David Willey, BBC


Paolo Gabriele, ish-kujdestari i shërbimeve për Papën Benedikt po vuan aktualisht një dënim me burg prej 18 muajsh brenda mureve të Vatikanit, pasi u shpall fajtor nga një gjykatë e qytetit shtet më të vogël të botës për vjedhjen e dokumenteve të rëndësishme nga tryeza e Papës. Si mund të jetë jeta si i burgosuri i vetëm i shtetit sovran më të vogël në planet?


Sipas zyrtarëve të Vatikanit, ish-kujdestari do të trajtohet “butë dhe me drejtësi” dhe ndoshta ai mund të përfitojë falje nga Papa para përfundimit të dënimit, në rast se tregon pendim dhe i kërkon ndjesë Papës Benediktit, si dhe të gjithë njerëzve të tjerë që punojnë për Selinë e Shenjtë për skandalin që ai shkaktoi.


Por tani për tani, ai e ka këmbyer apartamentin e tij modest me tri dhoma brenda mureve të Vatikanit për një dhomë dënimi pjesërisht të mobiluar brenda zyrave të forcave policore private të Papës, Xhandarmërisë së Vatikanit.


Jo vetëm që ai është pushuar nga puna, por tashmë rrezikon të humbasë edhe shtëpinë e vet, e cila gjendet pothuajse ngjitur me ish-vendin e tij të punës, apartamentet e Papës në katin e sipërm të Pallatit Apostolik.



Qyteti i Vatikanit ka një stacion hekurudhor – ku mbërrin vetëm një tren në javë për të sjellë mallra pa taksa, një zyrë postare, një stacion radioje, një farmaci, një supermarket, një zjarrfikës, një hotel me pesë yje dhe një nga muzetë më të vizituara të botës, por nuk ka një ndërtesë të posaçme për burg dhe nuk ka as bodrume që përdoren për këtë qëllim.


Problemet e vetme kriminale që has ky shtet është kapja dhe përndjekja e hajdutëve të xhepave, të cilët vazhdimisht i lehtësojnë pelegrinët dhe turistët nga kuletat dhe çantat e dorës gjatë ceremonive të mbipopulluara fetare brenda bazilikës së Shën Pjetrit apo kur ata shëtisin nëpër muzetë e Vatikanit.


Zakonisht ato i jepen policisë së Italisë për trajtim apo gjykim, nëse del e nevojshme. Ligji dhe rendi brenda territorit të vogël është në duart e Xhandarmërisë së Vatikanit, një forcë me 130 vetë që vijnë pothuajse tërësisht nga radhët e karabinierëve apo policisë së shtetit të Italisë. Ata drejtohen nga inspektori i përgjithshëm, Domenico Giani, i cili më herët ka punuar për Shërbimet Sekrete Italiane.


Ndërkohë që Roja Zvicerane e Papës me 120 trupa kryen funksione të sigurisë, si dhe të ceremonialit brenda minishtetit, policia me uniforma blu është përgjegjëse për trafikun, kontrollin kufitar dhe hetimet penale.


Barakat e xhandarëve janë në cepin lindor të Vatikanit, në veri të Shën Pjetrit. Policia e Vatikanit u vu nën kritika nga Paolo Gabriele gjatë gjyqit të tij. Ai i akuzoi ata se e kishin vënë në një dhomë shumë të vogël burgu brenda selisë së policisë, ku ai u mbajt për 15 ditë ndërsa drita fikej dhe ndizej ditën dhe natën e ai nuk kishte hapësirë as të ngrinte krahët e vet.


Xhandarmëria shpjegoi se kjo gjë qe kryer për të shmangur rrezikun që Gabriele të dëmtonte veten dhe se ai vetë kishte kërkuar që drita të lihej ndezur gjatë natës. Ata thanë se i kishin dhënë edhe një maskë për sytë për të fjetur.


Kujdestarit tashmë i kanë dhënë një qeli më të madhe. Atij do t’i lejohen vizita të rregullta nga tre fëmijët e vet dhe do të përfitojë këshilla shpirtërore nga një prift. Do të shkojë edhe në meshë të dielave nën shoqërinë e rojeve.


Torturat që u bënin viktimave të Inkuizicionit të Shenjtë për herezi gjatë Mesjetës janë të mirënjohura. Vizitorët e Romës mund të shkojnë edhe sot të vizitojnë bodrumet ku të burgosurit e krizës vuanin torturat e tmerrshme.


Bodrumet e Kështjellës së Sant’Angelo, një pronë e Papës shumë pranë Vatikanit, frymëzuan artistin italian, Giovanni Battista Piranesi, të krijojë serinë e tij të famshme me skica nga burgjet e Romës.


Por Xhandarmëria e Vatikanit këmbëngul se kushtet nën të cilat Gabriele do të vuajë dënimin janë në përputhje të plotë me Konventën e Gjenevës mbi Torturat, si dhe “në përputhje me standardet e burgimit të zbatuara nga vende të tjera në situata të ngjashme”.


Gabriele, një qytetar i Vatikanit, ka vuajtur sakaq pesë muaj që nga arrestimi i tij majin e kaluar pra në teori i mbeten edhe 13 muaj. Ai vuri në siklet të madh Vatikanin dhe personalisht Papën Benedikt. Ata kanë frikë se ai mund të ketë sekrete të tjera për të zbuluar në rast se e vuante dënimin në një burg italian, gjë që është e mundur në bazë të marrëveshjeve ekzistuese, por po e mbajnë aty. Për shembull, Ali Agça, atentatori turk që tentoi të vriste Papën Gjon Pali i Dytë më 1981 u gjykua dhe u dënua nga një gjykatë italiane, pasi qe arrestuar në sheshin Shën Pjetër. Juridiksioni këtu është i përbashkët mes Italisë dhe Vatikanit. Ai vuajti 19 vite në burg në Itali para se të ekstradohej në Turqi.


 


Përgjigjja


Gabriele do të mbahet në një qeli burgimi të madhe


Atij do t’i lejohen vizita të rregullta nga familja dhe do të marrë këshillim shpirtëror nga një prift


Ai do të lejohet të marrë pjesë në meshë të dielave nën shoqërinë e policisë


Xhandarmëria e Vatikanit këmbëngul se kushtet e tij do të jenë në përputhje me Konventën e Gjenevës


 


I burgosuri i parë i Vatikanit


Pasi humbi shumicën e territoreve të veta më 1870 për shkak të themelimit të Mbretërisë së Bashkuar të Italisë, një shtet shumë anti-klerikal, Papa Pius IX e deklaroi veten “i burgosuri i Vatikanit”. U deshën gati 60 vjet pasa se papëve t’u lejohej të dilnin jashtë mureve të kështjellës së tyre si pasojë e një marrëveshjeje me Musolinin, që solli krijimin e minishtetit të Vatikanit brenda qytetit të Romës.