Në Ukrainë janë duke u numëruar votat për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën. Partia e presidentit Viktor Janukoviç deklaroi fitoren, pasi exit pollet treguan se Partia e Rajoneve fitoi rreth 28 për qind të votave.
Sipas exit polleve partia e udhëheqëses së burgosur të opozitës Julia Timoshenko, Atdheu, duket se ka fituar 25 për qind, e pasuar nga partia Udar (Grushti) e udhëhequr nga kampioni botëror në boks, Vitali Klitschko, me rreth 15 për qind.
Perëndimi ka thënë se zgjedhjet për parlamentin 450-vendesh ishin një “test” për demokracinë e brishtë të Ukrainës dhe janë ndër zgjedhjet më të vëzhguara në historinë e vendit, me 3500 vëzhgues të huaj të akredituar, përfshi më shumë se 600 nga OSBE-ja.
29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)