Qeveria subvencionoi mbjelljen, por edhe lejon import pa taksa
Qeveria subvencionon mbjelljen e ullirit, ndërkohë që lejon që në vend të importohen ullinj nga vendet fqinje pa asnjë taksë, duke sjellë që fermerët shqiptarë të jenë në prag falimentimi. Situata është alarmante në tregun e Lushnjës, ku fermerët kthejnë sërish mallin në banesë, pasi nuk ka tregtarë. Tregu është mbushur me këtë produkt dhe fermerët apelojnë që qeveria të marrë menjëherë masa, pasi situata është e nderë. Prej më shumë se katër vitesh, Kryeministri nxiti fermerët të kultivonin ullinj, duke i subvencionuar dhe duket se ia arriti qëllimit, por problemi qëndron se ku do të shkojnë sasitë e prodhuara.
Fermerët e Beratit, rreth i cili njihet për kultivimin e ullirit, madje një nga më të mirët në Shqipëri dhe rajon, pohojnë për gazetën “Shqip” se kanë mbjellë ullinj tavoline, produkt i cili është vetëm për konsum dhe jo për vaj. Në pamundësi të shitjes së tij dhe të përpunimit, ky mall rrezikon të mbetet stok dhe fermerët të falimentojnë.
Fshatrat e komunave të Rrethit të Beratit kanë sivjet një superprodhim, ndikuar edhe nga koha e favorshme. Në dhjetëvjeçarin e fundit, viti aktual është më prodhimtari, pasi një vit më parë nuk pati luhatje temperaturash dhe gjatë dimrit u shënuan temperatura të ulëta. Sipas specialistëve, temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës sjellin që ulliri të ketë një prodhim të vazhdueshëm, madje, sipas fermerëve të Beratit, edhe plantacionet që nuk kishin prodhim në vazhdimësi, sivjet kanë superprodhim. Çmimet për një kilogram ulli janë ulur në maksimum, madje në tregun e qytetit të Lushnjës mund të gjesh një kilogramë ulli me 40 apo 50 lekë, ndërsa një vit më parë, në të njëjtën periudhë, çmimi ishte trefish ose katërfish më i lartë. Në Tiranë, 1 kg ulli shitet në tregun e pakicës me 130 lekë, madje mund ta gjesh edhe me 100 lekë, kur dy vjet më parë, në tregun e shumicës ky mall kushtonte 120 lekë për kg.
Sipas fermerëve, tregtarët “tallen” me këtë produkt, ndërkohë që në qytete, çmimi për një kilogram ullinj është rreth 120-150 lekë dhe dyqanet vazhdojnë të mos bëjnë asnjë ulje.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë vijon të mos reagojë apo të mos ndërhyjë për këtë superprodhim, në një kohë që ka qenë qeveria ajo që ka subvencionuar mbjelljen e fidanëve të ullirit. Kryeministri Berisha, në disa dalje publike, tha se do ta shndërrojë Shqipërinë në një “fuqi” prodhimi të këtij produkti në rajon, ndërsa tashmë, kur tregu vendas është mbushur, qeveria nuk ndërhyn.
Në këtë situatë, shumica e fermerëve pohojnë se këtë prodhim do ta përpunojnë tashmë në vaj, megjithëse fitimet janë të përgjysmuara. “Nuk kemi asnjë mundësi tjetër. Na leverdis që këtë prodhim ulliri ta shesim për produkt, pasi fitimi është shumë i madh. Në të kundërt, ullirin për tavolinë, siç i themi në ‘krips’, do ta bëjmë vaj. Fitimet janë të ulëta, por duke parë mungesën e tregut, na detyrojmë të marrim këtë vendim”, pohon Romiri, një fermer i Komunës Poshnje të Beratit, i cili ka “dështuar” në dy tentativa për të shitur produktin në tregun e qytetit të Lushnjës. “Tregtarët janë tallur, pasi e kërkojnë me çmime qesharake, të cilat nuk mbulojnë as kostot e këtij prodhimi. Gjatë vitit më është dashur të punoj, ta spërkas, ta vjel, ta seleksionoj dhe ta transportoj ullirin, ndërsa tregtarët ma kërkojnë me 40 lekë për kilogramë”, vijon fermeri, duke kërkuar ndërhyrje nga qeveria.
Sipas korrespodentit, fshati Bilçë në Berat është zona me prodhimin më të madh të ullinjve, veçanërisht të atyre që përdoren për konsum gjithëvjetor dhe jo për vaj.
Klima dhe periodiciteti kanë sjellë këtë vit një sasi të madhe prodhimi disa herë më të lartë se një vit më parë që ishte një vit i varfër. Por sasitë e mëdha të ullinjve të vjelë kanë mbetur stok, sepse tregu nuk i tërheq dot ndërsa vetë fermerët e kanë të pamundur t’i përpunojnë apo konservojnë.
Mungesa e kapaciteteve përpunuese të këtij prodhimi rrezikon që sasitë e mëdha të ullinjve që janë vjelë dhe po vilen në Qarkun e Beratit të shkojë dëm. Në këtë fshat janë disa dhjetëra mijëra rrënjë ullinj dhe e gjithë zona e ka të lidhur jetesën me këtë produkt.
Skema e mbështetjes
Mbjellje ullishtash, 250,000 lekë/ha format intensive të kultivimit, dhe 180,000 lekë/ha, për format tradicionale. Ujitja me pika për të gjitha format intensive të kultivimit, 250,000 lekë/ha. Prodhimi i vajit të ullirit ekstra i virgjër, 100 lekë/litër për sasitë deri në 15 tonë/vit