Këshilltari i Romneyt denoncohet nga media si njeriu që solli në pushtet autoritarin Berisha
Këshilltari kryesor i kandidatit republikan për president, Mitt Romney, u portretizua nga shtypi liberal amerikan si një njeri që mbështeti rikthimin e Sali Berishës në pushtet, duke përdorur lidhje të “përfolura” me botën e errët të mafies të Europës Lindore. Stuart Stevens, organizatori kryesor i fushatës së Romneyt raportohet se ka mbështetur mes të tjerëve, rikthimin në pushtet të Sali Berishës në Shqipëri si dhe Joseph Kabilës në Kongo, që të dy, sipas revistës “The New Republic”, njerëz me tendencë të qartë autoritare dhe që kanë ardhur në pushtet përmes kombinimit të manipulimeve zgjedhore dhe frikësimit të votuesve. Problemi që media amerikane ka me Stevens si dhe me ortakun e tij, Russ Schriefer, është se metodat e dhunshme që kanë eksperimentuar në Shqipëri apo Kongo, kanë filluar t’i transferojnë në SHBA, ku shefi i tyre Romney është në një betejë të ashpër kundër presidentit aktual, Barack Obama.
“Stevens, i cili i profilizua nga ‘The New Republic’ në gusht, thotë se ka hequr dorë nga politika ‘për aromën e napalmit në mëngjes’ dhe ka pranuar vetë se puna e tij politike ka siguruar një ‘mënyrë shprehjeje të tendencave të subkoshiencës së tij për dhunë’”, argumenton gazetari Penn Bullock, i “The New Republic”.
“Ai ka organizuar fushatat zgjedhore në Shqipëri dhe në Kongo në të shkuarën, ku udhëheqësit e këtyre dy vendeve, Sali Berisha Kryeministër i Shqipërisë dhe Joseph Kabila, president i Kongos, janë që të dy figura autoritariste që kanë alarmuar grupimet e të drejtave të njeriut dhe me raste, edhe Departamentin Amerikan të Shtetit”, vijon më tej artikulli.
Vetë kompania konsulente e Stevens ka deklaruar shkallën e përfshirjes së saj në Shqipëri, ku deklarohet se kreu për Berishën detyrat e mëposhtme: “fushata multimediale të nivelit të lartë, gjetjen e financimeve, zhvillimin e politikave, kërkimin në thellësi për kundërshtarin si dhe strategjinë politike, planin mediatik dhe taktikat”.
Sipas një burimi të “The New Republic” mbi fushatën elektorale të vitit 2005 në Shqipëri, Stevens iu rekomandua Berishës nga ndërmjetësi boshnjak Damir Fazlliç, të cilin Departamenti i Shtetit e ka përshkruar si “njeri hije”.
Kabllogramet e Departamentit të Shtetit thonë se Fazlliç punoi ngushtë me Berishën gjatë fushatës dhe mori mbrojtje ligjore nga qeveria e tij. Ai është cilësuar nga media e Europës Lindore si një njeri i lidhur me mafien. Ai nuk pranoi të komentojë mbi akuzat. Partneri i Stevens në Shqipëri qe një grup tjetër lobues në Uashington, “BGR Group”. Që të dy konsulentët kishin mendimin se imazhi i Berishës kishte nevojë për një rehabilitim serioz. Sundimi i tij i mëparshëm i Shqipërisë përfundoi me një katastrofë surreale, gati apokaliptike.
Në sytë e revistës amerikane, Berisha është: “Një aparatçik nga koha e ish-diktaturës staliniste, ai u ngrit në postin e presidentit nga një rebelim demokratik në fillim të viteve ‘90 dhe imponoi një regjim njëpartiak të së djathtës. Ndërsa policia sekrete mbante rendin, skemat monumentale piramidale u rritën dhe gllabëruan një pjesë të mirë të PBB-së. Kur skemat u rrëzuan më 1997, Shqipëria u zhyt në një anarki të dhunshme.
Duke u përgatitur për luftë civile, Berisha e rrethoi veten me gangsterë paraushtarakë, ndërsa partia e vet shpërndante armë nëpër zyrat partiake. Vonë më 1997, ai dha dorëheqjen nën presion të madh ndërkombëtar dhe amerikan. Dhuna vrau rreth 2 mijë vetë. Kur Stevens u punësua për t’i rishitur udhëheqësinë e Berishës popullatës shqiptare më 2005, imazhi i tij në shtëpi dhe jashtë vendit qe ai i një despoti të dalë boje. Me guxim Stevens dhe specialistët e BGR iu vunë punës për ndërtimin e një platforme të bazuar pothuajse tërësisht në premtimin për të reduktuar korrupsionin. Kështu, një nga ish-sundimtarët më të neveritshëm të Europës Lindore rilindi si një kryqtar reformash.
Stevens e paraqiti Berishën si një agjent të një ndryshimi vizionar madhështor. Gjatë një prezantimi në “Hotel Sheraton” në Shqipëri, që u raportua nga një gazetë vendose, ai këmbënguli që Berisha të merrte vlerat amerikane njësoj si George W. Bush. Edhe Berisha u tregua i gatshëm të thotë diçka të mirë mbi të. Stevens, tha kandidati, është “magjistari” i fushatës së tij dhe se ai dhe Stevens po punonin së bashku si “vëllezër siamezë”.
Një politikan i opozitës, Erjon Veliaj, i cili udhëhiqte një parti të vogël të krahut të majtë dhe një grup aktivistësh që pati përfituar financime amerikane, tha në një intervistë telefonike se Stevens pati luajtur pisët gjatë fushatës. Shumë pak para zgjedhjeve, Veliaj u tha gazetarëve se ka marrë një telefonatë kërcënuese nga një nga këshilltarët e Berishës. Në atë kohë ai nuk e tha emrin e telefonuesit. Sot, ai thotë se pas telefonatës ishte Stevens. Veliaj thotë se Stevens “doli luftëtar”, duke kërkuar mospublikimin e rezultateve të një sondazhi të komisionuar me ndihmën e ambasadave të Britanisë dhe Holandës dhe që u krye nga “Gallup International” (e cila nuk ka lidhje me ‘Gallup’ të SHBA-së). Sondazhi tregonte një garë të parehatshme të ngushtë për Berishën. Sipas Veliajt, Stevens pati kërcënuar se do të përdorë ndikimin e tij në Uashington për të ndërprerë dhënien e vizave amerikane për të në rast se ai nuk e hedh në kosh sondazhin. Veliaj e publikoi atë.
Gary Kokalari, një aktivist shqiptaro-amerikan (dhe mbështetës i Romneyt), thotë se Veliaj i kishte treguar mbi përplasjen në atë kohë. Kokalari thotë se i kishte telefonuar Stevensit për t’i thënë “të tërhiqej”.
Berisha i fitoi zgjedhjet e vitit 2005 me 5 për qind avantazh, por monitoruesit nga OSBE i quajtën zgjedhjet “zhgënjyese”, duke thënë se nuk përputheshin me standardet ndërkombëtare për shkak të “parregullsive serioze”, frikësimit, blerjes së votave dhe “dhunës të ushtruar nga ekstremistët e të dyja palëve.”
Që nga ato zgjedhje, “Economist Intelligence Unit” në Londër, e cila monitoron qeveritë e së gjithë botës, ka vijuar ta klasifikojë Shqipërinë si një hibrid mes autoritarizmit dhe demokracisë, ndërkohë që qeveria e Berishës ka qenë përplot me skandale. Në 2008-n, në një bisedë telefonike të regjistruar në mënyrë sekrete, një tregtar amerikan armësh u ankua se skema e tij për shitjen e municioneve ilegale shqiptare tek ushtria amerikane është përzierë me “mafien” shqiptare, e cila përfshinte edhe djalin e Berishës. Kur disa protestues u vranë jashtë Parlamentit shqiptar vitin e kaluar, Berisha pretendoi se ata po përpiqeshin të organizonin një gusht shteti me armë të maskuara si çadra dhe stilolapsa dhe e cilësoi prokuroren e pavarur që po hetonte vrasjet si një “kurvë bulevardi”. Dhe kur gazeta që raportoi mbi fjalimin e dashur të Stevens në “Sheraton Hotel” doli kundër Berishës pas zgjedhjeve të vitit 2005, ajo u mbyll për një kohë të shkurtër nga policia, ndërsa makina e botuesit të saj u dogj në një incident të dënuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Megjithëse Berisha ka mbetur një aleat i ngushtë i amerikanëve gjatë administratës “Obama”, si dhe u anëtarësua në NATO katër vite më parë, një kabllogram e vitit 2010 e shkruar nga ambasadori amerikan paralajmëroi se Berisha po përpiqej të rindërtonte një polici sekrete. Që kur la postin e tij në Shqipëri, ambasadori John Withers është bërë një nga kritikët më të fortë të Berishës, duke e akuzuar atë se po e udhëheq demokracinë shqiptare drejt rrënimit që nga koha kur erdhi në pushtet më 2005-n. Udhëheqja e tij shkon “ekzaktësisht kundër ndërtimit të demokracisë”, tha Withers në një intervistë me median shqiptare në mars. Qeveria e tij “në mënyrë rutinë ka sfiduar gjykatat… është përpjekur të kufizojë liritë e medias përmes ligjeve kufizuese dhe jodemokratike”, ka manipuluar proceset elektorale dhe ka treguar “një interes obsesiv vetëm për një objektiv: të qëndrojë në pushtet me çdo mjet të mundshëm”.
Pas triumfit në zgjedhjen e Berishës, Stevens shkoi në Kongo në 2006 për të ndihmuar Kabilën, i cili kishte katër vjet në pushtet, pasi e kishte marrë pushtetin nga babai i vrarë. Kabila përshkruhet si një armik edhe më i madh se Berisha i lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Aftësia e Stevens për të drejtuar fushatat e despotëve të huaj, si dhe tashmë për kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara, është një shembull tipik i fuqive botërore të konsulentëve amerikanë, por kjo vë në dyshim edhe faktin nëse ai beson me të vërtetë atë që bën”, thotë revista amerikane.
Në Shqipëri, Stevens e shiti Berishën me një platformë antikorrupsion; qeveria e tij që nga ajo kohë është përfshirë në skandale korrupsioni të tmerrshme. Në Kongo, Stevens e shiti Kabilën si një shpresë të madhe; sot, kundërshtarët politikë të Kabilës zhduken nëpër qelitë e regjimit.
Stafi i Romneyt si dhe vetë Stevens nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të lidhura me këtë artikull. Mes pyetjeve që mbetën pa përgjigje, ishte fakti nëse Stevens ende e shikon Berishën dhe Kabilën si njerëz të vlefshëm, udhëheqës vizionarë, siç i pati shitur ata dikur. Më herët, faqja zyrtare e internetit të konsulentit Stevens i rendiste Berishën e Kabilën si klientë me të cilët firma “qe krenare që pati bashkëpunuar”. Por këtë vit, kjo deklaratë u fshi nga faqja e tyre e internetit.
Artikulli
Revista
“The New Republic” – Është një revistë amerikane me karakter politik dhe artistik e botuar pa ndërprerje që nga viti 1914. Në pjesën më të madhe të historisë së vet ka qenë e përjavshme, ndërsa aktualisht botohet 20 herë në vit me një tirazh prej afërsisht 50,000 kopjesh.
Këshilltari
Stuart Stevens – Sipas revistës, organizatori kryesor i fushatës së Romneyt ka mbështetur mes të tjerëve, rikthimin në pushtet të Sali Berishës në Shqipëri si dhe Joseph Kabilës në Kongo, që të dy, të ardhur në pushtet përmes kombinimit të manipulimeve zgjedhore dhe frikësimit të votuesve
Personazhet
Berisha dhe Kabila – “…Sali Berisha kryeministër i Shqipërisë dhe Joseph Kabila, president i Kongos, janë që të dy figura autoritariste që kanë alarmuar grupimet e të drejtave të njeriut dhe me raste, edhe Departamentin Amerikan të Shtetit…”.