Paketa fiskale


Nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme. Rishikohen tarifat doganore, gjobat dhe procedurat


Përveç pagës së 13-të që jepet në fund të vitit, qeveria nuk do t’i njohë si shpenzime bonuset


ARD KOLA


Punonjësit e kompanive private nuk do të kenë më privilegje për shkak të bonuseve dhe shpërblimeve që marrin në fund të vitit për rezultate të mira në punë. Pavarësisht performancës pozitive gjatë vitit, punonjësit dhe shefat, nuk do të kenë mundësi të përfitojnë shtesa dy-tri rroga, por do të mjaftohen vetëm me pagën e 13-të, në fund të vitit.


Ky vendim nuk vjen nga ndryshimi i Kodit të Punës apo nga mbledhja e ndonjë shoqate me drejtues të lartë të kompanive private, por nga vetë qeveria, duke u nisur nga propozimi i ministrit të Financave, për të mos i njohur si shpenzime të zbritshme bonuset dhe shpërblimet. Shpërblimet janë hequr me kohë nga qeveria për punonjësit në shtet, dhe me sa duket do të ndiqet edhe te sektori privat, i detyruar nga rishikimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.


Ky është vetëm njëri ndryshim i propozuar në paketën e re fiskale 2013, prezantuar dje nga zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, në prani të anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit (organ pranë METE-s). Paketa propozon disa masa, duke nisur nga rishikimi i tarifave doganore të kafesë, drurit, heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet, 5-fishimi i gjobave për mosdeklarim të punonjësve, vendosje rregullash të reja për regjistrimin e biznesit etj.


Hiqen bonuset


Ministria e Financave ka propozuar së fundmi ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, konkretisht nenin 21 “shpenzime të panjohura”, duke vendosur në listë edhe shpenzimet për bonuset që jepen në kompanitë private. Natyrshëm që kjo formë e re do t’i kushtëzojë drejtuesit e kompanive të jenë të kujdesshëm në politikën e shpërblimeve, pasi rrit kostot dhe nuk ndikon në rritjen e shpenzimeve për efekt tatimi.


Më konkretisht, në nenin 5 të projektligjit, propozohet që  shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveçse pagës së trembëdhjetë të dhënë në bazë të Kodit të Punës, të njiheshin si shpenzime të panjohura. “Nga kontrollet e ndryshme të ushtruara nga administrata tatimore në disa operatorë të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe në pasqyrat financiare të tyre, evidentohen shuma të konsiderueshme të bonuseve apo shpërblimeve që u jepen të punësuarve, sidomos administratorëve të punësuar në këto kompani”, deklaron zv.ministri Alfred Rushaj. Bazuar në ligjin aktual, të tilla shpenzime njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, por për shkak të shumave të larta, ato ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Ky fenomen shqetëson Ministrinë e Financave, pasi mbledh më pak taksa dhe për rrjedhojë propozon masën e re. Kështu, në fund të nenit 21 “Shpenzime të panjohura”, ndryshon paragrafi i shkronjës o), ku thuhet se: shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveçse pagës së trembëdhjetë të dhënë në bazë të Kodit të Punës.


Kafeja dhe druri


Shqiptarët nuk e pjekin më kafenë, si dikur, por e blejnë të gatshme, pra të përpunuar. Me këtë konstatim, Ministria e Financave vjen me një tjetër propozim, atë të heqjes së tarifës doganore për kafenë e papjekur, shkalla tatimore e të cilës është 10%. Ajo çfarë propozohet është që tarifa të bëhet zero për qind dhe shteti mund të humbasë nga heqja e kësaj takse rreth 180 milionë lekë. Pavarësisht këtij efekti, qeveria synon të lehtësojë industrinë vendase përpunuese të kafesë. Sipas ligjit aktual “Për akcizat”, produkti kafe e papjekur është produkt akcize me nivelin 30 lekë/kg, ndërsa kafja produkt i gatshëm, kafe e pjekur, ka nivelin e akcizës 140 lekë/kg. Me ligjin e ri të akcizës dhe dispozitat zbatuese të këtij ligji, rezulton se humbjet e përpunimit të kafes së papjekur janë 19%. Para dy vitesh akciza e kafes së papjekur u ul nga 70 lekë/kg në 30 lekë/kg, ndërsa vendet fqinje nuk e aplikojnë si taksë.


Tjetër ndryshim prek ligjin “Për sistemin e taksave kombëtare”, duke propozuar vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve drusore. Vitet e fundit është rritur eksporti i lëndëve drusore nga Shqipëria dhe nga të dhënat e doganës, kemi 2.5 herë më shumë eksporte në vitin 2011, në raport me 2008-n. Kjo rritje po shqetëson autoritetet për shkak humbjes së pasurisë sonë kombëtare siç janë lëndët drusore. Pavarësisht nga masat e marra nga ministria përgjegjëse për administrimin e pyjeve, ky fenomen duhet të kufizohet dhe dekurajohet në anë të një politike fiskale. “Për këtë arsye, propozohet që për të mbrojtur mjedisin dhe pasurinë, njëkohësisht për të mbrojtur industrinë vendase përpunuese dhe konkurrencën me vendet e rajonit, të taksohet në eksport lënda e parë dhe gjysmë e gatshme e produkteve drusore në masën 30% të çmimit të shitjes”, thotë Rushaj. Taksa do të mblidhet nga dogana.


Çregjistrimi i biznesit


Ndryshim tjetër i rëndësishëm prek ligjin “Për procedurat tatimore”, më konkretisht pjesën e çregjistrimit të biznesit në QKR. Në nenin 3 të projektligjit propozohet që paragrafi i parë i pikës 3 të nenit 45 ndryshohet me këtë përmbajtje:


“Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit apo për kërkesën për çregjistrim të personit fizik, apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit”. Ky propozim ka të bëjë me procedurën e çregjistrimit të subjekteve në QKR, si dhe detyrimin ligjor të QKR-së për të njoftuar organin tatimor për aplikimin për çregjistrim.


Tjetër ndryshim prek pikën 1 të nenit 9, ku togfjalëshi “pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit” ndryshohet në “pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore”. Kështu, përfaqësuesi tatimor regjistrohet në QKR, kur kjo i kërkohet nga legjislacioni në fuqi. Konkretisht në legjislacionin tatimor, detyrimi për emërimin dhe caktimin e një përfaqësuesi tatimor, është parashikuar në ligjin “Për TVSH-në”, i ndryshuar dhe përfaqësuesi tatimor emërohet për përmbushjen e detyrimeve tatimore për TVSH-në në Shqipëri. Pra, për sa përfaqësuesi tatimor merr përsipër dhe ka vetëm përgjegjësi tatimore për TVSH-në, atëherë regjistrimi i tij në QKR përveçse nuk është i nevojshëm, nuk është as i parashikuar sipas nenit 28 të ligjit “Për QKR-në”.


 


Ndryshimet e tjera


Gjobat – Kush nuk deklaron punonjësit e pasiguruar në administratën tatimore, do të gjobitet me 500 mijë lekë, gati sa 5-fishi i nivelit aktual


Hotelet – Sipas ndryshimeve të fundit, hotelet duhet t’i afishojnë çmimet një herë në 6 muaj, në mënyrë që njësitë vendose të llogarisin taksën e fjetjes


TVSH – Nuk është investimi mbi 50 milionë lekë që bën të mundur heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve, por ka edhe kushte të tjera


Artistët – Kategorisë së artistëve, sportistëve dhe shkencëtarëve nuk do t’u mbahet më tatim 10 për qind për shpërblimet që marrin për rezultate të mira