(Zbulime që publikohen për herë të parë)


Nga Dr. Moikom Zeqo


100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë nuk është vetëm një rast festiv jubilar. Por edhe një rast hulumtimi të shumëfishtë, zbulimesh dhe përzgjatjesh, pasurimit të dokumenteve dhe shtimit të koleksionit historik mbi këtë ngjarje epokale.


Botimi i librit “100 vjet Pavarësi – Flamuri që ringjalli një Komb”, nga shtëpia botuese “Erik”, është padyshim një ngjarje e madhe kulturore, sepse libri në vetvete krijon mundësinë e shpalosjes së substancës historike deri në vitin 1912. Jo rastësisht në qendër të vëmendjes është figura e madhe e Ismail Qemalit.


Është për të ardhur keq që prej Ismail Qemalit na mungojnë reliktet origjinale të denja për një muze, përgjithësisht prej tij kemi fotografi të riprodhuara, por jo relikte origjinale. Duke bërë kërkime në këtë rrafsh, kemi bërë të mundur që të botojmë disa fotografi të panjohura më parë të Ismail Qemalit.



Por është meritë e pamohueshme e studiuesit dhe mikut tim Bardhosh Gaçe, i cili këto ditë më dhuroi tre fotografi të reja dhe që askush nuk i ka botuar deri më sot. Duke e falënderuar mikun tim për këtë akt, le të më lejohet të bëj përshkrimin e tre fotografive, të cilat kanë një interes të madh historik.


Fotografia e parë tregon ardhjen e Ismail Qemalit në Vlorë më 3 shtator 1908. Ismail Qemali vinte nga Europa ku kishte jetuar që nga arratisja e tij prej Stambollit më 1900. Është e habitshme që ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë në një kohë që ai ishte i dënuar e i anatemuar prej Portës së Lartë, u prit me dashuri të pakufishme nga vlonjatët, pavarësisht pushtetit osman në Vlorë.


Kronika tregon se Ismail Qemali erdhi me një karrocë të tërhequr nga kuajt. Populli i Vlorës i hoqi kuajt nga karroca dhe djem të rinj e tërhoqën karrocën deri në sheshin pranë sarajeve të familjes Vlora.


Këtë ata e bënë për arsye të respektit të madh që kishin për Ismail Qemalin. Por, fotografia e fiksuar shfaq imazhin e grumbullit të njerëzve që dëgjojnë çfarë thotë Ismail Qemali.


Fotografia tregon turmën e shqiptarëve që kanë pritur Ismail Qemalin, vetë Ismail Qemalin në lartësi mbi këtë turmë, duke folur dhe në krah të majtë të tij dy flamuj kombëtarë shqiptarë.


Fotografia e dytë shpreh një intimitet të veçantë. Kjo fotografi i takon majit të vitit 1913. Fotografia tregon tre djemtë e Ismail Qemalit: Mahmutin, Qazimin dhe Et’hemin, të cilët janë me veshje ushtarake dhe të armatosur dhe konkretisht janë pjesë e forcës ushtarake të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit. Kjo fotografi ka një theks të fuqishëm.


Kjo tregon se vetë Ismail Qemali si Kryetar i Qeverisë ka angazhuar djemtë e tij në çështjen madhore kombëtare. Kjo fotografi flet shumë në mënyrë të saktë dhe lakonike. Kjo tregon gjithashtu se Ismail Qemali nuk ishte thjesht njeriu i deklaratave të mëdha dhe epokale, por edhe i sakrificave vetjake të pamohueshme.


Ne nuk dimë shumë gjëra për djemtë e Ismail Qemalit, por kjo fotografi është një apoteozë për ta.


Fotografia vërteton se ata janë bij të denjë të babait të tyre.


Fotografia e tretë kronologjikisht është më e hershme, por në shumë aspekte është akoma më e veçantë dhe prekëse. Fotografia është bërë në oborrin e shtëpisë së Ismail Qemalit në Stamboll në vitin 1896. Ismail Qemali qëndron i ulur dhe mban në prehër dy fëmijët e tij, si dhe rreth tij janë edhe katër të tjerë. Pra, gjithsej gjashtë fëmijë më të rritur dhe më të vegjël. Pra, kemi të bëjmë me Ismail Qemalin si baba të një familjeje të madhe, si një figurë njerëzore të nivelit të lartë dhe si kryesimbol familjar. Ka rëndësi të posaçme zbulimi dhe publikimi i kësaj fotografie për herë të parë.


Por fotografia më kryesore dhe më e rrallë është ajo e vitit 1900. Kjo është një fotografi relikte dhe origjinale e zbuluar nga koleksionisti dhe studiuesi Shpëtim Sala.


Nuk është thjesht një riprodhim, por është origjinali, i futur në një kornizë prej kartoni dhe që i takon vitit 1900, kur Ismail Qemali ndodhej në Bruksel, ku edhe takoi Faik Konicën dhe bashkëpunoi me revistën e këtij të fundit të quajtur “Albania”.


Kjo fotografi e pazakontë e tregon Ismail Qemalin të ulur në një kolltuk, këmbën e majtë e ka vënë mbi këmbën e djathtë, në dorën e majtë mban një libër të hapur, kurse me dorën e djathtë shtrëngon pjesën e poshtme të mjekrës. Kjo fotografi të kujton fotografitë e famshme të Marubëve.


Pranë figurës së Ismail Qemalit është njëlloj tryeze mbi të cilën janë një grumbull librash, libra ka gjithashtu edhe nën këmbët e Ismail Qemalit.


Duket qartë në sfond tapiceria dekorative dhe dyshemeja e shtruar me një qilim me motive karakteristike.


Kjo fotografi kryevepër e tregon Ismail Qemalin në moshën e tij më vitale, qëndrimi i tij është zhbirues, krenar dhe është i zotëruar nga vetëdija e së ardhmes.


Është vendi këtu të shënojmë diçka nga Rrëfimi i Ismail Qemalit, botuara tek “Albania e Vogël” e Faik Konicës.


Rrëfimi i Ismail Qemalit


“Më duket e tepërt të thom shumë fjalë për të dëftuar kush jam.


Mjafton të ju thom se jam Shqiptar, bir Shqiptari, se gjaku që rrjedh në dejet e mija është gjak Shqiptar, se kam një zëmërë me të vërtetë Shqipëtare…


Të dyzet vjet që unë dolla në shërbim të Dobletit, që janë dyzet vjet mundimesh dhe larg djemëve të mij, mësova të shkoj jetën në syrgjyn e në vende mundimesh, të pësoja gjithë se sa të liga që mundet të heqë zemëra e njeriut, të gjitha këto hidhërime i njoha, por këto të vojtura të padurueshme nuk ma pakësuan dashurinë e Atdheut.


Megjithatë, duke parë se mjerimet e egra po afroheshin unë më tepër e lartësoja zërin. Më tepër ishin duke u vërtetuar mjerimet ndaj unë e çilja zërin, e pata burrërimin të them të vërtetën e të përpiqem të zgjoj ata që ishin në gjumë.


Më duket se është më e mirë të vdes e të bëhem hi, sesa të shoh sesa poshtë kishte rënë Atdheu. Ishte e thënë që të shihnim këto ditët e zeza e këto re të errëta të mvarura përmbi atdhe, porsi një rrezik i afërm.


Ndaj mora në dy duart Burrërimin dhe Durimin.


Duke pasur shpresë te Zoti mora udhën e mundimeve… e pashë të udhës të merrem vesh me vëllezërit e mi Shqipëtarët që kanë kaq dashuri për Atdhenë e tyre e janë gjithmonë gati të derdhin gjakun e tyre…


I bëra therror djelmët e mi dhe shtëpinë time dhe dola jashtë për t’u bashkuar me atdhetarët Shqiptarë.


Aq sa mësova në punët e politikës, sa miqësira lidha me njerëz të fuqishëm, pra, pemën e 40 vjetëve të vojtura e mundimesh – të gjitha këto i vura në shërbim të vendit.


E di mirë se Shqiptari edhe ai i pamësuari ka mendime të larta dhe të nxehta për atdhenë dhe se është gjithmonë gati të derdhë gjakun e vet për kombin…


Ju Shqipëtarë që jeni gjithmonë gati për të derdhur gjakun tuaj për shërbimin e botëshëm, jam i sigurtë se në këtë luftë mendimesh dhe politike keni për të ecur bashkë me mua e do të më bëheni shok me besë, punë që është më e vështirë sesa e derdhura e gjakut dhe më e fuqishme për atdheun.


Kam shpresë se Shqiptarët do t’i rrëfejnë Evropës, se janë të zotët të punojnë nën Kanunin e Qytetërimit të bashkuar dhe si vllezër.


Uroj që Zoti t’i mbarojë të gjitha këto mendime të arsyeshme”. Botuar te revista “Albania e Vogël” Bruksel, 15 tetor 1900, nr. 19, viti II.


Fotografia e fundit për të cilën do të flasim është shumë pak e njohur dhe ndonëse nuk botohet për herë të parë, prapëseprapë paraqet një kuriozitet të veçantë.


Kjo fotografi e paraqet Ismail Qemalin në ditët e fundit të jetës. Fotografia është bërë në vitin 1918.


Ismail Qemali është i plakur, duket i menduar dhe tepër meditativ.


Flokët e tij janë zbardhur, duket sikur tërë pamja e tij pasqyron një sfilitje të madhe, por jo thyeje shpirtërore. Fotografia e ditëve të fundit të Ismail Qemalit është caku i parambarimit të jetës së tij.


Është fotografia e një fisnikërie dhe e një gjendjeje shpirtërore të zotëruar edhe nga mendimet ndoshta dhe nga ndonjë dilemë për të ardhmen e Shqipërisë. Por sidoqoftë është një dokument vizual i pazëvendësueshëm.


Cikli i fundit i fotografive që lidhen me Ismail Qemalin, në fakt kanë të bëjnë me funeralin e tij. Në varrimin e trupit të atdhetarit të madh në Kaninë, që është edhe origjina e të parëve të tij. Këto janë fotografi tronditëse, por deri-diku të njohura. Dihet se eshtrat e Ismail Qemalit u zhvarrosën në vitin 1937 për t’u vendosur në qendrën e qytetit të Vlorës, në një memorial të veçantë mbi të cilin qëndron skulptura me nivel të lartë artistik, e quajtur “Flamurtari”, e realizuar nga artisti i shquar Odise Paskali.


Shkenca e historisë njeh si burimologji të saj dokumentet origjinale, por në këtë hulli futen edhe fotografitë origjinale (në epokën e sotme dixhitale, fotografitë edhe manipulohen, por nuk merren në konsideratë memuaret, librat e kujtimeve të shkruara shumë kohë pas ngjarjeve, të cilat ato i përshkruajnë.


Mund të themi që në koleksionin e dokumenteve për Ismail Qemalin krahas shkrimeve, shkresave, librave, intervistave etj., një element të dorës së parë, një element të pazëvendësueshëm përbëjnë edhe fotografitë që lidhen me të.


Nga pozita e muzeologut mund të them me trishtim se në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, nuk gjendet asnjë relikte origjinale dhe asnjë objekt origjinal që i ka përkitur Ismail Qemalit. Përveç fotografisë së tij që i përket vitit 1900, që e përshkrova më sipër, deri tani nuk ka mbetur asgjë.


Ndoshta hulumtimet e ardhshme mund të zbulojnë ndonjë gjë.


Nga ana tjetër do të ishte me interes të veçantë shkencor botimi i të gjitha fotografive të Ismail Qemalit, të njerëzve të familjes së tij dhe të bashkëpunëtorëve gjatë gjithë jetës.


Por ja që një album i tillë ende nuk është bërë.