini


Agimi i ArtePërfaqësuesit e Aleancës Kuqezi u nisën pasditen e djeshme drejt Jugut të vendit, për të ndaluar sot festimet e parashikuara në Këlcyrë nga ana e përfaqësuesve të Partisë radiale greke “Agimi i Artë”. Me qindra aktivistë të kësaj partie kanë parashikuar të ndalojnë paraditen e sotme kalimin e përfaqësisë greke drejt manastirit të Këlcyrës, ku ata kanë vendosur për të kryer festime për çlirimin e Greqisë. Burime nga ana e AK-së bënë të ditur për “Shqip”, se përfaqësia greke e neonazistëve grekë nuk do të lejohet të kalojë urën e Leklit, për të festuar pranë varreve të ushtarëve grekë që ndodhen në manastirin e Këlcyrës. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, sekretari i përgjithshëm i AK-së, Myslym Pasha, theksoi se ata nuk kanë ndërmend të krijojnë tension, por thjesht duan t’i tregojnë kësaj përfaqësie ekstremiste, se çlirimi i Greqisë nuk mund të festohet në Shqipëri, por në vendin e tyre. Më herët, përmes një deklarate për shtyp, AK-ja e denoncoi ardhjen e një përfaqësie të tillë në Shqipëri, duke fajësuar qeverinë shqiptare, e cila lejon që ekstremistë të tillë të mos kenë asnjë pengesë në axhendën e tyre nacionaliste. Sipas përfaqësuesit të AK-së, diplomacia shqiptare duhet të reagojë përpara një skandali të tillë. “Nesër neonazistët festojnë në Këlcyrë çlirimin e Greqisë. Aleanca Kuqezi e konsideron këtë veprimtari jo më një incident të pashembullt, por një skandal diplomatik, i cili kërkon një reagim zyrtar nga diplomacia e shtetit shqiptar, që me shumë gjasa nuk do të ndodhë. Ditën e shtunë pritet të mbërrijnë në qytetin e Përmetit përfaqësues të organizatave, që synojnë destabilizimin e Jugut të Shqipërisë nën emrin e lëvizjeve për çlirimin e të ashtuquajturit Vorioepir. Këto organizata do të tubohen në grykën e Këlcyrës, te manastiri i famshëm që vendosen eshtrat e ushtarëve grekë, të cilat i nxori prifti i Kosinës”, theksohet në deklaratën e AK-së. Përfaqësuesit e kësaj partie theksojnë se nëse qeveria shqiptare nuk do ta ndalojë këtë tubim, atëherë do të jenë vetë përfaqësuesit e AK-së, të cilët do ta bëjnë këtë. Burimet bëjnë të ditur se përfaqësia e “Agimit të Artë” ka mbërritur dy ditë më parë në Shqipëri, dhe dje kanë zhvilluar takime të shumta në Sarandë e Gjirokastër. Përfaqësuesit e kësaj partie greke, e cila është vendosur rishtas në Parlamentin helen, njihet për tonet e ashpra dhe raciste ndaj emigrantëve në Greqi dhe kryesisht atyre shqiptarë. Nga ana e tyre, janë shënuar me dhjetëra akte dhune ndaj qytetarëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Po kështu, përfaqësuesit e “Agimit të Artë” i kanë kërkuar qeverisë greke që të ngrejë zyrtarisht çështjen e “Vorioepirit” dhe të ashpërsojë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe vendet e tjera fqinje.


 


Historia


Lufta italo-greke, dy varreza për ushtarët helenë në Shqipëri


Qeveria shqiptare dhe ajo greke në nëntor të vitit 2008 firmosën një marrëveshje, e cila i hapte rrugë ndërtimit të dy varrezave për ushtarët grekë në trojet shqiptare. Këto dy varreza janë ndërtuar në fshatin Bularat të Gjirokastrës dhe në grykën e Këlcyrës në Përmet. Nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë erdhi në një kohë kur Greqia ishte vendi i fundit që nuk e kishte firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë dhe Bashkimin Europian dhe nga shumë personalitete kjo u pa si një koncesion që vendi ynë i bënte Greqisë në shkëmbim të hapjes së rrugës për integrim. Sipas palës greke, gjatë bisedimeve për ndërtimin e varrezave, në luftën italo-greke në vitet 1940-1941, në tokën shqiptare kanë rënë 12 mijë trupa greke.