“Fiks Fare”
Tiranë, jetimët që jetojnë në konviktin e ish-shkollës së rezervave, një javë pa drita
Dikur ata janë braktisur nga prindërit e tyre dhe morën emrin “fëmijët e shtetit”, pas moshës 14-vjeçare ata janë fëmijët e askujt. Të gjithë jetimët, pasi mbushin këtë moshë, largohen nga shtëpitë e fëmijëve dhe strehohen nëpër konvikte, kushtet e së cilave janë tepër të vështira. “Fiks Fare”, mbrëmjen e kaluar ktheu sërish vëmendjen drejt një problemi social, për të cilin nuk është marrë asnjë masë veç miratimit të një statusi që askush nuk e njeh. Disa jetimë në Tiranë janë strehuar në një godinë, e cila para viteve ‘90 ka shërbyer si ambient për shkollat profesionale. Prej një jave ata po jetojnë në errësirë të plotë, pasi u është shkëputur energjia elektrike. Shteti nuk ka paguar në CEZ faturën e lartë, të cilën i detyrohet. Kjo situatë ka shtuar edhe më tepër vështirësitë e një jetese në kushtet aspak të favorshme që ofron konvikti. Prej 21 vjetësh, askush nuk ka vënë dorë në përmirësimin e kushteve të godinës.
60 persona me statusin e jetimit jetojnë në gjendje të mjerueshme. Dhomat janë të improvizuara dhe ndahen mes shumë jetimëve. Për familjarët situata është edhe më e vështirë, atyre u duhet të rrisin fëmijët e tyre në kushte aspak të mira.
Ndërprerja e energjisë elektrike e ka bërë situatën edhe më problematike. Jetimët tregojnë se kanë ditë që nuk lahen, pasi nuk ka ujë. Nuk kanë se çfarë të gatuajnë dhe ushqehen vetëm me ushqime të thata, madje dhe fëmijëve nuk kanë se çfarë t’u japin për të ngrënë. Ata thonë se ndihen të braktisur për të dytën herë. Shteti nuk mendon më për ata dhe i ka lënë në mëshirë të fatit. Sipas tyre, statusi që ata gëzojnë nuk respektohet nga askush. Asnjë qeveri nuk ka marrë masa për strehimin e tyre, ndërkohë që të gjithë jetimët punojnë në të zezë, pasi shteti nuk u krijon mundësi punësimi. Ata jetojnë vetëm me 30 mijë lekë ndihmë që u jep shteti shqiptar. Në të shumtën e rasteve me këto para blenë vetëm miell për të mos ngelur pa ngrënë. E kontaktuar nga “Fiks Fare”, drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, që ka në varësi edhe konviktin ku janë strehuar jetimët në moshë madhore është shprehur se është në dijeni të problemit të energjisë elektrike. Sipas saj, janë marrë masat për zgjidhjen e problemit dhe duke nisur nga dita e hënë, do të nisin procedurat për çeljen e fondit, në mënyrë që të paguhet debia e mbetur.
Situata paraqitet edhe më problematike në konviktin ku janë strehuar jetimët në qytetin e Shkodrës. Në këtë godinë mungojnë kushtet minimale për një jetesë normale. Banjat janë jashtë funksionit, ndërkohë që jetimët lahen me kova, pasi mungojnë dushet. Një djalë jetim, 17 vjeç, prej disa vitesh jeton në një dhomë ku mungon edhe krevati. Pasuria e tij e vetme është një jorgan, të cilin ai e shtron çdo natë për të fjetur në dyshemenë e ftohtë të konviktit, ku dyert dhe dritaret janë luks. Të strehuarit në këto ambiente thonë se askush nuk i ka ndihmuar dhe kudo që shkojnë gjejnë vetëm dyer të mbyllura. Ata thonë se jetojnë vetëm me 30 mijë lekë që u jep shteti dhe mundohen që të paktën të ushqehen. Herë pas here gjejnë ndonjë punë, por gjithmonë në të zezë. Njëzëri ata i bëjnë thirrje Kryeministrit të kthejë sytë nga jetimët, pasi janë në mëshirë të fatit.
Kadri Alia, presidenti i Shoqatës së Jetimëve në Shqipëri, është shprehur se këto 20 vite shteti nuk ka bërë asgjë për jetimët. Sipas tij, jetimët janë harruar nga çdo qeveri, pasi asnjëra prej tyre nuk ka zbatuar ligjin për jetimët. Sipas tij, sot asnjë jetim nuk ka mundësi të strehohet, të shkollohet dhe të punësohet sipas asaj që parashikon ligji. Vetë zoti Alia bën thirrje qeverisë të përqendrohet te jetimët, pasi kjo nuk është një çështje politike. Sipas tij, në rast se nuk do të merren masat, të gjithë jetimët do të futen në grevë urie.