Policia


Xhevit Malkaj, vrasësi i Enver dhe Azbie Myftarajt: I vrava se u grindëm më parë për naftën e vjedhur


Familjet Malkaj e Myftaraj që dikur kishin marrëdhënie miqësore, japin versione të ndryshme për motivin


Myftarajt deklarojnë se të dashurit e tyre u vranë për paratë e kasafortës


Edmond Hoxhaj


Enver Myftaraj

Enver Myftaraj


Masakra e dyfishtë në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes në fshatin Belishovë të Rrethit të Mallakastrës, ku u ekzekutuan dhe u dogjën brenda shtëpisë së tyre Enver dhe Azbie Myftaraj, tashmë e ka një autor të dyshuar. Ashtu siç ishte dyshuar që në momentet e para pas ngjarjes, autori i masakrës i ka njohur mirë viktimat e tij. Ai është 19-vjeçari Xhevit Malkaj, bashkëfshatar i të ndjerëve. Dje, në orët e para të mëngjesit, ai ka pranuar krimin dhe është rrëfyer para hetuesve, duke treguar edhe versionin e tij të ngjarjes. Bashkë me 19-vjeçarin, policia ka vënë në pranga edhe babanë e tij, Bajram Malkaj, i cili rezulton të ketë pasur dijeni mbi ngjarjen dhe të ketë penguar në zbardhjen e saj. Nga hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se të dyja familjet njiheshin mirë me njëra-tjetrën dhe prej 10 vitesh kishin marrëdhënie të ngushta. Mësohet se Enver Myftaraj i punësonte herë pas here gjatë sezoneve të ndryshme të vjeljes së drurëve frutorë apo për punimin e tokës, si Bajram Malkajn, ashtu edhe të birin, Xheviti. Për shkak të këtij bashkëpunimi, ata kishin krijuar edhe hyrje-dalje familjare, pohuan dje për gazetën burime nga vendngjarja. Nisur nga këto fakte që policia i ka mësuar që në momentet e para pas krimit, veç të tjerëve, ka shoqëruar fillimisht si të dyshuar edhe atë e bir, Bajram dhe Xhevit Malkajn. Më pas, i ka lënë të lirë, për t’i ndaluar mbrëmjen e së shtunës. Mëngjesin e së dielës, 19-vjeçari Malkaj ka pranuar të bashkëpunojë, duke u treguar hetuesve edhe vendin ku kishte fshehur gjurmët e krimit. Ai ka dhënë edhe versionin e tij rreth motivit të ngjarjes, që është kundërshtuar nga familjarët e viktimave. Këta të fundit kanë deklaruar se versioni i dhënë nga i arrestuari është i rremë, duke dhënë edhe argumente për të mbrojtur pretendimet e tyre.


 


Arrestimi


Xhavit Malkaj

Xhavit Malkaj


Ndalimi i 19-vjeçarit Xhevit Malkaj dhe të atit të tij, Bajramit, që të dy banues në fshatin Belishovë të Rrethit të Mallakastrës, është bërë i ditur dje për mediat nga drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Arjan Bozhaj. Ai pohoi se në përfundim të hetimit dyditor, ka rezultuar se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë është 19-vjeçari dhe babai i tij. Në njoftimin e policisë thuhet se ndalimi i Xhevit Malkajt është bërë për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Nga hetimet ka rezultuar se 19-vjeçari, më datë 25 tetor 2012 rreth orës 21:30, ka shkuar në banesën e shtetasit Enver Myftaraj, i pajisur dhe me armë gjahu, e cila i përkiste babait të tij dhe me paramendim ka vrarë dy bashkëshortët. Pasi i ka vrarë, ai ka tentuar të hapë një kasafortë që ndodhej në banesë, si dhe ka spërkatur ambientet e brendshme dhe viktimat me lëndë djegëse e më pas u ka vënë zjarrin, thuhet në njoftimin e policisë. Si pasojë është djegur tërësisht banesa dhe pjesërisht viktimat. Ndërsa ndalimi i Bajram Malkajt është bërë për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.


 


Autori


Dje në mëngjes, kur 19-vjeçari Xhevit Malkaj dhe babai i tij, Bajrami janë ndaluar nga policia, teksa ndodheshin në banesën e tyre, duket se e kanë pritur një gjë të tillë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se e gjithë familja ka qenë në dijeni të krimit të kryer nga 19-vjeçari që mbrëmjen e masakrës. Madje, nga burime konfidenciale të gazetës mësohet se babai i tij, Bajrami, e ka ndihmuar në fshehjen e provave, duke penguar hetimin. Sipas burimeve, ka qenë gjilpëra e armës së gjahut në pronësi të familjes Malkaj, që u ka dhënë provën më të fortë hetuesve. Ndonëse fillimisht u dyshua se qitjet ishin kryer me armën e gjahut të të ndjerit Enver Myftaraj, ekspertimi balistik ka nxjerrë në pah, se këto vrasje ishin kryer nga arma e gjahut e sekuestruar në shtëpinë e Malkajve, ditën e parë kur u shoqëruan. Sipas burimeve konfidenciale, përballë provave, 19-vjeçari ka pranuar të rrëfehet, duke pranuar autorësinë e vrasjes dhe duke ia atribuuar gjithçka vetes. Dje në mëngjes, pasi ka zbardhur dita, ai ka pranuar t’u tregojë hetuesve vendin ku kishte fshehur provat e krimit, gëzhojat, hanxharin dhe të tjera sende. Xheviti ka deklaruar se këtë vrasje e kishte kryer i vetëm për shkak të një zënke që kishte pasur me Enverin.


 


Motivi


Ai ka pretenduar se rreth një vit më parë ishte konfliktuar me Enverin për një sasi nafte që kishte vjedhur në puset e naftës në Drenovë, ku i ndjeri punonte si roje. Sipas burimeve, i ndaluari ka pretenduar se viktima është sjellë agresiv në atë kohë dhe kishte menduar të mos ia falte. I arrestuari 19-vjeçar ka deklaruar në dëshminë e tij se e kishte planifikuar mirë vrasjen, por se nuk kishte pasur si qëllim grabitjen e parave. Ai ka shtuar se kjo ide i kishte lindur pas kryerjes së masakrës. Për djegien e banesës, ai ka pohuar se ka përdorur lëndë djegëse dhe raki që e ka gjetur në banesë. Autori ka shtuar se ka tentuar që të fshehë gëzhojat e fishekëve të armës së gjahut që ka shkrehur si dhe hanxharin me të cilin goditi në qafë Azbie Myftarajn.