Filohelenizmi dhe romanticizmi ishin kauza që sollën shumë udhëtarë britanikë në rajon, tashmë shtysat dhe qëndrimi ndaj tij përcaktohet nga udhëtimi në vetvete, duke e zgjeruar hartën dhe me vendet e tjera të Ballkanit, si Serbi, Mali i Zi, Bullgari e Rumani dhe politika britanike për sa i përket Çështjes Lindore
Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin, fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë të qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë
Periudha e dytë e udhëtimeve të Durhamit (1910-1914) karakterizohet kryesisht nga përfshirja e saj në aktivitetin politik të shqiptarëve dhe asistencën sociale ndaj popullatës së keqtrajtuar nga otomanët pas kryengritjeve të shqiptarëve më 1909-1910 e sidomos asaj të 1911-s
Dorian Koçi
Revolucioni industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit XIX krijuan premisat që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, shumë të lodhshëm dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve britanikë që vazhduan të vizitojnë Ballkanin, vazhdoi të rritej ndjeshëm, veçse shtysa për ta vizituar atë dhe qëndrimi ndaj tij fillon të ndryshojë. Nëse në gjysmën e parë të shekullit XIX, Filohelenizmi dhe romanticizmi ishin kauza që sollën shumë udhëtarë britanikë në rajon, tashmë shtysat dhe qëndrimi ndaj tij përcaktohet nga udhëtimi në vetvete duke e zgjeruar hartën dhe me vendet e tjera të Ballkanit, si Serbi, Mali i Zi, Bullgari e Rumani dhe politika britanike për sa i përket çështjes lindore. Për herë të parë kemi dhe dukurinë e femrave udhëtare, gjë që dëshmon se tashmë udhëtimi ishte bërë një fenomen i stabilizuar mirë në kulturën britanike, sidomos në atë Eduardiane.
Në mes të udhëtarëve që vizitojnë Ballkanin dhe që ka lënë gjurmë ende në viset që ajo përshkoi është Mery Edith Durham (1863-1944). Ajo ishte 37 vjeçe kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit. Së pari, që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual e politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Së dyti, përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbejnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhura nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Por përveç kësaj, Durham ishte një grua udhëtare me interesa të gjera dhe e përfshirë në shumë aktivitete të ndryshme. Edhe pse ajo njihet më mirë si një etnografe, ishte gjithashtu një gazetare korrespondente, punonjëse sociale dhe aktiviste politike. Edhe pse interesi i saj për Ballkanin e thënë me fjalët e saj nisi nga dëshira “vetëm për të udhëtuar dhe për një ndryshim”, ka të ngjarë se duke qenë një artist mund të jetë inspiruar nga ditari i Edward Lear, “Journal of a Landscape Painter in Albania”.
Edith Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale dhe artikujsh për historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj, ku sipas Noel Malcom ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”. Veprat e saj, sipas rendit kronologjik, janë: “Through the Lands of the Serb” (1904), “The burden of the Balkans” (1905), “High Albania” (1909), “The struggle for Scutari” (1914), “Twenty Years of Balkan Tangle” (1920), “The Sarajevo Crime” (1925) dhe “Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans” (1928).
Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë të qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë p.sh. dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu, në veprat e saj shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke arnaut, por me emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar. Kjo gjë ndodh pasi Durham nuk ishte e ngarkuar emocionalisht me një kulturë antike dhe rrjedhimisht nuk ishte e influencuar nga Filohelenizmi, gjë që mund t’i sillte paragjykimin për të kërkuar dhe emërtuar çdo gjë në greqisht në rajon rreth një shekull më parë. Për më tepër, ajo nuk ishte e përfshirë politikisht në shërbimin diplomatik si ky i fundit dhe as kish ndonjë qëllim si Edward Lear (1812-1888) për të pikturuar peizazhe mbresëlënëse, ndaj kur vizitoi Ballkanin e gjeti aty Çështjen Lindore dhe zgjodhi si qëllim të udhëtimeve të veta njohjen sa më mirë të Ballkanit dhe paraqitjen sa më të drejtë të problemeve politike në rajon. Udhëtimet e saj mund të ndahen në dy periudha. Në periudhën e parë, 1900-1908, ajo mësoi shumë gjëra për popujt, gjeografinë dhe historinë e rajonit. Është kjo koha kur ajo bën vëzhgimet më të thella për rajonin dhe mundohet t’u japë përgjigje shumë nga intrigave ballkanike lidhur me pretendimet territoriale pas tërheqjes së mundshme të otomanëve nga Ballkani. Durham edhe kur bie viktimë e këtyre intrigave si është rasti kur në librin e saj të parë “Through the Lands of the Serb” shkruan se “Shkodra nuk është vetëm një vend interesant për t’u vizituar nga Cetina; por i përket me të drejtë historisë serbe”, duke sugjeruar saktë se kujt duhet t’i përkasë qyteti pas tërheqjes së otomanëve, por nuk mënon që “dhjetë vjet më vonë”, si pasojë e udhëtimeve dhe njohjes më të mirë të realitetit, “t’i protestojë komunitetit ndërkombëtar kundër sulmit malazez dhe serb ndaj Shkodrës, duke konsideruar se i gjithë vilajeti i Shkodrës ishte me kombësi shqiptare”. Është po kjo koha kur ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë grupeve etnike dhe fetare të Ballkanit dhe mënyrës sesi ato konkurronin për të fituar njohje ndërkombëtare në periudhën e zgjimit të ndjenjave kombëtare duke u munduar të japë një pasqyrim sa më të saktë të tyre. Edhe pse ajo udhëtoi në Serbi, Bosnjë dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Malin e Zi, Durham një pjesë të mirë të shkrimeve të veta ia kushtoi Shqipërisë. Në fakt, ka autorë që e akuzuan për njëanshmëri kur ajo mbronte kauzën e shqiptarëve, por duke vëzhguar realitetin në Ballkan, shqiptarët në fakt ishin më të pambrojturit, pasi kombet e tjera të Ballkanit i kishin krijuar shtetet e tyre nacionale, kurse ata ishin ende nën Perandorinë Otomane. Në pazaret që bëheshin në Çështjen Lindore, shqiptarët dhe territoret e tyre lakmoheshin nga të gjithë fqinjët ballkanikë. Durham, duke qenë në mes të këtyre intrigave, ishte në dijeni të tyre, prandaj dhe denoncimi i saj merr një vlerë të madhe historike. Durham në kundërshtim me udhëtarët e tjerë britanikë, nuk ka paragjykime ndaj popullsive në Ballkan dhe as kompleksin e superioritetit kulturor ndaj kulturave ballkanike. Kështu p.sh., ajo nuk ngurron të denoncojë dhe keqadministrimin e Bosnjës nga Austro-Hungaria më 1906-n, kur shumica e udhëtarëve britanikë e lavdëronin atë. Apo të denoncojë edhe pushtetin kolonial anglez kur viziton Egjiptin më 1911-n, duke shkruar se “unë nuk mund të dëshiroja të isha një vendas nën sundimin britanik me asnjë lloj çmimi.” Ajo nuk kishte asnjë paragjykim kundër ndonjë besimi të veçantë fetar, dhe nëse ajo e gjeti Ballkanin të çuditshëm dhe të ri në të njëjtën kohë ishte shumë e predispozuar për të treguar ngjashmëri midis fiseve të Shqipërisë së veriut dhe atyre të vendlindjes së saj, Londrës veriore. Nëse fiset shqiptare parashikonin të ardhmen nga eshtrat e gjoksit të pulave, anglezët e parashikonin atë nëpërmjet fallit në dorë dhe spiritualizmit. Kjo lloj përqasjeje ndaj Ballkanit, origjinaliteti i prezantimeve dhe përshkrimeve të gjalla të aventurave të saj, i siguruan jo vetëm lexues të shumtë në Britani, por edhe njohje si autoritet i veçantë në fushën e etnologjisë dhe antropologjisë.
Periudha e dytë e udhëtimeve të saj (1910-1914) karakterizohet kryesisht nga përfshirja e saj në aktivitetin politik të shqiptarëve dhe asistencën sociale ndaj popullatës së keqtrajtuar nga otomanët pas kryengritjeve të shqiptarëve më 1909-1910 e sidomos asaj të 1911-s. Që në udhëtimin e saj të parë, Durham do të tregojë interesim politik për fatet e këtyre popullsive, por kjo periudhë është momenti kur diskursi i saj do të fitojë edhe një qëndrim të qartë politik. Nëse sërish gjithë udhëtarët britanikë të kësaj kohe, ishin konform politikës pro otomane që ndiqte Britania në rajon në kuadër të Çështjes Lindore, Durham është kundër kësaj politike dhe qartazi sulmon administratën turke për mënyrën sesi qeveriste popullsitë e krishtera. “Unë isha rritur duke e konsideruar turkun si një individ të virtytshëm. Tani asnjëherë nuk e kaloj kufirin e tij pa shpresuar se shumë shpejt do të mund të bëhesha dëshmitar i tërheqjes së tij nga Europa”. Ajo kishte marrëdhënie të ngushta me shumë figura të rëndësishme të politikës malazeze e shqiptare dhe shpeshherë u bë zëdhënësja e ngjarjeve politike të Ballkanit në shtypin europian. Durham punoi si korrespondente e disa gazetave kryesore britanike si “The Manchester Guardian”, “Pall Mall Gazette” dhe “Times”, në të cilat ajo përcolli gjithë dinamizmin, intrigat dhe tensionin e Ballkanit. Në këtë sens artikujt e saj, përveç se shërbejnë si dëshmi të momenteve të ndryshme politike që kaloi Ballkani, si kryengritjet shqiptare dhe luftërat ballkanike, janë përgjegjëse edhe për krijimin e imazhit të dhunshëm të Ballkanit në Britani. Tmerret dhe masakrat e luftërave ballkanike u përcollën drejtpërsëdrejti te publiku britanik, duke e bërë këtë fundit të meditojë dhe të reflektojë për këtë cep të largët të Europës. Është pikërisht ky moment, kur sipas Todorovës në gjuhët europiane hyn kuptimi i fjalës to “balkanize”, e cila do të thotë të ndahet apo të fragmentohet. Natyrisht që Durham nuk ishte e ndërgjegjshme se po ndikonte në krijimin e një etike kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për të ishte emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve, malazezëve, grekëve dhe bullgarëve shpeshherë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i saj dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e ngjarjeve në vitet ‘90 në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të sakta dhe mjaft studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga të gjithë udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan, gjë që s’i ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.
Bibliografi:
1- Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3 (Jul. 2004)
2- Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995
3- John Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press
4- Maria Todorova. “Ballkani imagjinar” Instituti i Dialogut & Komunikimit. Tiranë: 2004
5- Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904
6- Noel Malcolm. Bosnia, A Short History. London: MacMillan London Limited, 1994