Boboshticë, Dhunimi


Pjesëmarrja e dhjetëra personave në këtë ceremoni ka bërë që ata jo vetëm të qëndrojnë mbi memorialin e ndërtuar një vit më parë enkas për këtë festë, por të shkelin edhe mbi ata që sipas banorëve janë varret ku ndodhen eshtrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre shqiptarë. Ata kanë vendosur te memoriali kurora dafine me shirita në ngjyrë të bardhë dhe të kaltër, si dhe mbishkrime në gjuhën greke


Disho, i shoqëruar nga deputetja greke e “Nea Demokracia”, hesht për çështjen ndaj tij


Shkelen sërish varret e Boboshticës me rastin e festës së çlirimit të Greqisë. Dhunimi i tyre është bërë gjatë homazheve të zhvilluara dje, ku ka qenë i pranishëm edhe Naum Disho, i cili është rishfaqur pas disa muajsh në kërkim policor, pikërisht për dhunim të këtyre varreve. Dje, ai qëndronte përkrah deputetes së Partisë Nea Demokracia, Maria Antoniu. Pasi Gjykata e Lartë e ktheu për rishqyrtim çështjen e Naum Dishos, ky i fundit mbetet i lirë deri në një vendim të ri të Gjykatës së Faktit në Korçë, gjë që ka sjellë edhe daljen publike të Dishos, i cili pasi u dënua me një vit burg rreth një vit më parë, ka arritur t’i shmanget drejtësisë.


Rishfaqja e Dishos


Shfaqja e ish-kreut të OMONIA-s ka qenë surprizë në këtë ceremoni fetare, i cili pavarësisht interesit të gazetarëve, Disho nuk ka pranuar të prononcohet. Sipas Policisë së Korçës, Disho, i cili ishte dënuar me një vit burg “për dhunim të varrezave në Boboshticë” nga Gjykata e Apelit, është hequr nga lista e personave në kërkim një ditë më parë, pas kërkesës së prokurorisë për mosekzekutim të vendimit të Apelit të Korçës deri në rigjykim të çështjes. Në fakt, ishte Gjykata e Lartë, ajo e cila pak ditë më parë prishi vendimin e Apelit të Korçës dhe ktheu çështjen për rigjykim në po këtë gjykatë, por me një tjetër trupë gjykuese.


Homazhet mbi varre


Ceremonia e homazheve vjen dy vjet pas skandalit të betonizimit të varrezave 200-vjeçare në fshatin Boboshticë të Korçës, në të cilat nderohen edhe dy ushtarë të rënë grekë në tokën shqiptare. Në kremtimin e festës së çlirimit të Greqisë kanë marrë pjesë kreu i konsullatës greke në Korçë, Janis Pedhjosis, përfaqësues të shoqatës OMONIA, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deputetë të Partisë Demokracia e Re në Greqi dhe qindra qytetarë grekë, të cilët kishin ardhur enkas për të kryer homazhe në memorialin e ngritur në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë. Ceremonia fetare ka nisur me mbajtjen e një meshe në gjuhën greke, pikërisht në manastirin “Zgjimi i Shën Mërisë” në Boboshticë dhe më pas, pjesëmarrësit kanë vendosur kurora me lule në memorial, kanë kënduar himnin grek, si edhe kanë mbajtur një minutë heshtje në nder të dy ushtarëve grekë të rënë në lufte, duke shkelur mbi varrezat shekullore të fshatit Boboshticë.


Një ditë më parë, nga autoritetet greke ishte deklaruar se pesë qytete shqiptare, Gjirokastra, Korça, Himara, Saranda dhe Përmeti, do të bëheshin pjesë e festimeve të 28 tetorit, festës kombëtare greke, që shënon përvjetorin e refuzimit grek ndaj ultimatumit italian për të hyrë në Greqi pa hasur rezistencë. 28 tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si dita e “JO”-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare. Madje, dje ishte parashikuar që në këto festime të vinin edhe përfaqësues të ekstremit të djathtë në Greqi, Agimi i Artë.


Disho: Duke përfituar nga rikthimi për gjykim i çështjes, Naum Disho është rishfaqur pas disa muajsh në kërkim policor


Policia: Naum Disho ishte shpallur në kërkim policor për dhunim të varrezave, pasi Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vit burg


Tubimi


Kuqezinjtë bllokojnë rrugën kundër vizitave të grupeve neonaziste të Agimit të Artë


AK, protestë kundër ekstremistëve grekë


Aleanca Kuqezi ka zhvilluar një protestë kundër vizitës së grupeve neonaziste greke, si dhe disa deputetëve të Agimit të Artë në Këlcyrë të Përmetit për të festuar festën e çlirimit të Greqisë. Dhjetëra kuqezinj të mobilizuar nga Përmeti dhe Këlcyra kanë protestuar në rrugën nacionale, pranë urës së Dragotit, ku do të kalonin grupet neonaziste dhe përfaqësues të Agimit të Artë për të shkuar drejt manastirit të Këlcyrës, ku dhe do të kryhej ceremonia me traditë greke për festën e çlirimit të Greqisë.


Aleanca Kuqezi ka dënuar ashpër dhe fort mosreagimin e diplomacisë së gjunjëzuar të qeverisë shqiptare, e cila, sipas tyre vijon të përbuzë dhe cenojë integritetin dhe moralin e kombit shqiptar me një politikë antikombëtare dhe në mbështetje të qarqeve antishqiptare serbo-greke. Me dhjetëra flamuj kombëtarë u shpalosën në rrugën nacionale drejt urës së Dragotit, qëllimi i të cilëve ishte dhënia e mesazhit se nuk do të pranohen për asnjë çmim dhe asnjë kusht sjellje të tilla nga grupet neonaziste greke, si dhe Agimi i Artë, të cilat kanë për qëllim vetëm destabilizimin e jugut të Shqipërisë.


Aleanca Kuqezi ka deklaruar se zotohet se do të zbatojë me shtetin grek parimin e reciprocitetit, ku për çdo qytetar shqiptar që trajtohet në mënyrë jo normale në kufirin grek, e njëjta gjë do të zbatohet me çdo qytetar të Greqisë që do të kalojë drejt Shqipërisë. “Për çdo shqiptar që do të kthehet mbrapsht, sepse është çam, një shtetas grek do të ndalohet të kalojë drejt vendit tonë”, thanë përfaqësuesit e AK-së.


Aleanca Kuqezi i bëri thirrje mbarë kombit shqiptar që të sensibilizohet dhe solidarizohet me nismat e saj, të cilat kryefjalë kanë rivendosjen e dinjitetit kombëtar të shqiptarëve në vendin e merituar, jo si peng i haraçeve të shtetasit Sali Berisha ndaj Greqisë apo edhe Serbisë. “Identiteti, integriteti moral dhe territorial i shqiptarëve nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë një mekanizëm që përdoret nga qeveritarët antishqiptarë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha për interesa personale politike”, deklaruan protestuesit e Aleancës Kuqezi. Në përfundim u kërkua me ngulm që Ministria e Jashtme e Shqipërisë të reagojë kundër vizitës tendencioze, me qëllime antishqiptare dhe të thërrasë për shpjegim funksionarët e ambasadës greke në Shqipëri, të cilët janë parë në mbështetje të aktiviteteve të neonazistëve dhe Agimit të Artë.