Stuhia në detaje



  • Së paku 32 vetë vdiqën, përfshirë një në Kanada

  • 1 milion njerëz u larguan nga shtëpitë

  • 50 milionë njerëz të prekur, 6 milionë pa energji

  • 1300 kilometra i gjerë ishte brezi i goditur nga stuhia

  • 13 mijë fluturime ajrore janë ndaluar

  • Manhatani u godit nga një dallgë e paprecedentë 4.15 metra e lartë


Nju Jorku, Nju Xhersi dhe qytete të tjera po përballen me stuhinë e shekullit


New YorkNdërsa uragani Sandy u përplas në kontinentin amerikan si një stuhi më e dobët, banorët përgjatë të gjithë rajonit të Atlantikut të Mesëm u zgjuan dje në qytetet e mbuluara nga uji, shtëpi në errësirë dhe me detyrën e stërmadhe të pastrimit të mbeturinave të lëna pas nga ngjarja atmosferike që nuk është parë prej disa brezash.


Energjia elektrike mungoi për afërsisht 6 milionë njerëz, përfshirë edhe një pjesë të madhe të Manhatanit. Ata që u çuan herët në mëngjes dolën nëpër rrugët e mbuluara nga mbeturinat, ndërsa qytetet mbetën të shkreta. Urat që lidhin ishullin më të famshëm të botës me kontinentin mbetën të mbyllura, ndërsa shtatë tunele të trenave nëntokësore nën Lumin Lindor u përmbytën. Të gjitha mjetet e tjera të transportit qenë jashtë shërbimi.


Stuhia ishte më shkatërrimtarja në historinë 108-vjeçare të sistemit të transportit nëntokësor të Nju Jorkut. Autoritetet nuk janë në gjendje të thonë se kur jeta mund të rikthehet në normalitet. Guvernatori i shtetit të Nju Xhersit, Chris Christie, tha se dëmet e pësuara qenë “të pallogaritshme”. Ndërkohë, skuadrat e shpëtimit fluturuan drejt Atlantic City dhe në zonat e kontesë Bergen, ku valët e detit kapërcyen barrierat natyrore për të hyrë thellë në tokë.


Së paku 11 vdekje u shkaktuan nga stuhia, e cila shkuli pemët me rrënjë dhe shkaktoi zjarre në shumë zona. Degët e shkëputura të pemëve ishin nga shkaktaret kryesore të vdekjeve. Stuhia ra në tokën amerikane të hënën në orën tetë të mbrëmjes. Ajo u klasifikua si një ciklon post-tropikal, por erërat e saj qenë ende me 100 kilometra në orë kur kaloi në shtetin e Pensilvanisë dhe u drejtua për nga Kanadaja.


Gjithsej, dhjetëra milionë njerëz u prekën nga stuhia në një mënyrë apo në një tjetër. Evakuimet prekën gati 1 milion njerëz, duke kthyer lagje apo qytete të tëra në fantazma. Stuhia u përplas në një brez prej 600-700 kilometrash. Bizneset dhe shkollat u mbyllën dhe mbi 13 mijë fluturime ajrore u anuluan. Edhe kanali i famshëm Erie që lidh dy liqenet e mëdha, qëndroi i mbyllur. Trenat nëntokësorë u mbyllën. Një spital në Nju Jork u detyrua të evakuojë të gjithë pacientët e vet, pasi energjia elektrike u ndërpre, ndërsa gjeneratori rezervë u prish.


Presidenti Barack Obama shpalli gjendjen e katastrofës në shtetin e Nju Jorkut. Një dallgë detare me lartësi 4 metra, solli shpërthimin e kanaleve të ujërave të zeza në shumë lagje të qytetit të Nju Jorkut. Një nënstacion energjie elektrike shpërtheu duke lënë qindra mijëra shtëpi pa energji.


Dëmet materiale nga ky uragan mund të arrijnë në dhjetëra miliardë dollarë, ndërsa jeta e shumë familje mund të jetë ndryshuar përgjithmonë. Dëmet e shkaktuara nga uraganet zakonisht llogariten duke mbledhur shumën e sigurimeve të kërkuara nga qytetarët dhe duke e shumëzuar atë me dy, për shkak se afro gjysma e pronave nuk janë të siguruara nga fatkeqësitë natyrore.


Jeta nuk pritet të kthehet në normalitet në metropolin më të madh të botës edhe për shumë ditë. Sistemi i metrosë ka pësuar dëmtime që nuk janë ekzaminuar ende, por për herë të parë tunelet e saj janë përmbytur nga uji i detit dhe ujërat e zeza. Zbrazja e tyre nga uji pritet të kërkojë së paku një javë. Sistemi i metrosë përdoret nga 5.3 milionë njerëz çdo ditë, njerëz që do ta kenë të vështirë ose të pamundur të shkojnë në punë këto ditë.