Manual në shkolla, ndëshkim për abuzimet e mësuesve

Kodi i etikës

Dokumenti do t’u dorëzohet drejtuesve, arsimtarëve dhe prindërve

Shpresa Mezini

Brenda muajit nëntor, në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të shpërndahet kodi i etikës. Jo vetëm rregullore të vendosura rishtas në këndin e klasës, por një manual i mirëfilltë mbi etikën dhe sjelljen e mësuesve në klasa. Jovan Kristiqi, këshilltari i ministrit të Arsimit, sqaron për gazetën “Shqip” se ka përfunduar hartimi i kodit të etikës që do t’u dorëzohet drejtuesve të shkollave, mësuesve dhe prindërve.

“Është një dokument në lidhje me kodin e etikës dhe sjelljes së mësuesve. Njëkohësisht një nga rekomandimet që ka bërë projekti kundër korrupsionit në Shqipëri. Ai është hartuar nga specialistë të Ministrisë së Arsimit dhe nga ekspertë të huaj. Fusha e veprimit të tij do të jenë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, punonjësit e drejtorive arsimore dhe rajonale, zyrave arsimore, punonjësit e Ministrisë së Arsimit dhe agjencive vartëse të saj. Ai përmban dy probleme kryesore: përkushtimi i mësuesit ndaj nxënësit, duke përfshirë këtu mësimdhënien, sigurinë e nxënësit në shkollë dhe marrëdhëniet etike të mësuesit në shkollë”, tha Kristiqi. Këshilltari i ministrit të Arsimit bën me dije se në kodin e etikës përfshihen më së shumti parime të përgjithshme, ndërsa rastet konkrete të shkeljes së kodit të etikës i diskuton komisioni i etikës që do të ngrihet në shkolla. Sipas tij, komisioni do të përbëhet nga prindër dhe mësues.

“Materiali i shkruar ka përfunduar dhe shumë shpejt do t’u shpërndahet shkollave. Brenda muajit do të bëhet shpërndarja në shkolla. Ky është në zbatim të një neni të ligjit të arsimit parauniversitar, që u miratua në korrik nga Parlamenti shqiptar.

Kodi i etikës është menduar t’u jepet edhe prindërve, me qëllim që të ndihmojë në rregullimin e raporteve mes mësuesve dhe nxënësve, duke luftuar edhe rastet abuzive nga ana e arsimtarëve me nxënësit”, theksoi Kristiqi.

Sipas tij, në këtë rregullore, e cila do të jetë e përmbledhur, jo shumë e zgjeruar, janë përcaktuar edhe masat ndëshkimore që do të merren ndaj mësuesve që shkelin pikat e parashikuara në të.

Për këtë, Kristiqi tha se do të ngrihet komisioni i etikës në çdo shkollë, i cili do të denoncojë rastet e shkeljeve të shoqëruara me ndëshkimin përkatës. Sipas të dhënave, denoncimi do të shkojë në tryezën e drejtuesit të shkollës, i cili do të vendosë përfundimisht masat penalizuese për arsimtarët që shkelin rregullat e mirësjelljes apo që dhunojnë nxënësit qoftë psikologjikisht apo fizikisht.

Raporti

Sipas UNICEF-it, koncepti për nevojën e përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike si në shtëpi dhe në shkollë është brendësuar edhe nga vetë fëmijët. Një në çdo dy fëmijë në shtëpi dhe një në rreth tre fëmijë në shkollë pohojnë se pranojnë që mbi ta të ushtrohet dhunë në rastet kur ajo është e nevojshme. “Format e dhunës fizike kundër fëmijëve të përdorura në shtëpi dhe në shkollë të raportuara nga fëmijët janë përkatësisht si më poshtë: shkulja e veshëve (60.10%-38.5%), pickimi (55.70%-36.9%), goditja me shpullë në trup (52.60%-34.3%), goditja me shpullë në kokë (49.20%-35.6%), shkulja e flokëve (41%-29. 7%), tërheqja dhe shtytja me forcë (34.60%-39. 1%), goditja me objekt në trup (27%-38.2%), goditja me shqelm (26.80%-25.8%), goditja me objekt në vithe (26%-13.6%), goditja me grusht në trup (20.50%-19.6%), kafshimi (19.10%-12.8%), shtrëngimi për fyti (12.20%-9.6%), goditja me grusht në kokë (7.60%-10%)”, raporton UNICEF në raportin e publikuar rreth një vit më parë.

 

Dokumenti - Kod etike, manual për rregullimin e marrëdhënieve mes mësuesve dhe nxënësve për të eliminuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve

Afati - Brenda muajit nëntor, në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të shpërndahet kodi i etikës

Ndëshkimi - Komisioni i etikës denoncon rastet te drejtori. Ai merr masa për paralajmërim apo pushim nga puna për shkelësit

Autor te 27 Tetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry