Dy të rinj janë plagosur me thikë me njëri tjetrin pas një konflikti mëngjesin e sotëm në qytetin e Ballshit. Ngjarja e rëndë u shënua në oborrin e gjimnazit ‘Dervish Hekali’, përpara fillimit të mësimit, kur pas një sherri banal 15-vjeçari Taulant Xhafa, nxënës i shkollës, është qëlluar me thikë në të dyja këmbët nga 2o-vjeçari Dragan Hasani, ish-nxënës i gjimnazit, ndërkohë që sipas policisë edhe 15 vjeçari ka reaguar duke e plagosur Hasanin po me armë të ftohtë.
Dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në spitalin e Fierit, ku gjendja e 15 vjeçarit paraqitet më e rëndë, ndaj do t’i nënshtrohet një operacioni.
Policia ka shoqëruar 20 vjeçarin Hasani, pasi ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërkohë që ka marrën dëshmitë e personave të pranishëm gjatë konfliktit mes dy të rinjve dhe mësuesve të shkollës.
30 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)