Mbi 800 ndërtesa dhe varka shtëpi u dogjën gjatë përplasjeve ndëretnike larg syve të botës


Një grup për mbrojtjen e të drejtave të njeriut publikoi imazhe satelitore mbi atë që duket si shkatërrimi masiv i një lagjeje të tërë bregdetare në Burma, zonë e përfshirë prej kohësh nga një konflikt ndëretnik. Grupimi për të Drejtat e Njeriut, HRW, thotë se pamjet paraqesin më shumë se 800 ndërtesa dhe shtëpi varka të djegura. Ajo shton se viktimat qenë më së shumti myslimanë të vënë nën shënjestër nga jomyslimanët.


Zyrtarët e këtij shteti të izoluar thonë se 64 vetë kanë vdekur nga përplasjet, por HRW beson se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë. Organizata i bëri thirrje shtetit të Burmës të ofrojë urgjentisht siguri në rajonin e trazuar, të njohur në disa raste me emrin Rakhine, dhe në disa raste të tjera me emrin Arakan.


“Për sa kohë autoritetet nuk zgjidhin problemin në rrënjë, dhuna ka gjasa të përkeqësohet”, thotë organizata. Grupimi me bazë në SHBA krahasoi imazhet satelitore të zonës të marra në 9 dhe 25 tetor. Në pamjen e parë, qindra shtëpi shihen përgjatë gadishullit, si dhe qindra varka janë në det, por që shërbejnë edhe si shtëpi. Në fotografinë e bërë të enjten, vetëm pak varka kanë mbetur, ndërsa shumë hektarë tokë janë pastruar nga shtëpitë. Nuk ka të dhëna për numrin e saktë të viktimave, por HRW beson se shumë banorë mund të jenë larguar me varka.


Konflikti në këtë zonë është i ashpër mes myslimanëve dhe budistëve. Ndërkohë ka disa raportime që thonë se trupat qeveritare kanë hapur zjarr edhe ndaj milicive jomyslimane të zonës për herë të parë.


Dhuna në këtë zonë filloi në qershor dhe u ndez nga lajmi i përdhunimit dhe vrasjes së një gruaje të re budiste. Qeveria burmeze ka shpallur ligjin e luftës në zonë. Popullata myslimane vendase e njohur si Rohingia, përshkruhet nga OKB-ja si një minoritet fetar dhe gjuhësor i persekutuar në Burma. Qeveria e këtij vendi thotë se ata janë emigrantë relativisht të vonë nga nënkontinenti indian. Shteti fqinj i Bangladeshit ka strehuar sakaq disa qindra mijëra emigrantë nga Burma dhe thotë se nuk ka fuqi të pranojë më shumë.


Burma, e njohur më herët si Maimar, është një shtet në gadishullin e Indokinës me 60 milionë banorë dhe 670 mijë kilometra katrorë. Ai është një nga vendet më të varfra të botës dhe qeveriset nga një diktaturë ushtarake.