Shkatërrohet një rrjet i prodhimit të paligjshëm të pijeve alkoolike në Vlorë, prangosen tre persona, dy prej të cilëve vëllezër. Burimet policore sqaruan se në sajë të operacionit të koduar “Porosia” është arrestuar Gramoz Kalemaj, 56 vjeç, i dënuar më parë për prodhim të kundërligjshëm të mallrave ushqimor, vëllai i tij Aleksandër Kalemaj, 58 vjeç, dhe Detjon Dapaj, 25 vjeç.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përshtatur një magazinë, e cila ndodhej në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë brenda së cilës në mënyrë artizanale prodhonin sasi të konsiderueshme dhe të ndryshme pijesh alkoolike si: konjak, uzo, raki, verë, etj, të cilin e ambalazhonin në shishe, i vendosnin etiketa me mbishkrimin e subjektit “KALEMI”, dhe më pas e tregtonin në qytet”, sqarojnë burimet policore.
Ata nuk kanë pasur asnjë dokumentacion dhe nuk paguani asnjë detyrim financiar për këtë aktivitet ndërsa është gjetur një sasi e konsiderueshme alkooli dhe kafeje që dyshohet se është kontrabandë. Operacioni ka qenë bashkëpunim i policisë së Vlorës dhe njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Vlorës dhe kjo e fundit ka ngritur gjashtë akuza për tre të ndaluarit.
31 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)