Nis diskutimi i draftit për mediat audiovizive. Shqyrtimi ecën ngadalë


Deputetët e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit kanë nisur dje diskutimin nen për nen të projektligjit për transmetimet audiovizive, i cili ka qëndruar në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë përreth gjashtë vjet. Relatori i këtij drafti, deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, në një prononcim për “Top Channel” është ndalur në pikën 29 të nenit 3, ku ka kërkuar të përcaktohet në mënyrë të qartë, nocioni reklamë publike dhe shtetërore. “Konkretisht ne duhet ta përcaktojmë në ligj që çfarë konsiderohet reklamë me këto dy nocione dhe më pas kur të bëjmë përkufizimet, të përjashtojmë reklamën politike dhe publike nga operatorët dhe nga buxhetet publike, duhet të jemi të qartë që në fillim. Nëse në përkufizimet e ligjit, pra që në kreun e ligjit mungojnë këto nocione, atëherë do të thotë që ne e kemi nisur pa pasur gurët e themelit”, theksoi deputeti socialist, Dalipi. Sipas tij, ky përcaktim është shumë i rëndësishëm pasi nuk u lejon qeverive të abuzojnë me fondet publike për reklama. “Nëse ne nuk përcaktojmë nocionet, të cilat duhet të përjashtohen nesër, nuk mund të nxjerrim konkluzione se cilat struktura publike kanë qenë abuzive me fondet publike. Konkretisht, përcaktimi i këtyre nocioneve do të na çojë nesër edhe te kufizimi i qartë dhe përjashtimi i çfarëdolloj abuzimi nga strukturat publike të fondeve publike”, theksoi deputeti Alfred Dalipi në lidhje me këtë nismë të rëndësishme. Nga ana tjetër, nevojën për një qartësim më të madh për këtë çështje, e shprehu dhe relatori i mazhorancës për këtë draft, deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku. Dje dy palët në komision arritën të miratonin vetëm 4 nene nga 136 që janë në total. Partia Socialiste prej kohësh ka nisur një fushatë denoncimesh në lidhje me ato që i quan abuzimeve të mëdha me reklamën shtetërore. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, për një javë me radhë në mesin e shtatorit foli për shifra marramendëse të përdorura nga qeveria për reklama dhe hodhi dritë mbi një mungesë transparence të theksuar nga ministritë shqiptare. Përmes dokumenteve ai zbuloi një tentativë serioze për të deformuar thellësisht tregun mediatik. Pabarazia e fondeve, duke anashkaluar në mënyrë flagrante kriterin e audiencës së medias vizive dhe tirazhit të gazetave, solli në vëmendjen e të gjithëve rastin më flagrant të një skandali shtetëror. Ky skandal u thellua edhe më tej kur u analizuan fakte serioze; shpenzimi pa kriter i parave të qytetarëve, ndërkohë që vetë qeveria fliste për shkurtime fondesh në sektorë strategjikë, apo mungesë të fondeve për përballimin e emergjencave civile. Nga ana tjetër, ministritë i fshihnin reklamat ndërkohë që kanë detyrim ligjor të bëjnë publike çdo qindarkë të shpenzuar në faqet online të tyre. Sipas përfaqësuesve të opozitës, rreth 17 milionë dollarë ishin paratë që shpenzuan ministritë nga viti 2007 deri në 2012-n për reklama dhe festime dhe pjesën më dërrmuese të këtij lumi parash e morën kompani, televizione dhe gazeta pranë qeverisë. Tashmë duket se kërkesa e opozitës për përcaktimin e qartë të nocionit “reklamë publike” dhe “reklamë politike”, është një ogur më shpresëdhënës se hetimet e prokurorisë shqiptare, për të ndalur njëherë e mirë abuzimet e rënda të qeverisë me reklamën shtetërore.


 


Deputeti i PS-së


Nëse në përkufizimet e ligjit, pra që në kreun e ligjit mungojnë këto nocione, atëherë do të thotë që ne e kemi nisur pa pasur gurët e themelit