Makina e Dules qëllohet me vezë. Policia shmang përplasjen


Engjëll Serjani


Makina e Vangjel Dules

Makina e Vangjel Dules


Tension dhe përplasje është shkaktuar dje në Këlcyrë, ndërsa autoritetet zyrtare greke dhe zyrtarë shqiptarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Një furi gurësh dhe vezësh hedhur mbi makinën e kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka shënuar kulmin e protestës së përbashkët të aktivistëve të “Patriotëve të Rinj”, grupim pranë Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, aktivistëve të Aleancës Kuqezi dhe ata të lëvizjes “Vetëvendosje”. Gjithçka ka ndodhur pas ceremonisë së zhvilluar dje paradite në memorialin e Shën Nikollës në Këlcyrë e në veçanti nga deklarata e kryetarit Vangjel Dule për të rinjtë protestues. Që herët në mëngjes, protestuesit që mbanin flamuj kuqezi janë bashkuar në urën e Dragotit në Këlcyrë. Protestuesit janë përpjekur të bllokojnë rrugën dhe të ndalojnë makinat e autoriteteve greke, por nisma e tyre është penguar nga forca të shumta policore. Të rinjtë i bënë thirrje qeverisë t’i vërë fre politikës greke antishqiptare në Shqipëri. Ndryshe nga qeveria italiane, e cila i ka tërhequr eshtrat e ushtrave të vrarë, Greqia pas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, ngriti memorialë në zona të ndryshme të Jugut të Shqipërisë. Kjo protestë, e para e këtyre përmasave, u paralajmërua nga kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, disa ditë më parë.


Përplasja


Grupi i përkujtimit të luftës italo-greke dhe aktivistët e organizuar në tri pjesë: “Patriotët e Rinj” të PDIU-së, ata të Aleancës Kuqezi dhe lëvizja “Vetëvendosje” janë këmbyer në Grykën e Këlcyrës. Si çdo vit, grekët përkujtojnë luftën italo-greke e njohur ndryshe si “Festa e Jo”-së. Një pjesë e këtyre luftimeve u zhvilluan në territoret shqiptare, duke përfshirë këtu edhe Grykën e Këlcyrës. Të rënët e të dyja palëve u varrosën në këtë zonë. Por ndërkohë që Italia i ka tërhequr trupat e ushtarëve të vrarë, Greqia jo vetëm që nuk i ka tërhequr, por përmes një marrëveshje dypalëshe me shtetin shqiptar, ka ngritur në Grykën e Këlcyrës një memorial, i njohur si Manastiri i Shën Nikollës.


Dje kanë qenë të rinjtë e PDIU-së dhe Aleancës Kuqezi, të cilët kanë demonstruar përpara Urës së Dragotit, aty ku pritej të kalonin një pjesë e familjarëve të ushtarëve të rënë të ardhur nga Greqia. Protestuesit kanë reaguar dhe kanë dashur të bllokojnë rrugën në kohën kur mbi urë kaluan automjetet e ambasadorit grek në Tiranë, Nikollas Pazios dhe konsullit të përgjithshëm grek në Gjirokastër, Nikolas Kotrokosis. Por ndërhyrja e policisë ka shmangur gjithçka. Protestuesit më pas kanë ndërruar vendin e demonstrimit nga rruga te vendi ku ndodhet manastiri. Në mbështetje të kësaj proteste kanë qenë edhe përfaqësues të “Vetëvendosjes”. Dje kanë ardhur 4 autobusë me familjarë të të rënëve grekë që kanë mbërritur nga Greqia dhe hyrja e tyre për në manastir është shoqëruar nga thirrjet e dy grupimeve politike, “Patriotët e Rinj” të PDIU-së dhe të rinjtë Aleancës Kuqezi. Ndërkohë, në kishën e manastirit është kryer një meshë në të cilën ka asistuar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjatë largimit nga memoriali i Këlcyrës, makina e kreut të PBDNJ-së është goditur me gurë dhe vezë. Përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi, deklaruan se “kjo nuk është Shqipëria që duan shqiptarët, e cila drejtohet nga një qeveri, e cila pasi grabiti votat, shiti, dëmtoi dhe poshtëroi integritetin e shqiptarëve duke bashkëpunuar me qarqet antikombëtare”. Ndërkaq, përfaqësuesit e “Patriotëve të Rinj” të PDIU-së theksuan se “PDIU përqesh deklarimet e diplomatëve dhe politikanëve grekë se ‘mesazhet e rezistencës greke gjatë luftës së dytë janë aktuale sot, sepse shërbejnë për tejkalimin e krizës së rëndë që ka Greqia sot’. PDIU paralajmëron se ndjenja prej pushtuesi e shfaqur në këto aktivitete përkujtimore në territorin shqiptar është qesharake, dhe mjerisht s’mund të zgjidhë asnjë lloj krize të segmenteve arkaikë të shoqërisë greke, apo krizën aktuale ekonomike dhe financiare të kësaj shoqërie. Shqipëria, anëtare e NATO-s s’mund të pranojë që orvatje të tilla qesharake, që shërbejnë për të ngushëlluar segmente nacionaliste të vendit fqinj, të provokojnë ndjenjën kombëtare të shqiptarëve”.


 


1 – Protesta – Një numër i madh qytetarësh të organizuar nga tri grupe politike kanë bllokuar dje në mëngjes rrugën nacionale në Urën e Dragotit


2 – Autobusët – Kanë ardhur nga Greqia katër autobusë me familjarë të ushtarëve të rënë, të cilat janë shoqëruar nga forca të mëdha policie


3 – Diplomatët – Në ceremoninë e Këlcyrës kanë marrë pjesë dy diplomatë grekë në Tiranë, konkretisht ambasadori dhe konsulli i Gjirokastrës


4 – Këngët – Gjatë ceremonisë të zhvilluar në Manastirin e Shën Nikollës janë kënduar këngë patriotike nga grupi i madh i protestuesve


 


Mediat greke: Makina e ambasadorit u sulmua me gurë “AK-ja, PDIU dhe ‘Vetëvendosja’ cilësohen si neonazistë”


Mediat greke kanë fajësuar shtetin shqiptar për mosarrestimin e protestuesve. Sipas lajmeve të dhëna nga agjencitë online të “defence.net” dhe “aftonomi.gr” fajësohet policia shqiptare, e cila nuk arrestoi aktivistët, që sipas tyre qëlluan me gurë eskortën që drejtohej nga ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios. “Nacionalistët shqiptarë, të cilët ishin mbledhur në ndërtesën kryesore që të çon në varrezat e ushtarëve grekë u përpoqën për të ndaluar konvoin dhe qëlluan një shi gurësh në makinën e ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios, por fatmirësisht nuk u plagos askush”, thuhet në lajmet e “aftonomi.gr”. Më tej theksohet se “gjatë këtij sfondi të dhunës dhe terrorizmit shqiptar në rritje me natyrë nacionaliste dhe fashiste duket se ka mbështetjen e shtetit, pasi policia në vend të ndërhynte dhe të arrestonin protestuesit, ato zgjodhën rolin e vëzhguesit, sikur asgjë nuk po ndodhte!”. Ndërsa theksohet se Ministria e Jashtme greke ende nuk ka një reagim dhe se është në pritje të njoftimeve për sulmet e kryera ndaj eskortës së ambasadorit grek Pazios. Në festimet në Këlcyrë dhe Bularat ka marrë pjesë dhe deputeti i Partisë Indipendente, Terrence Quick. Ai ka dënuar sulmet e bëra ndaj eskortës së ambasadorit grek.


 


Ksera, ministri në ceremoni


Ajo që habit me qeverinë shqiptare është fakti se ministrat e kabinetit “Berisha”, përfaqësues të minoritetit grek dalin përherë në aktivitetet e të ashtuquajturit Vorio-Epir. E tillë ishte dhe prezenca e djeshme e ministrit të Punës, Spiro Ksera. Ai nuk lë asnjë takim pa shkuar të organizatave të Vorio-Epirit, të cilët duan ndarjen e territorit shqiptar. Kryeministri Berisha hesht dhe nuk e këshillon ministrin e tij, pasi po vepron në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.