Ndihma ekonomike


Kategoritë e reja që i shtohen përfitimit, në listë edhe fëmijët me prindër të dënuar


Shpresa Mezini


Shtohen kategoritë që do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Listës së familjeve që plotësojnë kushtet për të përfituar asistencë sociale i bashkëngjiten një sërë kategorish të tjera, ku përfshihen jetimët, të cilët nuk janë të regjistruar në institucionet përkatëse dhe familjet në nevojë, që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga Ministria e Punës. Sipas të dhënave, paga mujore që përfitojnë këto kategori personash është 3000 lekë të reja në muaj.


“Ndihmë ekonomike do të përfitojnë familjet në nevojë që kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët nën moshë pune, për shkak të vdekjes së të dy prindërve; si kryefamiljar njërin nga fëmijët nën moshë pune, kur njeri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar njërin nga fëmijët nën moshë pune, kur njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi punë dhe nën moshë punë, të cilët nuk përfitojnë pension, si edhe si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi moshë punë dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension”, parashikohet në ligj.


Sipas përfaqësuesve të shërbimit social shtetërore skema e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike ka pësuar “tkurrje”. Tanimë janë 1582 familje më pak. Këto familje ishin të përfshira në skemë deri një vit më parë. Deri në dhjetor të vitit 2011, u trajtuan me ndihmë ekonomike rreth 99 mijë në total.


“Numri i familjeve të përjashtuara nga njësitë e qeverisjes vendore i përket asaj kategorie që u është lënë detyrë njësive të qeverisjes vendore për t’u larguar nga skema e ndihmës ekonomike, si rrjedhojë e kontrolleve të ushtruara nga strukturat tona të kontrollit për vitin 2011”, sqarojnë ekspertët për gazetën “Shqip”.


Specialistët e Ministrisë së Punës, sqarojnë për gazetën “Shqip” se prej një viti në Tiranë dhe në Shkodër është pilotuar shërbimi i kujdestarisë, ndërsa deri në vitin 2013 synohet shtrirja e tij edhe në njësitë e tjera vendore.


“Nga faza e pilotimit rezultojnë se janë vendosur në familje kujdestare 85 fëmijë, në Shkodër 22 fëmijë dhe në Tiranë 63 fëmijë. Për vitin 2012 mendohet që numri i fëmijëve që do të përfitojnë këtë shërbim të jetë 150, nga të cilët 80 fëmijë të trajtohen nga projekti UNICEF dhe për fëmijët e tjerë shpenzimet do të përballohen nga buxheti i shtetit”, thonë ekspertët.


“Për dymujorin e parë të vitit 2012, janar-shkurt, janë kontrolluar 43 njësi të qeverisjes vendore. Nga këto inspektime janë konstatuar rreth 357 raste me një efekt financiar prej 761 mijë lekësh, ku familjet në skemën e ndihmës ekonomike e përfitonin në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve këtë pagesë. Gjithashtu janë konstatuar edhe 73 raste si pagesa të padrejta të pagesës së personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar prej 614 000 lekësh. Për personat përgjegjës janë propozuar gjithsej pesë masa administrative të ndara këto në katër vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra dhe një gjobë me nga një dhe dy paga për personat përgjegjës”, sqarojnë specialistët e shërbimit social shtetëror.


 


Pagesa – Paga mujore që përfitojnë jetimët dhe familjet në nevojë, ato që plotësojnë kushtet është tre mijë lekë të reja


Kujdestaria – Prej një viti në Tiranë dhe në Shkodër është pilotuar shërbimi i kujdestarisë, ndërsa deri në 2013-n synohet shtrirja e tij më gjerë


Strehimi – Nga faza e pilotimit janë vendosur në familje kujdestare 85 fëmijë, në Shkodër 22 fëmijë dhe në Tiranë 63 fëmijë


 


 


Përfituesit



  • Jetimët që nuk janë të regjistruar në institucionet shtetërore, që ofrojnë strehimin e tyre deri në një moshë të caktuar

  • Familjet në nevojë që kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët nën moshë pune, për shkak të vdekjes së të dy prindërve

  • Kur kryefamiljar është një nga fëmijët nën moshë pune, kur një prej prindërve është dënuar, ndërsa prindi tjetër nuk jeton më

  • Kur kryefamiljar është një nga fëmijët nën moshë pune, kur njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate

  • Kur kryefamiljare është nëna, ndërsa prindi tjetër nuk jeton dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi moshë punë dhe nën moshë pune

  • Kur kryefamiljar është një pjesëtar i familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension