Ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi ka bllokuar hyrjen e grupeve neonaziste greke si dhe disa deputetëve të Agimit të Artë, të cilët do të udhëtonin drejt Këlcyrës për të festuar sipas tyre çlirimin e Greqisë. Dhjetëra kuqezinj kanë dal me flamuj dhe banderola në rrugën nacionale pranë urës së Dragotit, nga ku grekërit do të kalonin më pas në manastirin e Këlcyrës.


“Aleanca KuqeZi dënon ashpër dhe fort mos reagimin e diplomacisë së gjunjëzuar të qeverisë shqiptare, e cila vijon të përbuzë dhe cënojë integritetin dhe moralin e kombit shqiptar me një politikë anti-kombëtare dhe në mbështetje të qarqeve anti-shqiptare serbo-greke”, kanë thënë organizatorët e protestës.


Sipas tyre, kjo protestë ishte një mesazh i qartë se nuk do të pranohen për asnjë çmim dhe asnjë kusht sjellje të tilla nga grupet neonaziste greke si dhe Agimi i Artë, të cilat kanë për qëllim vetëm destabilizimin e jugut të Shqipërisë.


“Aleanca KuqeZi zotohet se do të zbatojë me shtetin grek parimin e reciprocitetit ku për çdo qytetar shqiptar që trajtohet në mënyrë jo normale në kufirin grek, e njëjta gjë do të zbatohet me çdo qytetar të Greqisë që do të kalojë drejtë Shqipërisë. Për çdo shqiptar që do të kthehet mbrapsht, sepse është çam, një shtetas grek do të ndalohet të kalojë drejtë vendit tonë.


Identiteti, integriteti moral dhe territorial i shqiptarËve nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë një mekanizëm që përdoret nga qeveritarët anti-shqiptarë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha për interesa personale politike. Aleanca KuqeZi kërkon me ngulm që Ministria e Jashtme e Shqipërisë të reagojë kundër vizitës tendencioze me qëllime anti-shqiptare dhe të thërrasë për shpjegim funksionarët e ambasadës Greke në Shqipëri, të cilët janë parë në mbështetje të aktiviteteve të neonazistëve dhe Agimit të Artë”, thuhet në një njoftim të AK-së pas organizimit të protestës.


27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)