Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot Konventën Kombëtare Zgjedhore. Konventa po i zhvillon punimet në Pallatin “Asllan Rusi” dhe pritet që sot të zgjidhet Komiteti i ri Drejtues, si dhe do të miratohen ndryshimet në dy dokumente bazë të funksionimit të LSI-së, statutit dhe programit.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili pak ditë më parë morri mandatin e dytë në krye të partisë, duke përmendur kontributet që kjo parti jep në një qeverisje të qëndrueshme në vend, tha se njëkohësisht në vëmendje ka pika delikate që presin zgjidhje.
Meta njoftoi se LSI do të nisë një bashkëpunim të frytshëm me PDIU për të zgjidhur përfundimisht çështjen çame.
“Do të nisim bashkëpunim me PDIU-në për çështje çame. Vetëm zgjidhja e çështjes çame forcon marrëdhëniet me Greqinë”.
Kreu i LSI vuri në dukje se qeverisja me PD ka rezultuar një sukses dhe pse u nis nga rrethana që thyen përfundimisht tabu. “3 vjet më parë morëm vendim shumë të vështirë në zgjedhjet parlamentare, vendosëm të thyejmë një tabu në emër të integrimit të vendit, ç’tensionuam politikën dhe kontribuuam për çështje të mëdha të vendit dhe këtë do bëjmë dhe në të ardhmen.
Sot 3 vjet nga koalicioni i LSI me qeverisjen e djathtë, qytetarët lëvizin të lirë pa viza dhe shqiptarët i respektuan rregullat. Sot institucionet janë më të qëndrueshme, sot Shqipëria është më afër se asnjë tjetër për të marrë statusin e vendit kandidat. Në 3 vjet ne kontribuuam në qeverisje të qëndrueshme, në kushte e një krize të jashtëzakonshme ekonomike ku ndodheshin partnerët tanë”, ka theksuar Meta gjatë fjalës së tij. Meta ka përsëritur nevojën e bashkëpunimit të klasës politike për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE për marrjen e plotë të statusit kandidat.
“I bëj thirrje klasës politike të votojë me konsensus këto 3 akte që mezi priten nga të gjitha, të dalin mbi opsionet dhe interesat e ngushta partiake të ditës në emër të interesit të qytetarit. I ftojmë partitë e majta dhe të djathta që të ndahen nga konfliktet papërgjegjshmërisë politike. Sfida jonë është Europa”, deklaroi Meta, i cili revokojë sërish takimin Thaci-Daçiç në Bruksel, duke i bërë thirrje klasës politike shqiptare të shohë drejt kësaj rruge dhe jo të humbë kohë.
“I bëj apel klasës politike, më shumë se interesat personale është përgjegjësia atdhetare. Të mos humbim kohën e çmuar, të marrim shembull nga Hashim Thaci që duke u takuar me kryeministrit serb theu një tabu në emër të së ardhmes evropiane së Kosovës. Të ngrihemi në emër të së ardhmes evropiane, se historia nuk ç’bëhet dhe as tjetërsohet. Por mbi dhimbje e sakrificat e historisë të ecim para drejt së ardhmes”, u shpreh Meta.
27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)