Lushnjë


Është zhvilluar pasditen e djeshme në Divjakë, manifesti “Unë jam FRESSH”, projekti më i ri i të rinjve eurosocialistë shqiptarë, i promovuar nga kryetari i Partisë socialiste disa javë më parë në kryeqytet. Manifesti i “FRESSH”, është një projekt interaktiv, me shumë dimensione ku veç bashkimit të çdo të reje e të riu që kërkon ndryshimin, mishëron edhe vullnetin, ambicien dhe shpresën për të jetuar në një Shqipëri më të mirë. Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, duke iu drejtuar të rinjve tha se vitin e ardhshëm me Edi Ramën Kryeministër prioritet do të jenë pikërisht të rinjtë: “Kjo që bëjmë ne sot dhe që duam të bëjmë me fitoren e 2013, është diçka që e kemi në dorë ne vetë. Ju e keni në dorë. Ne duam që kur Edi Rama të jetë Kryeministër vitin që vjen, të rinjtë të jenë prioritet për të drejtuar shtetin shqiptar, tha Veliaj”. Deputeti i Qarkut të Lushnjës, Bashkim Fino, ka preferuar që në këtë manifest t’u drejtohet të rinjve me sugjerimin: “po ju jap një këshillë që ta dini të gjithë. Politika nuk fillon me thinja të bardha siç më kanë dalë mua. Politika fillon me ju të rinjtë, se ju jeni e ardhmja e Shqipërisë. Do them dhe një gjë tjetër shkurt. Po i them Erionit dhe gjithë stafit eurosocialist që jemi këtu që të rinjtë e Divjakës dhe të Lushnjës të jeni të bindur se do ta kemi të padiskutuar fitoren e 2013, me Edi Ramën Kryeministër. Një urra të madhe, fitore, fitore, fitore”.


Gjatë fjalës së tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se “Viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit për Shqipërinë, do të jetë viti i ndryshimit për të gjithë brezat. Por do të jetë në radhë të parë viti i ndryshimit për të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi. Sepse ne duam të shkojmë në Europë, po duam të shkojmë në Europë duke e bërë Shqipërinë europiane. Duke bërë që në Shqipëri të jetohet si në Europë dhe jo duke ju thënë njerëzve në qoftë se doni Europën ikni matanë se këtu Europa është një utopi”.