Shkarkimi


BLEDAR HOTI


Vendimi i prerë i Kryeministrit Berisha dhe partisë në pushtet për të larguar brenda nëntorit kryeprokuroren Ina Rama vë në lëvizje ndërkombëtarët. Pas qëndrimit të prerë të mazhorancës për shkarkimin e Ina Ramës, Ettore Sequi u takua dje me Prokuroren e Përgjithshme në zyrën e saj. Mësohet se përplasjet për këtë mandat ka qenë tema e bisedimeve mes Ramës dhe Sequi-t. Ndërsa nuk ka një njoftim zyrtar për natyrën e bisedimeve. Në të njëjtën kohë, një tjetër diplomat i rëndësishëm, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth, ndodhej në Presidencë për t’u takuar me kreun e shtetit, Bujar Nishani. Presidenca shprehet se natyra e takimit ishte vetëm për çështjen e zgjedhjeve, porse qenia në të njëjtën orë e Sequi-t në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e Wollfarth te Nishani mund të lidhen pikërisht me tentativën e mazhorancës për shkarkimin e kryeprokurores Ina Rama. Disa javë më parë, në zyrën e kryeprokurores Rama ishte edhe ambasadori i OSBE-së, Wollfarth. Ambasadori i OSBE-së, duke u përfshirë në debatin për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, deklaroi pak kohë më parë se momenti më i përshtatshëm për zgjedhjen e pasardhësit të Ina Ramës është maji i vitit 2013.


Nishani, gati dekretin e shkarkimit


“Top Channel” publikoi lajmin dje, se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë vendimin e tij që ta shkarkojë më 22 nëntor kryeprokuroren Ina Rama. Ai ndan bindjen se mandati i kryeprokurores nuk mbaron në maj të 2013-s, por në nëntor të këtij viti. Kreu i shtetit pati deklaruar javë më parë se do ta ketë në tryezë dosjen “Ina Rama” dhe se do konsultohej me stafin e këshilltarëve juridikë për kohën e shkarkimit. Presidenti Nishani duket se po gjendet përballë presionit të Kryeministrit Sali Berisha dhe të partisë që ai e zgjodhi për të shkarkuar Ina Ramën. E kjo, pavarësisht se ndërkombëtarët po shprehen qartazi dhe prerë se dekreti për emërimin e kryeprokurorit të ri duhet të dalë në maj të 2013-s, pra të votohet në Kuvend nga mazhoranca e re që do të dalë në zgjedhjet e përgjithshme. Gazeta “Shqip” disa ditë më parë paralajmëronte se mes tre krerëve të shtetit, Nishani, Berisha dhe Topalli, ka pasur disa takime të përbashkëta e kjo me qëllimin e gjetjes së emrit që do të zëvendësojë Ina Ramën në postin e kryeprokurorit.


Pushtimi i Presidencës


Partia Demokratike po ngutet të zëvendësojë të gjitha institucionet kushtetuese dhe ato të drejtësisë. Pushtimi blu i presidencës, me zgjedhjen e Nishanit vetëm nga votat e mazhorancës, po sjell furtunë në këto institucione. Kjo lëvizje mund të lidhet me faktin e afrimit të zgjedhjeve, por edhe me dëshirën permanente të liderit të PD-së për të përqendruar në një dorë të vetme të gjitha pushtetet. Sinjali i parë u dha kur kreu i shtetit, vetëm pas dy javë marrjesh së këtij posti, firmosi dekretin për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Më pas, lëvizja e radhës ishte caktimi i nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa. Firma e kreut të shtetit u hodh dhe në piramidën e lartë të Forcave Ushtarake, ku për herë të parë një gjeneral këmbësorie do të drejtojë Flotiljen shqiptare.


 


Dekretet 


SHISH – Dekreti i parë i Presidentit ishte largimi i kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri. Ai emëroi Visho Ajazi Likën, ish-funksionar i SHIK-ut


KLD-ja – PD-ja menjëherë pas largimit të Bamir Topit si President, mori vendimin për caktimin e numrit dy të KLD-së me ndihmën e Nishanit


Kryeprokurori – I vetmi institucioni i paprekur nga “epoka Nishani” është Prokuroria e Përgjithshme. Presidenti tashmë ka gati shkarkimin