Kryeministri i vendit Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e sotme në Konferencën “Ritheksimi i pavarësisë së autoritetit rregullator të sektorit financiar”. ai ka shprehur rëndësinë që ka informimi i qytetarëve në lidhje me tregun me vetë zhvillimin dhe ecurinë e tij. Ndërkohë, Berisha ka shprehur shqetësimin e tij për situatën ku ndodhet tregu i fondeve për pensionet dhe akuzoi opozitën se ka bllokuar reformën për 3 vite rresht dhe paralajmëroi rinisjen e negociatave me PS.
“Tregu i fondeve të pensioneve është problematik për shkak të ligjvënësit. Reforma e pensioneve është e përgatitur. Ne jemi të hapur. Ne kemi ligjin dhe të gjitha vendimet për funksionimin e tregut. Por, ka një hezitim që kapërcehet në një seri stimujsh dhe praktikash. Reforma e pensioneve ka 2-3 vite që ndodhet në sirtar, kjo sepse opozita refuzon, ndonëse ka pranuar të votojë tekstin”, – deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë që ka pavarësia e enteve rregullatore në stabilitetin ekonomik të vendit.
“Pavarësia e enteve rregullatore përbën kushtin më vendimtar të funksionimit të tyre dhe përmbushjen e misionit. Kjo pavarësisë është natyrisht përgjegjshmëria më e madhe e tyre ndaj ligjit, tregut dhe konsumatorit”,- shtoi Berisha.
31 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)