Shoqërohen disa të dyshuar për masakrën, hetohet edhe për pista të tjera


Ka qenë një prej vëllezërve të Enverit, ai i cili ka pikasur i pari tymin që dilte nga shtëpia


EDMOND HOXHAJ


Terrori që po ushtron krimi mbi jetët e njerëzve dhe opinionin e gjerë publik vazhdon të shfaqet gjithmonë dhe më i frikshëm. Ende pa u shuar nga kujtesa e publikut të gjerë masakrimi i 18-vjeçares nga fshati Vllazërim i Komunës Xhafzotaj, Ajshe Vatës, e cila u gjet nga i ati pa kokën e saj mbi supe dhe ekzekutimin e 42-vjeçares Lime Dedej nga Durrësi, nga bashkëshorti në sy të fëmijëve, duke e goditur me çekiç në kokë, dje krimi ka marrë jetën e dy banorëve të fshatit Belishovë të Komunës Qendër në Mallakastër. Por, ndryshe nga motivet e dy ngjarjeve të mëparshme, këtë herë autorët e masakrës së çiftit Myftaraj, kanë tentuar t’u grabisin të hollat dhe sendet me vlerë që kishin në banesë. Pasi i kanë ekzekutuar, 56-vjeçaren Azbie Myftaraj dhe bashkëshortin e saj 59-vjeçar, Enverin, autorët nuk janë mjaftuar me kaq, por i kanë vënë zjarrin banesës, duke shkrumbuar edhe trupat e tyre. Ngjarja makabre ka terrorizuar banorët e zonës dhe mbarë opinionin publik.


Masakrohet çifti


Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 22:40 të së enjtes, kur në banesën e çiftit Myftaraj, e cila gjendet në anë të një rruge automobilistike të paasfaltuar, sipër shtëpive të tjera të fshatit Belishovë e Sipërme, ka qenë e vetme 56-vjeçareja Azbie Myftaraj. Kjo e fundit, pasi kishte mbyllur dyqanin me produkte ushqimore, që gjendej në një dhomë të improvizuar të banesës së tyre dhe lidhej me një derë të brendshme, por me hyrje të veçantë, mendohet të ketë qenë në kuzhinë, në pritje të kthimit të bashkëshortit nga puna. Enveri punonte si roje i puseve të naftës që ndodhen në fshatin Drenovë të rrethit Mallakastër, prej nga i duhej rreth një orë ecje në këmbë për t’u kthyer në shtëpi. Autorët e ngjarjes, që mendohet të kenë qenë më shumë se tre, pasi kanë kapërcyer murin rrethues kanë hyrë në banesën e 56-vjeçares Myftaraj dhe janë përleshur me të. Dyshohet se ata i kanë kërkuar të ndjerës që t’u japë kodin e hapjes së kasafortës ku mbanin të hollat, por kanë hasur në rezistencën e saj. Duke përfituar edhe nga distanca që banesa e Myftarajve kishte me shtëpitë e tjera të lagjes, autorët, pasi e kanë parë që ajo nuk është bindur, e kanë qëlluar të paktën dy herë me hanxhar në trup. Sipas konkluzioneve paraprake të ekspertizës mjekoligjore, e ndjera është goditur dy herë me send prerës që dyshohet të jetë hanxhar, herën e parë në qafë, në rrëzë të veshit të majtë dhe herën tjetër në shpatull. Këto goditje kanë qenë fatale për 56-vjeçaren, e cila ka ndërruar jetë pas përleshjes me grabitësit. Pasi e kanë vrarë, ata e kanë fshehur të ndjerën pas banakut të dyqanit të vogël ushqimor dhe e kanë mbuluar me batanije, me qëllim që të mos tërhiqte vëmendjen e të shoqit kur të mbërrinte në shtëpi. Ndërkohë, autorët e masakrës kanë nisur të vënë në zbatim planin e tyre për grabitjen e kasafortës që ndodhej në dhomën e gjumit të çiftit. Me një gur fresibël, ata kanë nisur të shkatërrojnë pjesët metalike të kasafortës, por nuk kanë arritur ta hapin atë. Ndërkohë, rreth orës 23:30, në shtëpi mendohet të ketë mbërritur 59-vjeçari Enver Myftaraj. Ai e ka kuptuar se diçka nuk shkonte dhe sapo ka hapur derën e shtëpisë është gjendur përballë grabitësve që e kanë sulmuar. Me fizik të fortë, ai është përleshur me ta, por duket se autorët i kanë marrë masat dhe kanë shtënë mbi të me armë gjahu, të cilën mendohet se e kanë gjetur në banesë. Madje, policia tha se ka sekuestruar armën e krimit, por edhe një çifte tjetër. Pasi është qëlluar me armë zjarri, 59-vjeçari ka dalë nga banesa duke lënë vazhda gjaku. Kur grabitësit janë siguruar se kishin vrarë edhe Enverin kanë dashur të fshehin gjurmët e krimit. Të frikësuar se e shtëna e armës së gjahut mund të ishte dëgjuar nga fqinjët e çiftit Myftaraj, grabitësit kanë dashur të zhdukin gjurmët e tyre nga vendngjarja dhe i kanë vënë zjarrin banesës, duke djegur të gjitha orenditë. Trupi i Azbies nuk është dëmtuar shumë nga djegia, pasi ka qenë e mbuluar me batanije. Dëmtime ka pasur vetëm te këmbët që kanë qenë të ekspozuara për flakët. Ndërsa trupi i 59-vjeçarit Enver Myftaraj është djegur thuajse i gjithi, pasi autorët e kanë lënë pranë derës së dyqanit.



Gjurmë balte


Ka qenë një prej vëllezërve të Enverit, Flamuri, ai i cili ka pikasur i pari tymin që dilte nga shtëpia e të ndjerëve. Ka qenë ora 00:10 minuta e të premtes kur ai po kthehej nga një darkë familjare për në shtëpinë e tij dhe ka parë se nga banesa e Enverit po dilte tym nga të gjitha anët. Ai ka telefonuar dy vëllezërit e tjerë dhe të tre së bashku kanë hyrë në oborr e më pas në dyqan. Sapo kanë hapur derën kanë gjetur të shkrumbuar vëllain dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë dhe zjarrfikësit. Kur në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, është bërë e mundur të gjendet edhe trupi i Azbies, që ndodhej pas banakut të dyqanit. Ndërkaq, mësohet se kur aty kanë mbërritur forcat e zjarrfikëseve, rreth orës 04:30 të ditës së djeshme, gjithçka ka qenë e shkrumbuar nga flakët. Policia ka marrë fillimisht deklarimet e familjarëve lidhur me rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu mësohet të jenë pyetur edhe fqinjët e viktimave, të cilët kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar britma apo të shtënën e armës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur disa gjurmë këpucësh sportive që i kanë lënë autorët mbi murin rrethues, si në rastin kur janë futur brenda, ashtu edhe kur kanë dalë prej banesës. Autorët kanë lënë gjurmë balte me këpucët e tyre.


Personat e dyshuar


Burime zyrtare të policisë së Fierit pohuan se janë shoqëruar më shumë se 15 persona të dyshuar për autorësinë apo dijeni mbi ngjarjen, të cilët janë banorë të zonës e fshatrave përreth. Mësohet se mosha e të shoqëruarve si të dyshuar varion nga 17 deri në 25 vjeç. Sipas policisë, pista kryesore në të cilën po hetohet është ajo e një grabitjeje të mundshme, por po hetohet edhe në pista të tjera, duke verifikuar për ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës. Ende mbetet enigmë shuma e parave që ndodhej në kasafortë, pasi ajo nuk është hapur ende nga policia për shkak se pritet që një gjë e tillë të kryhet në prani të familjarëve të viktimave.


 


Gruaja – Nëm momentin e vrasjes, gruaja mendohet të ketë qenë në kuzhinë, duke pritur të shoqin, i cili punonte si roje i puseve të naftës


Kundërshtimi – Grabitësit dyshohet se i kanë kërkuar të ndjerës kodin e kasafortës, ku mbanin të hollat, por kanë hasur në rezistencën e saj


Burri – Kur është kthyer nga puna, Enveri është përballur me grabitësit, me të cilët është përleshur, por ata e kanë qëlluar me çifte


Zjarrvënia – Pas vrasjes së dy bashkëshortëve, autorët i kanë vënë zjarrin atyre dhe banesës, me qëllim për të zhdukur gjurmët në vendngjarje