Durrës,


100-vjetor pa para. Kryebashkiaku: Paratë iu kaluan ujësjellësit për të paguar borxhin ndaj CEZ


Atmosfera e vërtetë gjithsesi pritet të krijohet përmes një ceremonie festive, dy ditë para datës historike të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë


Situata financiare në Bashkinë e Durrësit vë në rrezik festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Ashtu si të gjithë shqiptarët, edhe qytetarët durrsakë presin afrimin e këtij jubileu historik. Po ndërsa ditët afrohen me shpejtësi, gjendja në arkën e bashkisë rrezikon atmosferën dhe aktivitetet e planifikuara më parë me këtë rast. Tërheqja e grantit qeveritar të akorduar për Bashkinë e Durrësit në favor të shlyerjes së borxheve të Ujësjellësit ndaj CEZ, si dhe mosmbledhja e taksave të biznesit të vogël kanë krijuar probleme të mëdha, të cilat kanë shkaktuar së pari vështirësi në pagimin e punonjësve bashkiakë, cenim të investimeve publike të parashikuara dhe vënien në pikëpyetje të aktiviteteve të parashikuara për t’u zhvilluar në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Shkak, sipas kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është bërë akti normativ i miratuar në Kuvend i cili prek transfertën e pakushtëzuar të Bashkisë së Durrësit për t’ia kaluar Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizime në funksion të shlyerjes së borxheve të saj ndaj CEZ. Deputeti dhe kreu i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, lidhur me situatën shprehet se reagimi i Dakos ndaj aktit normativ është i dëshpëruar pasi e nxjerr administratën bashkiake dhe strukturat e saj zbuluar, në lidhje me realizimin e të ardhurave, kryesisht të siguruara nga mbledhja e taksave të biznesit të vogël, si dhe taksave të qytetarëve. Qëndrime të ndryshme mes dy palëve ka dhe në lidhje me detyrimet ndaj Ujësjellësit dhe rrjedhimisht komunitetit. Kryebashkiaku Dako shprehet se Shoqëria Ujësjellës-Kanalizimeve nuk i ka kaluar bashkisë dhe nuk ka pse krejt papritur transferta e pakushtëzuar e qeverisë për bashkinë të kushtëzohet në drejtim të një borxhi të akumuluar nga keqmenaxhimi i shoqërisë. Atmosfera e vërtetë gjithsesi pritet të krijohet përmes një ceremonie festive, dy ditë para datës historike të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Më 26 Nëntor 1912, ngritja e flamurit në Durrës do të përmbushte porosinë e plakut të mençur e të nderuar Ismail Qemali, që qyteti bregdetar ta shpallte pavarësinë dhe të zgjidhte delegatët e Kuvendit kombëtar të Vlorës para se një pushtues të zëvendësohej me një tjetër, para se ushtritë serbe të hynin në qytet dhe të vendosnin fatet e kombit me forcën e armëve. Kanë kaluar 100 vite që atëherë dhe ndërsa vendi zien mbi festimet dhe garën e qyteteve që do ta përkujtojnë madhërishëm këtë festë, Durrësi nuk ka ende një listë të aktiviteteve konkrete që do të zhvillohen me këtë rast. – Vali Qyrfyçi