Të qarat e tri vajzave dhe djalit të viktimave nuk kishin të sosur


Për të shkuar që prej Fierit në fshatin Belishovë duhet të udhëtosh në rrugën nacionale, që të çon për në qytetin e Ballshit. Në vendin e quajtur “Ofiçinë”, një rrugë dytësore në anën e majtë drejtohet për në kodrat e fshatit Belishovë. Pas rreth 10 kilometrash udhëtim që prej rrugës nacionale, mbërrin në shtëpinë e shkrumbuar të familjes Myftaraj. Aty pranë ndodhen forca të policisë dhe zjarrfikëseve, të cilat vazhdojnë të kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, aty qëndrojnë qindra bashkëfshatarë, të afërm e dashamirës të familjes Myftaraj, të cilët kanë ardhur për ngushëllimet e rastit. Për shkak se banesa e Enver dhe Azbie Myftarajt është shkrumbuar krejtësisht nga flakët, pritjet kryhen në shtëpinë e vëllait të tij, Flamurit. Të gjithë duken të pushtuar nga dhimbja e pikëllimi. Morti e kishte gjunjëzuar dje familjen Myftaraj. Masakrimi i 59-vjeçarit Enver Myftaraj dhe bashkëshortes së tij, Azbies, solli në vendlindje djalin dhe tri bijat e tyre, të cilët u përballën me vdekjen makabër të prindërve. Adriatiku, djali i vetëm i çiftit Myftaraj, i cili prej një viti ishte kthyer nga Greqia në Shqipëri dhe jetonte në Tiranë, ku kishte blerë shtëpi dhe një dyqan, kishte ardhur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Po ashtu, edhe një prej tri motrave të tij, e cila jeton me familjen në Cakran të rrethit të Fierit, kishte ardhur sapo ishte lajmëruar. Por më e dhimbshme ka qenë mbërritja e dy vajzave të tjera, njëra prej të cilave jeton me familjen e saj në Itali dhe tjetra në Greqi. E para ka mbërritur aty vajza që jetonte në Itali. E shoqëruar nga familjarë, ajo ka mbërritur rreth orës 13:30, në banesën e xhaxhait të saj, Flamurit. E tjetërsuar, me lot në sy e duke qarë për prindërit që nuk ishin më ajo ecte me hap të këputur drejt banesës së xhaxhait. Rreth 45 minuta më pas ka mbërritur edhe motra, vajza tjetër që jetonte në Greqi. Pasi fëmijët e të ndjerëve janë mbledhur së bashku, vaji i ka pushtuar të gjithë. Gjendja e rëndë ka përlotur gjithë të pranishmit, të cilët shprehnin keqardhjen e tyre dhe nderim për viktimat. Rreth orës 15:40 minuta fëmijët e Enverit dhe Azbies janë shoqëruar nga familjarët e tyre për në shtëpinë e shkrumbuar, ku makinat e funeralit kanë sjellë trupat e pajetë të prindërve. Në oborrin e shtëpisë së tyre ata kanë parë për herë të fundit trupat e prindërve të tyre të djegur nga flakët. Të qarat e vajzave dhe djalit të viktimave nuk kishin të sosur, ndërkohë që kortezhi i gjatë shoqëronte Enverin dhe Azbien për në banesën e fundit. Më shumë se 500 veta kishin mbërritur aty dje për t’u dhënë lamtumirën e fundit, bashkëshortëve të masakruar në banesën e tyre. Pasi janë kryer gjithë ritet e rastit, familjarët janë përshëndetur me gjithë të afërmit dhe bashkëfshatarët. Por dhimbja e madhe i ka shkundur trupat dhe mendjet e mpira të fëmijëve të Enverit dhe Azbies. Si djali ashtu edhe vajza, kanë humbur disa herë ndjenjat për shkak të dhimbjes së padurueshme. Po ashtu, edhe vëllai i Enverit, Flamuri ka humbur një herë ndjenjat ashtu si edhe nipërit e tij. E ndërsa zia ka veshur në të zeza familjen Myftaraj, ata pohojnë se duan të dinë psenë dhe autorët e ngjarjes. E. H.


S’di ç’të them tjetër për motivin, pasi vëllai im dhe kunata nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Ata madje i ndihmonin të tjerët.


 


Sipas policisë Azbien e kishin qëlluar me sende të mprehta, ndërsa Enverin e kishin qëlluar me armë gjahu. Ju në çfarë gjendjeje i gjetët?


Ne i pamë të djegur nga flakët. Ishte errësirë. Mbaj mend që Azbia kishte dy shenja në fytyrë, ndërsa im vëlla ishte djegur, nuk mbaj mend më shumë.


Çfarë ju mundon më shumë në këto momente?


Humbja në mënyrë kaq tragjike e jetëve të vëllait dhe kunatës time. Humbja e jetëve të dy njerëzve të shkëlqyer që s’i kishin bërë keq njeriu kurrë. Tani kërkojmë gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e këtij krimi makabër që na ka goditur të gjithëve rëndë.


Sipas banorëve të lagjes, vëllai dhe kunata juaj ishin nga të paktët njerëz që ndihmonin të varfrit?


Se mos vetëm ata. Ata i ndihmonin të gjithë. Kushdo që kalonte aty, i ftonte për kafe dhe i qeraste. Si Enveri ashtu edhe e shoqja ishin mjaft të sjellshëm dhe bënin vetëm mirë.


A dini nëse në kasafortën që ndodhej në shtëpinë e vëllait tuaj kishte ndonjë sasi të madhe parash?


S’e kam idenë fare për një gjë të tillë, por ai ishte njeri i punës dhe nuk vuante nga ana ekonomike, pasi dhe fëmijët i kishte të rritur dhe të zotët e vetes.


 


Dëshmia


“I vogli shqeu derën dhe hymë brenda në banesë. Me shumë përpjekje jemi futur brenda derës, pasi tymi të bllokonte frymëmarrjen”


 


 


Enveri


“Nën dritën e flakëve pamë vëllain të shtrirë pas dere. E ngritëm në krahë dhe e nxorëm jashtë dyqanit. Aty pamë se ai ishte i pajetë dhe ishte shkrumbuar nga flakët”


 


Azbia


“Vetëm kur aty mbërritën të tjerë persona arritëm ta gjejmë Azbien pas banakut të dyqanit të mbuluar me batanije. Ajo ishte djegur nga këmbët, pasi i kishte të zbuluara”


 


Dyshimet


Mendoj se kanë shkuar për të vjedhur. Autorët kanë dashur të hapin edhe kasafortën që ndodhej në shtëpi. Nuk di ç’të them tjetër për motivin, pasi ata ishin njerëz të mirë