Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka ftuar të rinjtë, por edhe prindërit e tyre, që vitin e ardhshëm ti bashkohen fitores, e cila do të jetë e çdo shqiptari. Ndërsa ka folur në manifestin “Unë jam FRESSH” në Divjakë, projekti më i ri i të rinjve eurosocialistë shqiptarë i promovuar nga kreu i PS-së disa javë më parë në kryeqytet, Rama u shpreh se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit për të rinjtë dhe për Shqipërinë, do të jetë viti i Shqipërisë evropiane.


“Viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit për Shqipërinë, do të jetë viti i ndryshimit për të gjithë brezat. Por do të jetë në radhë të parë viti i ndryshimit për të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi. Sepse ne duam të shkojmë në Europë, po duam të shkojmë në Europë duke e bërë Shqipërinë evropiane. Duke bërë që në Shqipëri të jetohet si në Europë dhe jo duke ju thënë njerëzve në qoftë se doni Europën ikni matanë se këtu Europa është një utopi”, u shpreh Rama. Në këtë manifest merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë të PS-së, deputeti Bashkim Fino dhe sekretari për rininë dhe emigracionin Erion Veliaj. Ky i fundit duke ju drejtuar të rinjve tha se vitin e ardhshëm me Edi Ramën kryeministër prioritet do të jenë pikërisht të rinjtë. “Kjo që bëjmë ne sot dhe që duam të bëjmë me fitoren e 2013, është diçka që e kemi në dorë ne vetë. Ju e keni në dorë. Ne duam që kur Edi Rama të jetë kryeministër vitin që vjen, të rinjtë të jenë prioritet për të drejtuar shtetin shqiptar”, ka thënë Veliaj.


Ndërsa deputeti Bashkim Fino, ka preferuar që në këtë manifest t’ju japi një këshillë të rinjve të pranishëm: “Po ju jap një këshillë që ta dini të gjithë. Politika nuk fillon me thinja të bardha siç më kanë dal mua. Politika fillon me ju të rinjtë, se ju jeni e ardhmja e Shqipërisë. Do them dhe një gjë tjetër shkurt. Po i them Erionit dhe gjithë stafit eurosocialist që kemi këtu se të rinjtë dhe Divjakës dhe të Lushnjës të jeni të bindur që do ta kemi të padiskutuar fitoren e 2013, me Edi Ramën kryeministër. Një urra të madhe, fitore, fitore, fitore”.


28 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)