Intervista


“Nga gëzimi, në vaj, gjëma në mes të natës në shtëpinë e vëllait tim, kur kthehesha nga një darkë”


Edmond Hoxha Vëllai i Enverit, Flamur Myftaraj, ka qenë i pari që i ka parë flakët dhe tymin që dilnin nga banesa e viktimave. I ndodhur përballë tmerrit, ai ka kërkuar ndihmën e dy vëllezërve të tjerë dhe të tre së bashku kanë hyrë në banesën e shkrumbuar. Pak pas mesnatës së të enjtes, ata janë gjendur përballë trupit të shkrumbuar të vëllait të tyre, duke mos ditur asnjë shkak për atë që kishte ndodhur. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqip”, Flamur Myftaraj ka treguar tmerrin që ka parë me sytë e tij, teksa kthehej nga një gëzim familjar. Ju keni qenë i pari që keni mësuar për ngjarjen. Si e mësuat se shtëpia e vëllait tuaj po digjej? Kishte kaluar mesnata e të enjtes. Mund të ketë qenë ora 00:10 kur unë kam mbërritur para shtëpisë së vëllait tim. Isha në fshatin Vajkan të Fierit, në një gëzim familjar, dhe pasi kisha darkuar atje, po kthehesha. Kur mbërrita në krye të fshatit, ku ndodhet edhe shtëpia e vëllait tim, Enverit, pashë se prej andej po dilte tym. U afrova dhe pashë se kishte flakë edhe brenda shtëpisë. Mendova se kishte rënë flakë dhe u shokova. Mora në telefon dy vëllezërit e tjerë që të më vinin në ndihmë për të shuar flakët. Pasi erdhën edhe ata, i vogli shqeu derën dhe hymë brenda në banesë. Me shumë përpjekje jemi futur brenda derës, pasi tymi të bllokonte frymëmarrjen. Nën dritën e flakëve pamë vëllain të shtrirë pas dere. E ngritëm në krahë dhe e nxorëm jashtë dyqanit. Aty pamë se ai ishte i pajetë dhe ishte shkrumbuar nga flakët. Po kunatën, Azbien kur e gjetët? Më vonë nisëm të shuanim flakët dhe një prej vëllezërve njoftoi policinë dhe të afërm të tjerë. Zjarri vazhdonte të digjte orenditë e dyqanit dhe të banesës. Vetëm kur aty mbërritën të tjerë persona arritëm ta gjejmë Azbien pas banakut të dyqanit të mbuluar me batanije. Ajo ishte djegur nga këmbët, pasi i kishte të zbuluara. Më pas erdhën edhe forcat e policisë. A keni dyshime për autorët e ngjarjes? Jo. Nuk kemi ndonjë dyshim konkret. Vëllai im dhe kunata kanë qenë njerëz të mirë, në punë të tyre dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt që ne të dyshojmë te ndonjëri. Po lidhur me motivin, çfarë mendoni? Mendoj se autorët kanë shkuar për të vjedhur. Kjo, pasi kanë dashur të hapin edhe kasafortën që ndodhej në shtëpi. Nuk di ç’të them tjetër për motivin, pasi vëllai im dhe kunata nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Ata madje i ndihmonin të tjerët. Sipas policisë Azbien e kishin qëlluar me sende të mprehta, ndërsa Enverin e kishin qëlluar me armë gjahu. Ju në çfarë gjendjeje i gjetët? Ne i pamë të djegur nga flakët. Ishte errësirë. Mbaj mend që Azbia kishte dy shenja në fytyrë, ndërsa im vëlla ishte djegur, nuk mbaj mend më shumë. Çfarë ju mundon më shumë në këto momente? Humbja në mënyrë kaq tragjike e jetëve të vëllait dhe kunatës time. Humbja e jetëve të dy njerëzve të shkëlqyer që s’i kishin bërë keq njeriu kurrë. Tani kërkojmë gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e këtij krimi makabër që na ka goditur të gjithëve rëndë. Sipas banorëve të lagjes, vëllai dhe kunata juaj ishin nga të paktët njerëz që ndihmonin të varfrit? Se mos vetëm ata. Ata i ndihmonin të gjithë. Kushdo që kalonte aty, i ftonte për kafe dhe i qeraste. Si Enveri ashtu edhe e shoqja ishin mjaft të sjellshëm dhe bënin vetëm mirë. A dini nëse në kasafortën që ndodhej në shtëpinë e vëllait tuaj kishte ndonjë sasi të madhe parash?S’e kam idenë fare për një gjë të tillë, por ai ishte njeri i punës dhe nuk vuante nga ana ekonomike, pasi dhe fëmijët i kishte të rritur dhe të zotët e vetes.


Dëshmia – “I vogli shqeu derën dhe hymë brenda në banesë. Me shumë përpjekje jemi futur brenda derës, pasi tymi të bllokonte frymëmarrjen”


Enveri – “Nën dritën e flakëve pamë vëllain të shtrirë pas dere. E ngritëm në krahë dhe e nxorëm jashtë dyqanit. Aty pamë se ai ishte i pajetë dhe ishte shkrumbuar nga flakët”


Azbia – “Vetëm kur aty mbërritën të tjerë persona arritëm ta gjejmë Azbien pas banakut të dyqanit të mbuluar me batanije. Ajo ishte djegur nga këmbët, pasi i kishte të zbuluara”


Dyshimet – Mendoj se kanë shkuar për të vjedhur. Autorët kanë dashur të hapin edhe kasafortën që ndodhej në shtëpi. Nuk di ç’të them tjetër për motivin, pasi ata ishin njerëz të mirë