“Çdo vonesë e KQZ-së rrezikon standardet, Presidenti të shpallë datën”


BLEDAR HOTI


Eksperti i Partisë Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Bledar Çuçi, gjatë një interviste dhënë për gazetën “Shqip”, shprehet se palët kanë humbur më se dy muaj të vlefshme, për shkak të zgjedhjes së anëtarëve të rinj. Nga ana tjetër, Çuçi pohon se pavarësisht përmirësimeve të bëra në Kod, asnjë ligj, sado i përsosur të jetë, nuk mund të garantojë deri në fund një proces të ndershëm dhe efektiv zgjedhor. Çuçi shpjegon më tej dhe mekanizmat se si partia më e madhe e opozitës do të ndërmarrë për mbrojtjen e votës.


Siç jeni në dijeni, të enjten e kaluar bënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor. Vetëm dje u bë mbledhja e parë e KQZ-së. Kjo vonesë e politikës në konstituimin e KQZ-së, sa i cenon zgjedhjet e 2013-s?


Pa diskutim që koha është element shumë i rëndësishëm në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe KQZ-ja është institucioni kryesor përgjegjës për këtë. Madje ky ishte edhe shkaku kryesor (në mos i vetëm) që afati i fundit për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ishte korriku i këtij viti, pasi çdo shtyrje për më vonë do ta komprometonte zbatimin e tij. Për fat të keq, zgjedhja e KQZ-së së re mori dy muaj të çmuar nga koha, edhe ashtu e ngjeshur, për jetësimin e Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2013. Në përgjithësi, çdo institucion i ri (aq më tepër ato kolegjiale) i sapoformuar, kërkon kohën e vet për të arritur maturimin e nevojshëm për një funksionim normal. Efekti kohë bëhet më i ndjeshëm në rastin e rolit të KQZ-së për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2013, pasi, përveç angazhimeve normale që ka ndjekur deri më sot në përgatitjen e zgjedhjeve, KQZ-së i duhet të angazhohet edhe me dy çështje shumë të rëndësishme. E para ka të bëjë me miratimin e rregullores së funksionimit të KQZ-së, i cili është një nga aktet më të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni, pasi disiplinon procedurat e brendshme duke mbyllur hapësirat për abuzime të mundshme nga ana e kryetarit të KQZ-së. Pikërisht shumë veprime abuzive të kryetarit të KQZ-së në zgjedhjet e kaluara e kanë burimin te mungesa e kësaj rregulloreje. Me ndryshimet e bëra në Kod, miratimi i rregullores së brendshme të KQZ-së është detyrim ligjor i drejtpërdrejtë dhe duhet të bëhet brenda dy muajve nga mbledhja e parë e komisionit. Së dyti, KQZ-ja për herë të parë duhet të garantojë zbatimin e teknologjisë së informacionit në dy qarqe pilote për numërimin elektronik të votave dhe verifikimin e votuesve me pajisje elektronike. Sipas Kodit, puna për hartimin e këtij projekti duhet të kishte filluar diku nga mesi i shtatorit dhe duhet që kompania që do të bëjë zbatimin e këtyre projekteve, të përzgjidhet brenda janarit 2013 (përfshi këtu edhe fazat e prokurimit publik). Fatkeqësisht, asgjë nuk është bërë deri tani, koha është jashtëzakonisht e ngjeshur dhe çdo vonesë, qoftë edhe një ditë, rëndon në kahun negativ të peshores së standardit të zgjedhjeve të vitit 2013.


Kur duhet ta dekretojë Presidenti datën e zgjedhjeve? A jemi sërish në shkelje të afateve zgjedhore?


Presidentin nuk e ndalon askush që ta dekretojë datën e zgjedhjeve që nesër, por afati i fundit ligjor është rreth mesit të dhjetorit (lidhet me datën kur ka bërë mbledhjen e parë Kuvendi pas zgjedhjeve të vitit 2009). Meqenëse shumë procese që kanë të bëjnë me përgatitjen e zgjedhjeve, si për shembull hartimi i listave të zgjedhësve, lidhen me datën e dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, më duket e pajustifikuar pritja nga ana e tij e limitit të fundit ligjor, pasi çdo vonesë e pajustifikuar cenon drejtpërdrejt standardin e zgjedhjeve. Unë nuk dua kurrsesi të besoj që ky është qëllimi i tij.


A keni filluar që tani me përzgjedhjen e komisionerëve zgjedhorë, apo do të kemi sërish një vendim të ditëve të fundit nga ana juaj. Si do e trajnoni ju armatën e PS-së në komisione?


Pavarësisht se është ende shumë shpejt për të folur për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë, gjej rastin këtu për të sqaruar se me ndryshimet e Kodit Zgjedhor komisionerët tashmë emërohen rreth një muaj përpara zgjedhjeve, duke shmangur atë që ju e quani “vendim të ditëve të fundit” dhe që në shumë raste ka shkaktuar funksionim jonormal të komisioneve ditën e zgjedhjeve. Gjithsesi, duke qenë që ne kemi një model me përfaqësim politik në administrimin e zgjedhjeve në nivele të dyta dhe të treta, asgjë nuk i pengon partitë politike që të trajnojnë “ushtritë” e tyre të komisionerëve edhe para afatit të sipërpërmendur. Për sa i takon Partisë Socialiste, ju garantoj se përfaqësuesit e saj në komisione do të jenë si asnjëherë tjetër të trajnuar dhe të përgatitur për të njohur dhe shfrytëzuar çdo fjali të Kodit Zgjedhor në funksion të ruajtjes së votës dhe leximit real të vullnetit të votuesve shqiptarë.


Me ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, sa e garantuar është vota e shqiptarëve në vitin e ardhshëm? Kam parasysh këtu thirrjen publike të kreut të PS-së që tha se, “shqiptarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje”, pasi sipas tij, vetëm shumëfishimi i votës e ruan atë, votën. Në fakt kjo thirrje jep sinjal negativ, apo pesimist, që PS-ja nuk duket të jetë e aftë për ruajtjen dhe të jetë garant i votës së zgjedhësve të saj në ditën e votimit?


Kodi i ri Zgjedhor ofron garanci të përmirësuara për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. Disa nga ndryshimet kryesore që do të veçoja, janë si më poshtë. Së pari, sipas Kodit të ri, menjëherë sapo të dekretohet data e zgjedhjeve, opozita, pra, Partia Socialiste, do të caktojë një përfaqësues të vetin, i cili do të monitorojë çdo ditë regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, duke garantuar kështu që të mos ketë asnjë ndërhyrje të jashtëligjshme me qëllime elektorale. Kjo është një praktikë e re, sepse në zgjedhjet e kaluara opozita jo vetëm që nuk kishte një përfaqësues të tillë, por nuk ka pasur asnjë qasje në informacionin zyrtar për regjistrin kombëtar. Gjithashtu, në Kod është garantuar që opozita të marrë çdo muaj një version elektronik të listës së zgjedhësve në rang njësie vendore në një format lehtësisht të përpunueshëm. Kjo do të na mundësojë që të kemi kontroll të listës për dublimet e mundshme apo ndryshime të tjera që s’janë konform me ligjin. Së dyti, Kodi i ri parashikon përgjysmimin e kohës për numërimin e votave, një ndryshim drastik në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ku tensioni politik rritej maksimalisht gjatë procesit të tejzgjatur të numërimit. Me Kodin e ri, numëruesit do të hapin vetëm kutitë e votave dhe jo ato të materialeve zgjedhore. Së treti, aplikimi i teknologjisë së informacionit, i mandatuar nga Kodi i ri Zgjedhor, do të rrisë garancitë për verifikimin e shtetasve në Qarkun e Tiranës, një problem shumë i madh ky, sidomos në zonat informale (Kamzë, Paskuqan etj.), dhe për numërimin elektronik të votave në Qarkun e Fierit, ku pritet që rezultati përfundimtar të dalë më së largëti një ditë pas votimit. Së katërti, me disa ndryshime që u bënë në Kodin Penal, janë rritur ndjeshëm dënimet për ata që guxojnë të ndërhyjnë në procesin e votimeve dhe të fusin duart në kutitë e votave. Dënimet shkojnë deri në shtatë vjet dhe ato mund të ndëshkojnë që nga zyrtarët që merren me përgatitjen e listave të votuesve, komisionerët që shesin votat, e deri te numëruesit që deformojnë vullnetin e votuesve.


Gjithsesi, asnjë ligj, sado i përsosur të jetë, nuk mund të garantojë deri në fund një proces të ndershëm dhe efektiv zgjedhor. Prandaj, Partia Socialiste po punon intensivisht për të përsosur sistemin e saj të organizimit dhe kontrollit të votës që në hapat e parë të procesit, në mënyrë që të parandalojë dhe të minimizojë rrezikun e çdo tentative nga ana e qeverisë për të prekur votën e shqiptarëve. Partia Socialiste ka diagnostikuar me shumë kujdes të gjithë sistemin, ka evidentuar boshllëqet që ka shfrytëzuar deri më tani Berisha për të deformuar vullnetin e shqiptarëve, dhe po merr të gjitha masat për të frenuar përpjekje të tilla të mundshme që në burim.


Po emërimi i Arben Ristanit si zëvendësministër i Brendshëm, a është lajm i mirë apo i keq për Partinë Socialiste?


Ky s’përbën lajm. Ose, ndoshta, është lajm i keq vetëm sepse një person si Ristani, që ka luajtur rol kryesor në dhunimin e votës së shqiptarëve, thënë kjo jo nga unë, por nga raportet e organizmave ndërkombëtarë, shpërblehet me një post publik. Ndërkaq, për Partinë Socialiste dhe votuesit e saj, ai dhe të tjerë si ai s’përfaqësojnë asgjë dhe s’munden kurrsesi të ndalin vullnetin e popullit për ndryshim.


 


Deklarata


Monitorimi – Sapo të dekretohet data e zgjedhjeve, PS-ja do të caktojë një përfaqësues të vetin, i cili do të monitorojë çdo ditë regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, duke garantuar kështu që të mos ketë asnjë ndërhyrje të jashtëligjshme me qëllime elektorale


Ristani – Emërimi i tij si zv.ministër ndoshta është lajm i keq vetëm sepse një person si Ristani ka luajtur rol kryesor në dhunimin e votës së shqiptarëve


 


Mbledhja/Auron Tare merr mandatin e deputetit


Mblidhet KQZ, Denar Biba zgjidhet me konsensus si nënkryetar


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi mbledhjen e parë, duke zgjedhur me konsensus anëtarin Denar Biba si nënkryetar i këtij institucioni. Pavarësisht se në garë për këtë post ishte edhe anëtarja tjetër e propozuar nga PS-ja, Albana Shtylla, shtatë anëtarët votuan për anëtarin Biba. Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi, e cila mori zyrtarisht detyrën më 18 tetor, në fjalimin e shkurtër në fillim të mbledhjes ka garantuar partitë politike dhe ndërkombëtarët që zgjedhjet e ardhshme të menaxhuar nga kjo trupë do të certifikohen pozitivisht. “Komisioni, pavarësisht kaheve të ndryshme të përfaqësimit politik të anëtarëve të tij, në punën e tij do të orientohet vetëm në një kah, në drejtim të ligjit. Do të ketë vetëm një adresim, ligjin dhe vetëm një nënshkrim, sipas ligjit. Në detyrën time të re si kryetare e KQZ-së jam e vendosur të dëgjoj me vëmendje dhe konsideratë mendimin dhe optikën e secilit bashkëpunëtor të kësaj trupe të nderuar në frymën e një skuadre, në mënyrë që vendimmarrja e saj të kreditohet vetëm pozitivisht, si nga aktorët në vend ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë që orientojnë veprimtarinë e institucionit”, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi. Ajo theksoi se do të ndërtojmë një ekip për të punuar me profesionalizëm në përmbushjen e detyrës për të realizuar zgjedhje të mira, të lira dhe demokratike. “Kjo do ta ndihmojë këtë institucion të rritet, në mënyrë që performanca jonë e përbashkët të shkojë e të vlejë për forcimin e shtetit, konsolidimit të demokracisë”, theksoi Lleshi. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, u shpreh se “sfida kryesore e KQZ-së mbetet kthimi i besimit të qytetarëve te vota e lirë. Sikundër ju e dini që zgjedhjet e 2013-s janë kusht i rëndësishëm për integrimin në BE. Besoj se këto do të jenë edhe dy shtyllat kryesore të KQZ-së në përgatitjen dhe përfundimin e zgjedhjeve të 2013-s”. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, deklaroi: “Shpresoj dhe do të dëshiroj një pozicion aktiv të të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Me këtë kuptoj se nuk është vetëm mbledhja e parë ajo që u çon përpara punës. E them këtë me keqardhje, sepse kam vënë re që nuk funksionon kështu. Kontributi nuk është vetëm dita e mbledhjes, por kontributi është edhe para kësaj dite”. Shtatë anëtarët e KQZ-së më pas morën vendimin për dhënien e mandatit të deputetit të Auron Tares. Ai merr vendin e lënë vakant nga ana e deputetit të PS-së, Andis Harasani.