Kuvendi
Pas denoncimit në “Shqip”, arrihet konsensus nga PD-ja dhe PS-ja
BLEDAR HOTI
Demokratët dhe socialistët rrëzojnë Prokurorinë për delegimin e përgjimeve. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, mazhoranca dhe opozita, për herë të parë, pas kaq ditësh tensioni, kanë gjetur konsensusin për të hequr të drejtën e prokurorisë së rretheve për të përgjuar për çështje të ndryshme. Gazeta “Shqip” e ngriti këtë shqetësim menjëherë sapo projektligji u kalua nga qeveria. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve e kanë cilësuar si jo të drejtë një sanksionim të tillë, duke paraqitur propozimin për heqjen e kësaj dispozite ligjore. “Proceset teknike të përgjimit të komunikimeve për nevojat e hetimeve paraprake, sipas procedurave që përcakton neni 221-226 kryhen në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që pika e tretë propozon një gjë të kundërt. Nëse pika dy flet për centralizimin, pra që përgjimi të kryhet vetëm tek ajo zyrë, pika tjetër flet për decentralizimin, që të mos kryhet te kjo zyrë, po nga rrethet. Duke qenë se këto vijnë në kundërshtim, unë jam që të mos përfshihet kjo pikë”, deklaroi deputetja e PS-së, Ermonela Felaj. Ky propozim është mbështetur dhe nga deputetët e mazhorancës. “Në fakt është këmbëngulur nga prokuroria në kërkesën e saj dhe mua më është dukur absurde kërkesa e tyre. Ky Kuvend e ka ngritur nivelin me ligjin aktual, te Prokurori i Përgjithshëm i cili varet direkt nga Kuvendi. Ata kërkojnë sot që këtë gjë që ne e kemi cilësuar te një njeri me përgjegjësi më të madhe, ta ulim dhe ta çojmë në nivele më të ulëta”, tha Fatos Hoxha, deputet i PD-së. Konsensusi është përshëndetur dhe nga kryekomisioneri Ilir Rusmali. Drafti është kontestuar nga socialistët, pasi krijon institucione paralele përgjimi dhe lë shteg abuzimi. Shqetësim ka qenë dhe lënia e dorës së lirë të prokurorisë për të përgjuar për çështje të ndryshme. “Prokurori i Përgjithshëm, për çështje të veçanta, për nevoja të hetimeve paraprake, sipas procedurave të përcaktuara në nenet 221 deri te 226, të Kodit të Procedurës Penale, urdhëron realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, thuhet në nenin 8 të draftit “Për përgjimin e telekomunikimeve”. Pikërisht ky term “çështje të tjera” u cilësua si abuziv nga deputetët e opozitës. Drafti i qeverisë pritet të diskutohet sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Kjo strukturë parlamentare është përgjegjëse për një draft të tillë. Komisioni i Ligjeve, pavarësisht konsensusit, draftin në tërësi e miratoi vetëm me votat e mazhorancës. Të gjithë operatorët telefonisë mobile apo fikse duhet të paguajnë për blerjen e aparaturave të interceptimit si investim për llogari të Shërbimit Informativ apo dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo është vendosur apriori në draftin “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të cilin Kuvendi po e shqyrton nëpërmjet komisioneve parlamentare. Sipas draftit, të gjitha kompanitë telefonisë fikse, apo asaj mobile duhet të investojnë në institucionet shtetërore, me qëllim sigurimin e interceptimeve të mëtejshme. “Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike realizojnë, me shpenzimet e tyre, infrastrukturën e nevojshme në rrjetin e tyre të komunikimeve elektronike, për të siguruar, brenda 180 ditëve nga marrja e kërkesës nga institucionet që administrojnë sisteme përgjimi sipas këtij ligji, aftësinë ndaj përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet e komunikimeve elektronike të ofruara prej tyre”, thuhet në nenin 7 të draftit.
Prokuroria – Qeveria në draft i ka dhënë të drejtë prokurorisë në rrethe të realizojnë për nevojat e tyre përgjime për çështje të tjera
Kontestimi – Opozita e ka cilësuar si abuzive një përcaktim të tillë, pasi përgjimet duhet të jenë të përcaktuara mirë sipas rasteve
7 agjenci – Sipas opozitës janë 7 agjenci në vend që operojnë në fushën e përgjimeve
2005 – Që nga viti 2005 mungon struktura e posaçme e nënkomisionit të SHISH
SHIU – Shërbimi Informativ i Ushtrisë është vënë në shënjestër nga PS-ja për përgjime të paligjshme, të kryera pas ngjarjeve të 21 janarit