MITRO ÇELA


Një natë lexova haberin: Shqipëria është në vendin e 12 në botë në lirinë për të bërë biznes. M’u kujtua një shprehje e Ramës: “Berisha paguan për të rregulluar shifrat!”. Por kur dëgjova komentin e Berishës se kemi qenë në vendin e 56 në botë dhe kemi zbritur 44 shkallë, kuptova që shakaja e Ramës nuk pinte ujë?!


Nuk më zuri gjumi nga gazi atë natë. Ëndërroja me sy hapur: Pse të mos merrem edhe unë me biznes?…Po paratë, më thoshte mendja brenda mendjes? E njëjta mendje jepte xhuvap: Bankat i kemi të krimbura me para. Kursimet e qytetarëve kanë arritur në 10 miliardë dollarë.


Më erdhi një tjetër kundërshtim nga brenda vetes. Jetojmë në “gojën e ujkut”, domethënë rrethohemi nga vende që i mbyti kriza. Bankat greke dhe italiane vuajnë për para. Mos vallë edhe bankat tona dalin me humbje? Nga sëkëlldia më nxori një informacion i botuar në shtypin e ditës: Këtë vit, bankat tona kanë dalë me 120 milionë dollarë fitim. Më shumë se vjet. Shumë më shumë se parvjet…


Ja paratë i gjeta. Mendova. Çfarë biznesi të gatuaj?… Më nxori në selamet populli me fjalën e urtë: “Paraja e hedh ujin në hava”… I armatosur me besim dhe kurajë mora rrugën për te “Rajfazen Bank”. Më e madhja në Shqipëri. Pronari nga Vjena… Iu afrova sportelit. Një vajzë bionde më vështronte në dritë të syrit?…Njihemi, – i thashë,- ndërsa mishi më ishte bërë koqe-koqe… Ne i duam klientët, – buzëqeshi biondina, duke nxjerrë jashtë një palë dhëmbë si rruazë.


– Më duhen 500 mijë euro kredi… Dua të hap një biznes të ri…


– Kush të këshilloi të vish tek banka jonë, – më tha biondina, që tashmë e kishte tretur buzëqeshjen…- Sali Berisha,- ju përgjigja, duke nxjerrë gjoksin përpara, si heronjtë e filmave të realizmit socialist.


Vajza doli nga sporteli. U fut në një zyrë. Andej dolën dy bodigardë. Me shumë respekt më futën krahun. M’u kujtua nga shkolla teorema e dy policëve: “Në se dy policë të kanë futur në mes dhe ata shkojnë në Rajonin e Policisë, edhe t’i do futesh në polici.”


Ndërkohë u dëgjua sirena e një autoambulance… Më kishin marrë për të marrë dhe kishin njoftuar spitalin psikiatrik… Shyqyr o Zot, që në spital punon vëllai im i vogël. Është radiolog. Ai u bë garant, që nuk kisha rrjedhur nga fiqiri! Shkarjen, sipas doktorit, e kisha nga haberi i kryeministrit!