Sekretarja amerikane e Shtetit kryen një nga udhëtimet e fundit në këtë post 


Gjatë vizitës së sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në Beograd e Prishtinë pritet që të kërkohet tejkalimi i së kaluarës të hidhur dhe fillimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, nis turin e saj në Ballkan, gjatë të cilit do të ndalet edhe në Serbi, Kosovë, si edhe në Tiranë. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Clinton “do t’i kërkojë Serbisë dhe Kosovës që t’i tejkalojnë dallimet e hidhura dhe të integrohen plotësisht në BE dhe në NATO”.


Clinton, që këtë të hënë së pari do të zhvillojë bisedime në Algjeri mbi krizën politike në Mali, do të bashkohet me shefen e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, në Ballkan, ku të dyja pritet të nxisin më shumë këtë pjesë të rajonit për një integrim më të madh në BE. Pas vizitës në Beograd, të dyja diplomatet e larta do të qëndrojnë në Prishtinë për të mbështetur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Vizitat e një niveli të tillë kaq të lartë vijnë menjëherë pas takimit të 19 tetorit në Bruksel të zhvilluar mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç.


Diplomatja e lartë do të vizitojë edhe Bosnjën, shtet ky që ende duhet të aplikojë për anëtarësim në BE. Clinton e ka vizituar për herë të fundit Bosnjën dhe Serbinë, në vitin 2010.