Italia


Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, deklaroi se ai ndihet i “detyruar” të qëndrojë në politikë, një ditë pasi gjykata e dënoi me burg për evazion fiskal. Ai tha se dëshironte të “reformonte sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ajo që i ndodhi atij të mos u ndodhë qytetarëve të tjerë”.


Të premten, Berlusconi dhe të tjerët u dënuan për evazion fiskal përmes rritjes së çmimit të blerjes së disa filmave amerikanë, të cilat u blenë nga rrjeti televiziv “Mediaset” përmes një kompanie fantazmë. Ai pritet të apelojë ndaj vendimit.


Manjati është ndaluar gjithashtu të mbajë post zyrtar apo të drejtojë kompani private për pesë vjet. Ai pati deklaruar vetëm pak ditë më parë tërheqjen nga zgjedhjet, pasi kishte deklaruar më herët “rikthim në politikë për hir të Italisë.”


Berlusconi është vënë shumë herë nën akuzë dhe ka arritur të shpëtojë. Ai pretendon se gjykatësit në Milano janë të kontrolluar nga kundërshtarët e tij politikë dhe se kanë bërë vazhdimisht komplot kundër tij. Në vitin 1997, ai u dënua për falsifikim bilancesh, por ky dënim u rrëzua më pas në apel.