Protestuesit shpjegojnë se CEZ u ka ndërprerë dritat pa motiv
Ardian Bushi
As reshjet e dendura të shiut nuk i kanë penguar banorët e Komunës së Zejmenit për ndërprerjen e padrejtë të energjisë elektrike. Në mes të shiut të pandalshëm, ata kanë dalë për të protestuar ndaj mungesës së energjisë elektrike, e para e këtij lloji pas dy javësh errësirë, ndërkohë që pritet të vazhdohet me protesta të tjera. Pas fshatrave të Komunës së Kolshit, tashmë janë banorët e Komunës së Zejmenit që kanë përshkallëzuar protestën e tyre, pasi nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje ligjore gjatë këtyre ditëve që nuk janë furnizuar me energji elektrike, ndonëse kanë paguar rregullisht energjinë elektrike. Banorët e Komunës së Zejmenit në Lezhë kanë bllokuar autostradën Fushë Krujë-Lezhë në shenjë proteste për mungesën njëjavore të energjisë elektrike. Për 45 minuta, aksi rrugor që lidh Lezhën me Laçin është bllokuar plotësisht nga banorët, që kërkojnë rilidhjen e energjisë, pasi sipas tyre është vetëm 20% e popullatës që nuk ka paguar faturat, ndërsa pjesa tjetër ka vijuar rregullisht me pagesat. Sipas banorëve, dënimi kolektiv nuk duhet zbatuar në zonat të cilat kanë debi mjaft të ulët, duke shtuar se do të vijojnë me protestat edhe në ditët në vazhdim.
Kanë qenë mbi 100 banorë që kanë dalë në protestë, ndërkohë që Policia e Lezhës e ka pasur të pamundur largimin e tyre nga rruga nacionale, kjo edhe për shkak të irritimit të tyre, të cilët kanë më shumë se dy javë që nuk furnizohen me energji elektrike.
Drejtuesit e Komunës së Zejmenit thanë se “sipas statistikave, vetëm 20% e banorëve të kësaj komune nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike, ndërsa pjesa tjetër e popullatës ka shlyer të gjitha detyrimet. Banorët kanë kërkuar t’i jepet fund kësaj situate, që vijon pa të drejtë prej shumë ditësh nga kompania CEZ, ndërkohë që temperatura kanë nisur të ulen gjatë këtyre ditëve dhe situata është problematike.
Banorët e kësaj komune, gjatë protestës së tyre, janë mbikëqyrur nga policia, e cila ka komunikuar me ta, duke i paralajmëruar se do dënohen për bllokimin e rrugës. Ata kanë qenë të vendosur në nismën e tyre për bllokimin e rrugës. Sipas banorëve, edhe në ditët në vazhdim do të bëhet bllokimi i superstradës, por edhe i rrugëve dytësore, për të ndërprerë qarkullimin e mjeteve, që lidhin Veriun me Shqipërinë e Mesme. Ata kanë apeluar që drejtuesit të pushtetit vendor të ndërhyjnë dhe të rikthehet në mënyrë urgjente furnizimi i tyre me energji elektrike, në mënyrë që protesta të mos përshkallëzohet më shumë.
Sipas të dhënave, disa banorë të Manatisë, të cilëve u është ndërprerë energjia për shkak të debive, kanë formuar qarqe të shkurtra në linjën e tensionit të lartë, duke mos lejuar furnizimin me energji elektrike as të fshatrave të tjerë, respektivisht të Komunës Kolsh dhe Zejmen. Policia ka qenë e paaftë deri tani të gjejë autorët e ndërhyrjes së paligjshme në linjat elektrike, ndërkohë që CEZ nuk e ka lidhur më energjinë elektrike për Komunën e Zejmenit. Në këto kushte, banorët u ngritën në protestë, duke kërkuar rikthimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye, përfaqësues të komunave kanë takuar edhe përfaqësues të CEZ-it, të cilët nuk u kanë dhënë zgjidhje.
Defekti
Puka dhe tri komuna, 24 orë pa energji elektrike
Qyteti i Pukës dhe tri komuna janë pa energji elektrike, prej më shumë se 24 orësh. Shkak për këtë situatë është bërë dëmtimi i linjës së tensionit të lartë 35 KW Fushë Arrëz-Pukë. Si rrjedhojë, të gjithë banorët e qytetit të Pukës dhe të komunave Qerret, Qelëz dhe Rrapëz janë në terr të plotë. Situata është përkeqësuar nga dëmtimi i një tjetër shtylle të tensionit të lartë pranë hidrocentralit të Komanit. Specialistët deklarojnë se dëmtimi i kësaj shtylle dhe defektet në linjat e tensionit të lartë në Pukë rrezikojnë rënien e sistemit në HEC-in e Komanit. Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur edhe në disa lagje të Shkodrës, ndërkohë që CEZ-i njoftoi se dje do të rifillonin ndërprerjet e energjisë elektrike për të gjithë debitorët, megjithëse kjo kompani nuk është treguar shumë e shpejtë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike për konsumatorët e rregullt që e paguajnë atë.