Aleati i varfër amerikan përballet me rrezikun e bombave destabilizuese
Pas Turqisë dhe Libanit, kriza aktuale e Sirisë rrezikon të dëmtojë stabilitetin edhe në Jordani, shtetin e varfër aleat të amerikanëve, raporton “Reuters”. Qeveria e këtij vendi njoftoi së fundmi se ka zbuluar në kohë një plan të “Al Kaedës” për të vendosur bomba në kryeqytet, një sinjal tjetër ky që tregon se Damasku po punon për të eksportuar krizën e vet.
Mbretëria e Jordanisë nuk është e panjohur me trazirat. Për shumë dekada, ajo është luhatur në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës që zhvillohet në kufirin e saj perëndimor, si dhe me gjakderdhjen e viteve të fundit në Irak. Por lufta civile në Siri përbën kërcënimin më të madh të dekadave të fundit ndaj regjimit të mbretit properëndimor Abdullah dhe ky rrezik duket se është i njëjtë, sido që të jetë rezultati i kësaj lufte.
Rrëzimi i Assad-it nga rebelët myslimanë suni mund të fuqizojë islamikët e vijës së ashpër në Jordani, ndërsa vetë Assad mund të jetë i interesuar të eksportojë konfliktin me synimin për të ulur presionin ndërkombëtar mbi të.
Mahmoud Kharabsheh, një politikan i rëndësishëm që ka të shkuar nga shërbimet sekrete, thotë se Siria i la luftëtarët e “Al Kaedës” të luftonin në Irak pas pushtimit amerikan në vitin 2003 dhe frika është se Damasku mund të bëjë të njëjtën gjë edhe kundrejt Jordanisë.
“Regjimi i Sirisë nuk do të lërë asgjë pa bërë për të destabilizuar mbretërinë. Damasku duket i vendosur të eksportojë krizën e vet te vendet fqinje”, shton ai.
Në kulm të gjakderdhjes në Irak, Damasku i zbrazi burgjet e veta nga shumë radikalë islamikë dhe i lejoi ata të kapërcejnë kufirin për të luftuar perëndimorët. Kjo që i mundësoi Assad-it të heqë qafe kundërshtarët islamikë vendës, së paku përkohësisht, si dhe në mënyrë indirekte të godiste amerikanët.
Radikalët janë kthyer tashmë në shtëpi për të luftuar Assad-in dhe janë bashkuar me islamikët nga Jordania.
Shumë sirianë janë arrestuar gjatë muajve të fundit në kampin e refugjatëve të luftës në Jordani, pasi u zbuluan se po mblidhnin informacion apo qenë provokatorë. Një javë më parë, Jordania njoftoi se ka arrestuar 11 vetë që dyshohet se po përgatiteshin të bombardonin një qendër tregtare. Megjithëse të arrestuarit qenë shumë të rinj dhe lidhjet e tyre apo serioziteti i kërcënimit janë të dyshimta, askush nuk e vë në dyshim faktin se armët e luftës civile në Siri po kalojnë në Jordani.