Konferenca e krerëve të grupeve parlamentare rrëzon kërkesën e opozitës për krijimin e komisionit hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes. Nisma e 35 deputetëve të opozitës për krijimin e komisionit të posaçëm hetimor u shqyrtua në mbledhjen e mbajtur dje në drekë, ku veç programit të punës për periudhën 5 nëntor- 27 dhjetor 2012, si dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, 5 nëntor – 22 nëntor, u shqyrtua dhe nisma e PS-së. E mbledhur nën drejtimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli, mazhoranca e ka cilësuar si të pabazuar dhe të pambështetur në ligj nismën e opozitës. Kuvendit ftoi grupin parlamentar të PS-së ta rishohë atë, në mënyrë që të jetë në përputhje me ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Në Konferencën e Kryetarëve, Sali Berisha shprehu përmes mëkëmbësve të tij refuzimin për hetimin e aferave dhe të shkeljeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Topalli, Patozi, Rusmaili etj., ishin porositur të refuzojnë me çdo kusht ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për Ministrinë e Mbrojtjes të kërkuar nga grupi parlamentar socialist, megjithëse kjo është një e drejtë e pakundërshtueshme e opozitës, që buron nga Kushtetuta dhe nga ligji për komisionet hetimore parlamentare”, shprehet deputeti i PS-së, Balla. Më tej ai shprehet se “Sali Berisha ka frikë nga hetimi i Imamit, sepse e di mirë se aty fshihen shkelje të rënda të ligjit: keqpërdorimi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe përfshirja e tij në veprimtari të paligjshme; trafiku dhe shitja e armatimit të Forcave të Armatosura; abuzimet dhe keqmenaxhimi me pronat e ushtrisë shqiptare, abuzimi me procesin e dhënies së gradave dhe çështje të tjera të rëndësishme në kuadër të funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes”. Debati për komisionin hetimor do të zhvendoset në seancën plenare të së enjtes, por Balla thekson se “duket qartë se Sali Berisha nuk do të pranojë ngritjen e këtij komisioni hetimor për Imamin e vet të punëve të zeza”.