Me ardhjen në pushtet Partia Socialiste do të rimëkëmbi bujqësinë duke hequr akcizën, TVSH-në dhe taksën e qarkullimit të naftës si dhe TVSH e inputeve bujqësore. Ky ka qenë premtimi i kryesocialisti Edi Rama, gjatë takimeve që ka zhvilluar sot me banorë të zonës së Lezhës në vijim të turit të tij për një Rilindje për fshatin. Kreu i PS-së, i shoqëruar nga deputeti i zonës Gjovalin Kadeli, anëtari grupit të punës për programin, Agron Duka si dhe specialistë të tjerë të bujqësisë, është ndalur fillimisht në një fermë lopësh në Balldre të Lezhës.


“Kena falimentu me qumështin. Nafta na ka gri krejt. Kostoja e mishit është shumë e lartë. E kena dhënë më lirë se e kena prodhu. Tokat i kemi të përmbytme nga Torovica. Tash 20 vjet nuk është bërë punë me kanalet e kullimit. Jena në gjendje shumë të keqe. Nuk mund të rrimë me këtë gjendje. Tokat na janë përmbytur. Kena mbjellë dhe s’kena korrur. Ça me bo, nuk ja vlen me vazhdu me këtë punë. Të gjitha kanë falimentu si unë. Kena dash me punu, kena pas vullnet të madh, me këtë gjendje na ka ik vullneti të gjithëve”, është shprehur pronari i fermës.


Më pas takimet e kreut të PS-së janë zhvendosur në një fermë gjelash deti në Mape të Lezhës dhe në zonët përreth. Banorët janë ankuar për mungesën e kanaleve të kullimit, ndërhyrjen zero nga shteti në hidrovorin. “Në 22 vjet demokraci nuk është pastruar asnjë kanal, nuk është bërë asnjë vaditje dhe uji është qelbur. Ca të bëjmë jemi në mëshirë të fatit. 22 vjet demokraci dhe është turp”, është shprehur një prej fshatarëve.


Mungesa e ndihmës së shtetit në kushtet e kostos së lartë të prodhimit dhe rënies drastike të fuqisë blerëse prej së cilës fermerët thonë se po falimentojnë, për kreun e opozitës kërkon një qasje të re të politikës ndaj bujqësisë, për të cilën ai tha se PS në qeverisje do të ndërmarrë masa të menjëhershme për uljen e kostove të prodhimit.


“Është i gjithë cikli i bllokuar, se ata që ju japin ju e prodhojnë me kosto shumë të lartë për shkak të naftës, ju e merrni me çmime shumë të larta dhe nuk zhvilloheni, por mbijetoni. Është e domosdoshme të ndërrohet 100 për qind politikë në mënyrë që të ulen kostot. Pa ulur kostot, pa hequr akcizën e naftës, TVSH-në e naftës, taksën e qarkullimit të naftës, pa ulur farërat të paktën 10% dhe pa i dhënë një shtytje direkte çdo blegtori, jo duke thënë që mbështesim vetëm ata që kanë më shumë krerë, por duke filluar nga mbështetja e gjithsekujt që merr përsipër këtë punë. Ky është falimentimi ekonomik i gjithë familjeve në fshat, është edhe falimentimi i ekonomisë komëbtare që pa pasur mbështetjen të fortë në fshat nuk ka asnjë mundësi”, ka deklaruar Rama. Për kryetarin e opozitës, është e patolerueshme që një vend si i yni, me të tëra mundësitë për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral, të ketë raportin 1 me 10, mes eksportit dhe importit në favor të këtij të fundit.


29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)