Kryeministri Berisha plotëson kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, që taksa e biznesit të vogël, në masën 1.5 për qind, të mos mblidhte më nga njësitë vendore, por nga administrata tatimore, kurse kjo e fundit do të mbajë një fee prej 3 për qind. Propozimi i ministrit të Financave është zbardhur dje dhe pritet të miratohet shumë shpejt nga qeveria. Viti 2006 përbëri vitin reformues të kalimit të kësaj takse pranë pushtetit vendor. Me kalimin e viteve, u vu re se kapacitetet administrative të administratës vendore të taksave nuk ishin në nivelin e duhur për menaxhimin dhe mbledhjen e kësaj takse. Për këtë arsye, propozohet administrata tatimore qendrore si agjent i mbledhjes së taksave vendore bazuar në vështirësitë që kanë bashkitë dhe komunat në mbledhjen e taksave të tyre.
Në Bashkinë e Durrësit thonë se kjo është një ide e hedhur, që është në fazën e një projekti dhe se ende nuk është shtruar për diskutim, ndërsa pohojnë se ka probleme në mbledhjen e taksave nga biznesi i vogël. Nënkryetari i bashkisë, Adrian Çela, shprehet se mbledhja e taksave nga tatim-taksat dhe jo nga struktura përkatëse bashkiake kërkon një vlerësim paraprak, me anët pozitive dhe negative që një zhvendosje e këtij lloji mbart. Një qytet prej mbi 200 mijë banorësh ka një strukturë policore me 20 efektiva, po aq sa ç’kanë dhe bashki të tjera me një popullsi prej 60 mijë banorësh. Në Durrës, propozimin për të kaluar vjeljen e detyrimeve tatimore të biznesit të vogël nga pushteti vendor te tatimet e shohin ndërkohë dhe me dyshim, pasi mund të jetë dhe një veprim paraelektoral që synon të çelë vende të reja pune pranë degëve rajonale të tatimeve për t’iu përgjigjur këtij angazhimi të ri. Në fakt, numërohen me qindra punonjës tatimorë të bashkive, të cilëve mund t’u shkrihet vendi i punës dhe ndoshta po aq do të hapen në tatime. V.Q.