Transporti publik ndalon në pritje të Hurikanit Sandy që rrezikon qytetin
Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut urdhëroi ndalimin e të gjithë rrjetit të transportit publik në zonën metropolitane më të madhe të planetit në pritje të Hurikanit Sandy, i cili pritet të mbërrijë të hënën në darkë. Transporti u bllokua nga ora 7 e së dielës. Rreth 375 mijë njerëz janë urdhëruar të largohen nga zonat e ulëta dhe të rrezikuara nga përmbytjet, ndërsa shkollat do të qëndrojnë të mbyllura. Era e sjellë nga Sandy pritet të intensifikohet ndërsa ky hurikan po bashkohet me një stuhi nga SHBA-ja Perëndimore. Disa shtete në bregun lindor kanë shpallur gjendjen e emergjencës.
Rreth 60 milionë njerëz mund të preken nga ky fenomen atmosferik, i cili konsiderohet si një nga më të ashprit në shumë vite. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 nëntorit ka pësuar ndryshime dhe pengesa si pasojë e hurikanit, i cili u shfaq në Florida dy ditë më parë dhe vijoi rrugën në det deri në veri për disa mijëra kilometra, duke rrezikuar vetë Nju Jorkun. Presidenti Obama e ka modifikuar fushatën e elektorale dhe ka mbledhur shefat e emergjencës për t’u përgatitur. Mitt Romney u detyrua të anulojë një takim në shtetin e rëndësishëm zgjedhor të Virxhinias dhe u nis menjëherë për në Ohajo për të mos humbur kohë. Sandby ka vrarë deri tani 60 njerëz në Karaibe. Erërat e tij janë aktualisht 120 kilometra në orë, të mjaftueshme për të shkaktuar përmbytje kërcënuese në Long Island dhe në gjirin e Nju Jorkut. Parashikimi i motit nuk është një shkencë e saktë dhe hurikani mund të shkaktojë dëme të jashtëzakonshme ose mund të zbutet e të kthehet në një forcë jokërcënuese. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se nuk dëshiron të reagojë me tepri, por nuk dëshironte as të rrezikonte jetë njerëzish dhe për këtë arsye u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi.
“Ne kemi urdhëruar evakuimin drejt sigurisë të rreth 375 mijë njerëzve që jetojnë në zonat e ulëta. Nëse jeton në një zonë të tillë, duhet të largohesh menjëherë”, tha guvernatori.
Edhe fluturimet ajrore pritet të preken rëndë. “Air France” njoftoi anulimin e të gjitha udhëtimeve drejt Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Ndërkohë, Bursa e Nju Jorkut njoftoi se do të vijojë punën si zakonisht. Masa të tilla paraprake u ndërmorën edhe vitin e kaluar kur SHBA u prek nga Hurikani Irene. Në atë rast, më shumë se 40 vetë u vranë nga Karolina e Veriut deri në Maine, ndërsa dëmet materiale u vlerësuan në 10 miliardë dollarë.
Autoritetet publikuan rekomandime për sigurinë, përfshirë edhe këshillën për të blerë gjeneratorë energjie. Ata sugjeruan që të blihen paraprakisht ushqime për t’u përgatitur për disa ditë bllokadë. Një zyrtar tha se Sandby nuk kërcënon vetëm zonën bregdetare, por edhe një hapësirë të gjerë në thellësi të kontinentit. Bregu Lindor i SHBA-së është i njohur me kushte ekstreme të motit, por kësaj here, meteorologët mendojnë se gjërat mund të shkojnë shumë keq.
Ndërkohë, banorët në terren duken disi të mërzitur nga urdhri për t’u evakuuar. “Të gjithë po thonë se asgjë nuk do të ndodhë dhe se parashikuesit e motit e kanë gjithmonë gabim”, tha njëri prej tyre.
Një hurikan i tillë në vitin 2005 goditi qytetin e Nju Orlinsit duke lënë pas shumë viktima si dhe shkatërrime që nuk janë riparuar ende në tërësi.