I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PS në Twitter, që e ka cilësuar kryeministrin si spiun të Partisë së Punës së Shqipërisë


Gjatë mbledhjes së sotme të grupit paralamnetar të PD, kryeministri i ka bërë sërish apel opozitës të ulet në bashkëpunim me qeverinë për të votuar 3 ligjet që presin në parlament dhe që kërkohen nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.


Sipas Berishës, opozita nuk do të fitojë kapital politik duke bllokuar tre ligjet e rëndësishme që kërkohen nga KE, të cilat dëshmojnë vullnetin për të vijuar reformat.


“3 ligjet që presin në parlament, të ulemi t’i votojmë së bashku, sepse ideja se mund të fitohet kapital politik përmes bllokimit është e dështuar. Nuk fitohet kapital duke mos votuar tre ligje që kërkohen nga KE, të cilat dëshmojnë vullnetin për të vijuar reformat. Nga njëra anë derdhin një sulm për drejtësinë, ndërsa nga ana tjetër nuk votohet ligji për Gjykatën e Lartë. Nga njëra anë kërkojnë ndryshimin e ligjit të nëpunësit civil dhe nga ana tjetër hezitohet për të votuar ligjin që është hartuar me ekspertizën më të mirë dhe me paratë e KE-së. Ky nuk është mesazhi që presin shqiptarët në prag të kësaj ngjarjeje të rëndësishme për vendin siç është marrja e statusit kandidat”, – theksoi kryeministri.


Në këtë kuadër, Berisha i është rikthyer edhe çështjes së Qarkut të Fierit për të cilin sërish i ka bërë thirrje PS, që në përputhje me kushtetutën e vendit të veprojë në bazë të një mocioni.

“Nuk mund të hyhet në vendimet e gjykatave, mund të veprohet me mocion. Të votohet çdo këshilltar i Qarkut të Fierit. Të japim përgjigje brenda tri ditëve. E drejta për mocion ekziston në çdo nivel parlamenti”, – theksoi Berisha.


Por me gjithë thirrjet për kompromis, Berisha nuk i ka harruar thumbat ndaj rivalit të tij politik, kreut të PS, Edi Rama i ciki sipas tij bunkerizoi Asamblenë e PS duke vënë përgjues e gjurmues, veprim që sipas kryeministrit është një frymëzim i nxjerrë nga arkivat e Partisë së Punës.


Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreu i PS-së, i cili përmes një mesazhi në Twitter e ka cilësuar kryeministrin si spiun të Partisë së Punës së Shqipërisë.


“E pastaj thoshte ne mbledhjen e lagjes ç’janë këta të pacipë që enden ferrave dhe prishin qetësinë e popullit. Tamam burrë shteti. Saliu sot me kujtoi një spiun nga ata maniakët e kohës së PPSH, qe u gris në ferra te liqeni në tentativën për të përgjuar dy të dashuruar”, – komentoi Rama në Twitter.


100-vjetori i Pavarësisë, Berisha: Nuk janë anashkaluar Vlora dhe I.Qemali. Pas 100 vjetësh, busti i tij në Tiranë


Kryeministri Berisha, duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, e ka cilësuar vizitën e sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton gjatë kësaj jave në vendin tonë si një ngjarje të madhe në këtë 100 vjetor të pavarësisë, meritë për të cilën sipas Berishë ka edhe ndihma e qeverisë së SHBA.


“Ajo vjen si një mike e madhe dhe sjell mesazhin e kombit dhe e vendit të madh, të miqësisë dhe është një rast shumë i veçantë për çdo shqiptar për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj sekretares Klinton, pasi në këto 100 vite, shqiptarët ia dolën dhe e kryen sepse patën mbështetjen e madhe dhe përcaktuese të qeverisë së SHBA-së”, – tha Berisha.


Arkaike dhe provinciale i ka cilësuar kryeministri Berisha përpjekjet për të denigruar vëmendjen e qeverisë ndaj figurës së Ismail Qemalit dhe Vlorës në këtë 100 vjetor të pavarësisë.


“Vlora nuk është përjashtuar në asnjë mënyrë nga festimet, madje ka vëmendjen më të madhe, por Tirana është kryeqyteti dhe festimet më të mëdha kremtohen në kryeqytete si kudo në botë. Vlora është përfshirë në mënyrë thelbësorë ne protokoll. Festimet nisin në Shkup më 25 nëntor, vijojnë në Prishtinë dhe në 28 Nëntor në Vlorë e Tiranë. Është një festë që do të përfshijë mbarë trojet shqiptare, pasi pavarësia është kontribut i të gjitha trevave shqiptare”, theskoi kryeministri.



 


29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)