Mijëra punonjës të bankës zvicerane UBS shkuan në punë të martën si çdo ditë tjetër, por kartat e tyre të hyrjes në zyrat e Londrës nuk funksiononin. Ata menduan fillimisht për një defekt të sistemit, por pastaj mësuan se qenë pushuar nga puna. Gjithsej, 10 mijë vetë humbën vendin e punës, pasi banka vendosi të mbyllë biznesin e vet me të ardhura fikse për t’u përqendruar tek e shkuara e vet si bankë private dhe për t’u përshtatur me rregullat e reja, të cilat e bëjnë më të vështirë realizimin e fitimeve nga tregtia.


Banka me bazë në Zyrih do të menaxhojë pasuritë, si dhe do të kryejë aktivitete të kufizuara si bankë investimesh. Ajo ka humbur në total rreth 50 miliardë dollarë gjatë viteve të krizës financiare.


Në total, të pushuarit papritur nga puna morën një letër ku shkruhej se do t’u paguheshin dy javë ekstra, iu la pesë minuta kohë për të mbledhur sendet personale dhe ikën. Shefi ekzekutiv Sergio Ermotti po udhëheq një plan trevjeçar ristrukturimi, që synon të kursejë 3.6 miliardë dollarë shpenzime.


“Ky vendim ka qenë i vështirë, por i nevojshëm për të krijuar një bankë të përshtatshme për të ardhmen”, deklaroi ai. Stafi i përgjithshëm i bankës do të reduktohet në 54 mijë vetë, nga 64 mijë që është aktualisht dhe nga 83 mijë që ishte në vitin 2007. UBS mbetet banka e dytë më e madhe në botë për menaxhimin e pasurive me asete të përgjithshme prej 1.6 trilionë frankash të shpërndara në të gjithë botën. Aksionet e saj u rritën me gati 14 për qind, si pasojë e lajmit të shkurtimeve. Banka u shpëtua nga falimenti më 2008-n nga ndihmat shtetërore, pasi humbi rreth 50 miliardë dollarë në sektorin e kredive hipotekare. Banka humbi edhe 2.3 miliardë dollarë të tjera kur një tregtar i saj hyri në biznese të rrezikshme dhe nuk e raportoi në kohë problemin. Përfituesja më e madhe nga vendimi i UBS mendohet se do të jetë “Deutsche Bank”, gjiganti gjerman që vijon aktivitetet e ndërprera nga banka zvicerane.