Nga qyteti i Beratit, kryeministri i vendit Sali Berisha ka premtuar dhe një herë mbështetjen e qeverisë ndaj investitorëve të huaj dhe vendas, në mënyrë që çdo kapital dhe investim i hedhur prej tyre të kthehet në histori suksesi.


“Unë i garantoj përfaqësuesit e këtyre kompanive se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit, për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet. Por kjo politikë ka pasur rezultate shumë të rëndësishme. Në kohën e krizës më të thellë që Evropa ka njohur në 80 vitet e fundit, krizë të cilën tani po thërrasin kriza e recensionit të madhe, ekonomia  e vogël shqiptare nuk ranë asnjë moment në recension. Ekonomia e vogël shqiptare dëshmoi një gjallëri dhe dinamizëm të cilat bënë që Shqipëri dhe në kushtet e kësaj krize të ketë rritje ekonomike, 4 herë më të madhe se rritja ekonomike mesatare e rajonit”, ka premtuar Berisha, pas inspektimit të punimeve për shpimin e pusit në Shpirag 2, të kompanisë Petromanas dhe Shell.


Teksa ka folur për rritjen ekonomike që ka pësuar Shqipëria, numri një i qeverisë nuk ka harruar të ironizojë kryesocialistin Edi Rama dhe premtimet e PS-së për taksën progresive.


“Ata të cilët premtojnë taksën progresive nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shëtisin Manifestin e Karl Marksit nëpër sipërmarrje, kodrat, fushat, malet e Shqipërisë, por ai ju jap fjalën nuk ka të ardhme. Ne do të bëjmë çdo gjë që investitorët do të kenë suksesin më të madh. Ata që mendojnë se do të pasurojnë të varfrit, duke shkatërruar të pasurit, ata shohin ëndrra në diell. Ajo është rruga me e sigurt e kalimit të tyre nga varfëria në mjerim. Më mirë se kushdo tjetër e kanë provuar këtë baballarët dhe gjyshërit tanë në regjimin që shkoi. Ne besojmë se paratë në kontot e biznesmenëve dhe të investitorëve kthehen shumë më shpejt, shumë më sigurt në vende pune, në rroga, në mirëqenie për qytetarët shqiptarë, se sa paratë në arkën e shtetit apo të qeverisë. Ndaj dhe ne i qëndrojmë politikës sonë. Kjo politikë ka bërë që Shqipëri të mos njohë krizën, kjo politikë ka bërë që vitet e ardhshme Shqipëria të qëndrojë sërish në krye të rajonit, në krye të Evropës, për rritje ekonomike”,-theksoi Berisha.


Shpirag 2 është pusi më i thellë i hapur ndonjëherë në vend, me thellësi totale të llogaritur prej 6100 metrash.Pusi, i cili përparon me një mesatare prej 40 metrash në ditë, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive Petromanas Energy Inc. dhe Shell dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin Juban 1.


27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)