Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika ka mbajtur një fjalë gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS, ku ka akuzuar kryeministrin e vendit Sali Berisha se po përpiqet të hedhë baltë mbi atë që duhet të jetë kryeqendra e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, Vlorës. Gjika ka theksuar se i duken absurde deklaratat e kryeministrit të vendit që flet për protokoll dhe i vendos ceremonitë në Vlorë më 27 nëntor, ndërkohë që festimet për këtë event të rëndësishëm do t’i përqendrojë në kryeqytet.
Ai ka theksuar se pavarësisht deklaratave të kryeministrit, Vlora do të jetë gati më 28 nëntor, duke shtuar se dreka zyrtare e organizuar nga bashkia e qytetit do të mbahet në këtë datë dhe po ashtu të gjitha ceremonitë e tjera. Gjika më tej ka akuzuar kryeministrin se e ka lënë pa buxhet bashkinë e Vlorës në lidhje me festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë, ndërkohë që ka akorduar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit për festimet në Tiranë.
“Qeveria ka dhënë vetëm 39 milionë lekë për Vlorën. Sali Berisha është kujdesur që me paratë e taksapaguesve të bëjë shtatoren e Zogut, ndërkohë që bashkia e Vlorës nga të ardhurat e saj do ngrejë shtatoren e Ismail Qemalit. I akordoi 160 milionë lekë për dekorin Bashkisë Tiranë, ndërkohë që Vlora po e realizon me fondet e veta”, – theskoi Gjika
Ai shtoi se buxheti i bashkisë është zero ‘për shkak të një akti normativ të Bodes që është bërë de facto pa vendimin de jure të Kuvendit’, por siguroi se ky fakt nuk do ua prishet festën vlonjatëve dhe shqiptarëve.
30 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)