Dhjetëra qytetarë grek janë rimbledhur sërish në Boboshticë, aty ku dy vit më parë u zbulua skandali i dhunimit të varreve 200-vjeçare të fshatit për ndërtimin e një memorial në nder të dy ushtarëve grek. Megjithëse gjykata e Korçës ka shpallur fajtor tre persona me akuzën e dhunimit të varreve, homazhet në memorial janë shndërruar në rit për kremtimin e festës së Çlirimit të Greqisë.


Në ceremoninë e sotme përkujtimore kanë marrë pjesë kreu i Konsullatës greke në Korçë, Janis Pedhjosis, përfaqësues të shoqatës ‘Omonia’, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ish-kreu i “Omonia” së Korçës, Naum Disho, deputetë të partisë “Demokracia e re” në Greqi dhe qindra qytetare grekë. Ceremonia fetare ka nisur me mbajtjen e një meshe në gjuhën greke pikërisht në manastirin ‘Zgjimi i Shën Mërisë” në Boboshticë dhe më pas pjesëmarrësit kanë vendosur kurora me lule në memorial, kanë kënduar himnin grek si edhe kanë mbajtur një minutë heshtje në nder të dy ushtarëve grekë të rënë në lufte, duke shkelur sërish mbi varrezat shekullore të fshatit Boboshticë. Sipas banorëve gjatë ceremonisë së sotme, është dëmtuar një tjetër varr i vjetër.


Ndërkohë ish -kreu i “OMONIA”-s Naum Disho, i dënuar nga Gjykata e Apelit Korçë me një vit burg për dhunimin e varrezave në Boboshticë, ka qëndruar larg mediave. Emri i tij është hequr nga lista e personave në kërkim një ditë më parë, pas kërkesës së prokurorisë për mos ekzekutim të vendimit të Apelit të Korcës, deri në rigjykim të çështjes.


27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)