Edhe fëmijët në tubim: Braktisim mësimin derisa të kthehet energjia
Policia ka shoqëruar dhjetë banorë për konfrontimet gjatë bllokimit të autostradës
Ardian Bushi
Banorët e fshatrave të Komunës Zejmen e Kolsh në Lezhë, u janë rikthyer protestave mëngjesin e djeshëm si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, duke sjellë edhe përplasje me forcat e policisë. Ashtu siç paralajmëruan banorët, ata kanë bllokuar aksin nacional Lezhë-Tiranë, si shenjë proteste. Protestës dhe revoles së tyre u janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës së mesme dhe 9-vjeçare, të cilat dje kanë bojkotuar mësimin, ndërkohë që policia ka shoqëruar dhjetë protestues, për shkak të konfrontimeve dhe bllokimit të autostradës.
Fëmijët në protestë
Siç ishte paralajmëruar dy ditë më parë nga vetë banorët, që vuajnë pa të drejtë mungesën e energjisë elektrike prej më shumë se dy javësh, dje kanë dalë në protestë edhe nxënësit e shkollës së Komunës Zejmen, të cilët kanë braktisur mësimin, me qëllim që t’u bashkohen familjarëve të tyre. Ata nuk kanë hyrë në mësim, duke nisur protestën, ndërsa rreth orës 10:00 të paradites, tubimi ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Nga rruga ekzistuese nacionale, banorët kanë zbritur në kryqëzimin me autostradën, ku janë bllokuar nga policia, me qëllim që të lejohet kalimi i automjeteve. Megjithatë, kjo masë parandaluese e policisë ka sjellë irritimin e banorëve, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për rikthimin e energjisë elektrike dhe jo të sjelljeve arbitrare, që mos t’i lejojnë për të fituar të drejtat e tyre. Protestuesit janë përplasur me forcat e policisë, ku veç atyre të rendit, nën drejtimin e nëndrejtorit të hetimit të krimit, Ferdinand Mara, për Drejtorinë e Policisë së Lezhës, kanë shkuar edhe agjentët e krimit.
Përplasja me policët
Gjatë përplasjes ka pasur konfrontime të forta fizike dhe banorët kanë arritur të çajnë kordonin policor për të bllokuar autostradën. Kordoni i Policisë së Lezhës është thyer pas 30 minutash rezistencë. Kjo ka bërë që Policia e Lezhës të kërkojë përforcime nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër. Pas mbërritjes së specialëve të Shkodrës, konfrontimi mes policisë dhe banorëve ka precipituar sërish. “Qëllimi ynë nuk është që të shqetësojmë të tjerët, duke iu bllokuar rrugën, por të dëgjohet zëri për një të drejtë të mohuar. Ne kemi paguar energjinë elektrike, por pa të drejtë, na e kanë ndërprerë prej dy javësh dhe askush nuk na jep një shpjegim”, kanë deklaruar banorët, të cilët protestonin në kryqëzimin e autostradës, me rrugën që lidh plazhin e Tales dhe Komunën e Zejmenit. Në këtë kohë, banorët kanë hedhur në rrugë gurë të mëdhenj dhe goma makinash, me qëllim që të mos kalonte asnjë automjet. Ndërkaq, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të kompanisë CEZ për rikthimin e energjisë elektrike, duke qenë se edhe faturat janë paguar në masën mbi 80 për qind.
Nxënësit dhe prindërit
Protestës dhe konfrontimit i kanë paraprirë nxënësit e shkollave, të cilët me parulla në duar e kanë konsideruar anormale mungesën 10-ditore të energjisë elektrike. Vetë nxënësit janë shprehur se “duke na hequr energjinë elektrike, na kanë hequr bukën, mësimin dhe jetën”. “Nuk kemi pse shkojmë as në shkollë, por çdo ditë do të mbështesim familjet tona në protestë, derisa të kthehet energjia elektrike”, deklaruan nxënësit. Edhe vetë prindërit janë shprehur se nuk mund të ketë dënim kolektiv për të gjithë komunitetin, pasi nëpërmjet këtij veprimi po rrezikohet edhe mbarëvajtja e procesit mësimor. Sipas Ndue Markut, “është e patolerueshme që në vitin 2012 të ndriçohemi me qirinj dhe nën dritën e pishës”. “Fëmijët nuk kanë kohë për t’u përgatitur për mësim dhe nuk kanë kushte, për shkak të uljes së temperaturave. Nuk e kuptoj se si ka mundësi që CEZ vijon dënimet kolektive, ndërsa shteti hesht, në një kohë që mund t’i ndërpresë energjinë kujtdo klienti që nuk ka shlyer detyrimet”, u shpreh Marku.
Dhjetë të shoqëruar
Ndërkohë, policia ka shoqëruar 10 persona në ambientet e Komisariatit të Lezhës. Sipas të dhënave policore, ata dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës dhe mendohet se kanë organizuar protestat e paligjshme për bllokimin e rrugës. Por, banorët janë shprehur se nuk do të frikësohen nga kjo situatë dhe do të vazhdojnë protestat e tyre deri në kthimin e energjisë elektrike. Nëntë fshatra të dy komunave janë prej më shumë se dy javësh pa energji elektrike dhe gjendja është bërë e papranueshme për banorët.
Reagimi
U kërkua ndihma e policisë, por ende nuk ka zgjidhje
CEZ: Zejmeni ka të drejtë, por na kërcënojnë në Manati
CEZ Shpërndarja deklaron se mungesa e energjisë në fshatin Zejmen ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes ilegale në rrjetin e tensionit të mesëm nga persona të paautorizuar në Manati. Pas ndërprerjes së energjisë për klientët debitorë në fshatin Manati, që furnizohet nga e njëjta kabinë elektrike, persona të papërgjegjshëm janë rilidhur në mënyrë ilegale në rrjet, duke shkaktuar defekte të rënda dhe duke e bërë atë të pasigurt. Për arsye se këto ndërhyrje janë bërë nga persona të paautorizuar dhe jashtë çdo kushti të sigurisë teknike, CEZ ka qenë e detyruar që, bazuar në legjislacionin në fuqi, të ndërpresë furnizimin me energji për kabinën elektrike në Zejmen. Për fat të keq, nga marrja e kësaj mase të detyrueshme sigurie janë prekur edhe klientët e rregullt në Zejmen”, shprehet CEZ. Ekipet e tyre, thonë burimet zyrtare, janë përpjekur disa herë të shkojnë në terren për të riparuar defektet dhe për të ndërprerë lidhjet e paligjshme, por ata nuk janë lejuar të kryejnë punën e tyre pikërisht nga këta abonentë debitorë, që janë edhe shkaktarë të lidhjeve të paligjshme, duke e vënë në rrezik edhe jetën e punonjësve. Në lidhje me këtë situatë, CEZ ka kërkuar edhe ndihmën e Policisë së Shtetit dhe autoriteteve për të kryer ndërprerjen e linjave të dyfishta dhe të paligjshme, por deri më sot nuk është gjetur asnjë zgjidhje.