Si e fshehu për 23 vjet dashurinë me Sidin
Për Karl Kraus, Parku i Janovitzit, i veçuar nga bota nga “një mur ku pushon qielli”, ishte parajsa, ndërsa Vjena ferri. Atje, në këtë pronë që u përkiste baronëve Nádherný von Borutin, jo shumë larg Pragës, mes luleve ngjyrë lejla, pemëve të larta që formonin kurorë, mes vragave të ujit, gjithçka ishte si një poezi e përkryer, ndërsa në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze kishte gjithandej korrupsion, budallepsje, paragjykime, hipokrizi. Autori i aforizmave më të njohura të 1900-s, e jetonte jetën e tij, mbushur me beteja në emër të drejtësisë, me urrejtje ndaj qeverisë e shtypit. Por kishte edhe dashuri. Një dashuri e madhe plot pasione, me vuajtje pa limite për Sidonie, vajza e bukur e kështjellës Janovitz. Një histori dashurie e kohëve të shkuara, e dalë në dritë vetëm në vitet ’70, që zbulon një Kraus të ri, të dashur, pasionant dhe të përulur. Gjithçka filloi me “dashuri me shikim të parë”. Lidhja e tyre u trazua në vazhdim nga vëllai i vogël i baroneshës që ishte një lloj “mbikëqyrësi” për të, nga paragjykimet e klasës, nga situata dashakeqëse. Më tej do të vinte martesa e Sidonie me kontin Guicciardini të Firences, që u anulua në momentin e fundit në maj të vitit 1915, sepse Italia hyri në luftë, por edhe lidhja me kushëririn Max Thun, që nuk zgjati as gjashtë muaj. Në publik, Karl dhe Sidi i drejtoheshin njëri-tjetrit me “ju”. Askush nuk duhet ta dinte për takimet e tyre të fshehta, për shëtitjet e tyre romantike në të perënduar, për zhdukjet e tyre të papritura me makinë drejt Zvicrës. U njohën në Vjenë më 8 shtator të vitit 1913 në “Café Imperial” dhe ishte pikërisht Max Thun ai që i prezantoi. Kraus, atëkohë 39-vjeçar, me revistën e tij “Die Fackel”, ishte një nga shkrimtarët austriakë më popullorë dhe më i vlerësuar i kohës së tij. Ajo, një vajzë 28-vjeçare, kishte një kulturë të madhe, ishte sportive, udhëtonte vazhdimisht dhe mbante një ditar ku shënonte takimet. Atë natë të parë të paharrueshme do të shkonin me karrocë në Prater, nën yje. “Ai njohu natyrën time”, do të shënonte ajo në bllokun e saj dhe më pas do të pranonte se “Kraus i kishte hyrë në gjak”. Në nëntor të të njëjtit vit, e ftoi të shkonte në Janovitz dhe ai mbeti i magjepsur. Kaluan bashkë Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe natën, kur i vëllai dhe shërbyesja flinin, ai rrëshqiste fshehurazi në dhomën e saj të gjumit e shëtiste me të në errësirën e parkut të madh. Nga ai moment, Parku i Janovitzit u bë pjesë e pandashme e një dashurie të madhe. Ishte si skenari i një përralle, i një historie dramatike, ku lufta do t’i shërbente si sfond, siç dëshmojnë më shumë se një mijë letra që shkrimtari ia dërgonte Sidonie Nádherný për 23 vjet. U publikuan në Gjermani më 1974-n. Deri atëherë, Karl
Kraus njihej si karakteri i fortë me një angazhim të fortë civil dhe letrar, si ndërgjegjja e kohës së tij, njeriu që kishte “zbritur në ferr për të gjykuar të gjallë e të vdekur”, siç shkruan për të Oskar Kokoschka. Asnjë nuk ishte në dijeni të marrëdhënies së tij me Sidonie, në të cilën shfaqet i çarmatosur, një i dashuruar që lutet, që pret me padurim një ftesë e që ëndërronte si adoleshent të jetonte në Janovitz, larg Vjenës, në “oazin e tij të lumturisë”, ku shkroi pjesë të dramës “Ditët e fundit të njerëzimit”. Kraus ishte herë-herë i dëshpëruar përballë tentativave të vakëta të Sidonie për t’u martuar me ndonjë të rangut të saj, por po aq të vakëta ishin edhe përpjekjet e saj për t’u shkëputur nga ai. Arratisej, por kthehej sërish, sepse për të ai ishte “njeriu më i shtrenjtë, më fisnik, më bujar i tokës”, siç shkruan në ditarin e saj. Nuk mendoi më që të martohej me Kraus që kur lexoi letrën që Rilke i shkruante më 21 shkurt të vitit 1914. Poeti e njihte Sidonie prej 1906-s, kur e kishte takuar në Paris, në atelienë e Rodin, ku punonte si sekretar. Edhe ai ashtu si Kraus mbeti i mrekulluar nga bukuria e baroneshës. “Është e bukur si një miniaturë”, i shkruante ai së shoqes Clara Westhoff, skulptore dhe nxënëse e Rodin, e cila tetë vjet më pas bëri një bust të shkëlqyer mermeri. Pak kohë më vonë, baronesha e ftoi Rilke në kështjellë. Edhe ai pësoi të njëjtën magji nga ajo vizitë dhe parku “i përfshirë nga vesa vjeshtore”. Ishte tri herë i ftuari i Sidonie, i kalonin mbrëmjet duke lexuar poezi, ajo luante Chopin në pianoforte, shkëmbenin letra konfidenciale. Por ajo e tyrja nuk ishte dashuri. Për të Rilke ishte miku të cilit i besonte e të cilit mund t’i kërkonte këshilla. Bëri kështu gabimin duke i treguar ndjenjat e forta që ushqente për Kraus. Letra e përgjigjes e shkrimtarit ishte plot dashakeqësi. Ai e pa Kraus dhe prezencën e tij si një pengesë për praninë e tij në kështjellë dhe u përpoq me të gjitha mënyrat që ta bindte Sidonie të hiqte dorë nga lidhja me një person si Kraus. Ndonëse nuk i shkruante hapur, ai bënte aludime të forta për diferencën mes të dyve: ai ishte hebre (borgjez), ndërsa ajo ishte një katolike e nderuar. “E shikon e dashur Sidie, ai nuk mund të jetë veçse një i huaj”. Që prej asaj kohe Sidonie u tërhoq, u martua me kushëririn e saj Max Thun, me justifikimin se kështu lirohej nga tutela e mërzitshme e të vëllait. Kraus reagoi duke u kredhur në punë. Katastrofa e luftës i bashkoi edhe njëherë dy të dashuruarit që kaluan 5 javë udhëtimi nëpër Zvicër. Kraus nisi të punonte intensivisht për veprën e tij “Ditët e fundit të njerëzimit”. Mes tij dhe Sidit kishte një marrëdhënie të re: ajo e inkurajonte të shkruante, i korrektonte dorëshkrimin, donte me patjetër që drama e tij të shihte dritën e botimit. Ai vazhdonte të punonte, edhe pse e dinte se kjo vepër mund ta çonte në burg si një propagandë ndaj luftës. Por edhe mbretëresha e parajsës së vogël boheme e njohu dhimbjen. Vdekja e Kraus më 1936-n, shënoi për të fillimin e një vetmie, nën torturën e pendimeve. Në një shënim të shkurtër kujtimesh të titulluar “Epilogu im”, shkruar pak muaj pas humbjes së tij, Sidonie Nádherný von Borutin rrëfehet. “Shpesh kam shkruar me lotët e pendesës më të thellë, me një urrejtje të thellë për veten time, e aftë të plagosja dhe të sëmurja një zemër kaq fisnike dhe plot dashuri. Isha pikërisht unë, që edhe pse më kishte falur gjithë zemrën, tregova mungesë ndjeshmërie”. Më 1943-shin, Sidi u detyrua t’ia lëshojë kështjellën dhe Parkun e Janovitzit nazistëve, që e shndërruan në një ofiçinë për të riparuar zisët e SS.
(“La Repubblica”)
